Ligji Nr. 9049, datë 10.4.2003 “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunsve publikë”.

REPUBLIKA E SHQIPËRISË
KUVENDI
L I G J
Nr.9049, datë 10.4.2003
PËR DEKLARIMIN DHE KONTROLLIN E PASURIVE, TË
DETYRIMEVE FINANCIARE TË TË ZGJEDHURVE DHE TË DISA
NËPUNËSVE PUBLIKË

Në mbështetje të neneve 78, 81 pika 1 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës,
me propozimin e Këshillit të Ministrave,

K U V E N D I
I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
V E N D O S I:

KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Neni 1
Qëllimi
Qëllimi i këtij ligji është përcaktimi i rregullave për deklarimin dhe
kontrollin e pasurisë, të legjitimitetit të burimeve të krijimit të saj,
detyrimeve financiare për të zgjedhurit, nëpunësit publikë, për
familjarët e tyre dhe për personat e lidhur me ta.
Neni 2
Përkufizime
Përveçse kur përcaktohet ndryshe, në ligj termat e mëposhtëm kanë
këto kuptime:
1. “Aksion” është titull pronësie, që përfaqëson njërën nga pjesët në të
cilat është ndarë kapitali i një shoqërie dhe që i jep të drejtën
zotëruesit të saj të marrë pjesë në fitime.
2. “Likuiditete” janë mjetet monetare, të vendosura në cash, llogari
rrjedhëse, depozita, me dhe pa afat, bono thesari, obligacione dhe
huadhënie.
3. “Pasuri e luajtshme e regjistruar” është çdo pasuri që nuk përfshihet
në pasuritë e paluajtshme, e detyrueshme për t’u regjistruar në
regjistrat publikë.
4. “Persona të lidhur” janë të gjithë personat, fizikë ose juridikë, të
cilët, nga kërkimet administrative, rezultojnë të kenë pasur ose të
kenë lidhje pasurore me personin që mbart detyrimin për deklarim, në
njërën nga format e përcaktuara në këtë ligj.
5. “Pjesë e kapitalit” është pjesa që zotëron një ortak në kapitalin e
shoqërisë.
6. “Transanksion” është veprimi me anë të të cilit sigurohet kalimi i të
drejtave dhe detyrimeve pronësore nga njëri pronar tek tjetri.
Neni 3
Subjektet që mbartin detyrimin për deklarim
1. Mbartin detyrimin për deklarim në Inspektoratin e Lartë të
Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive:
a) Presidenti i Republikës, deputetët e Kuvendit, Kryeministri,
Zëvendëskryeministri, ministrat e zëvendësministrat;
b) nëpunësit civilë të nivelit të lartë dhe të mesëm drejtues, sipas
përcaktimit të nenit 11 të ligjit nr.8549, datë 11.11.1999 “Statusi i
nëpunësit civil” ;
c) prefektët, kryetarët e këshillave të qarqeve, kryetarët e
bashkive, të njësive bashkiake dhe të komunave;
ç) drejtorët e drejtorive dhe komandantët e Forcave të
Armatosura në Ministrinë e Mbrojtjes dhe në Shërbimin Informativ
Shtetëror;
d) prokurorët, gjyqtarët dhe përmbaruesit e të gjitha niveleve;
dh) drejtuesit e institucioneve të pavarura publike;
e) drejtorët e përgjithshëm, drejtorët e drejtorive dhe shefat e
sektorëve, (komisariateve) në qendër, rrethe e rajone, të Drejtorisë së
Përgjithshme të Policisë, Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe
asaj të Doganave;
ë) anëtarët e inspektoratit të ulët të deklarimit dhe kontrollit të
pasurisë;
f) drejtuesit e të gjitha niveleve të strukturave të kthimit e
kompensimit të pronave, të privatizimit dhe regjistrimit të pasurisë;
g) drejtuesit e të gjitha niveleve të KRRT-ve;
gj) zyrtarët që zgjidhen dhe emërohen nga Kuvendi, Presidenti i
Republikës, Kryeministri, ministrat ose personat e barazuar me ta;
h) drejtuesit e shoqërive anonime me pjesëmarrje të kapitalit
shtetëror mbi 50 për qind dhe mesatarisht me më shumë se 50
punëtorë.
2. Mbartin detyrimin për deklarim të pasurisë në inspektoratin e
ulët:
Subjektet që përcaktohen nga titullarët e ministrive dhe të
institucioneve qendrore, sipas paragrafit të parë të nenit 18 të këtij
ligji, duke përfshirë detyrimisht:
a) autoritetet që urdhërojnë dhe autorizojnë përdorimin e fondeve
publike dhe që i prokurojnë ato;
b) personat që ngarkohen me mbledhjen dhe vjeljen e të ardhurave të
buxhetit, qendror e vendor;
c) nëpunësit publikë që mbikëqyrin përdorimin e fondeve publike dhe
ata që, sipas ligjit, shqyrtojnë dhe japin licenca.
Kuvendi, me propozimin e Inspektorit të Përgjithshëm, vendos
detyrimin për deklarim të pasurisë për funksione të tjera të
paparashikuara në këtë ligj.
Neni 4
Afati dhe objekti i deklarimit
Subjektet e përcaktuara në nenin 3 të këtij ligji detyrohen të
deklarojnë në Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të
Pasurive dhe në inspektoratet e ulëta, brenda datës 31 mars të çdo
viti, gjendjen deri më 31 dhjetor të vitit paraardhës të pasurive,
burimet e krijimit të tyre, si dhe të detyrimeve financiare si më
poshtë:
a) pasuritë e paluajtshme dhe të drejtat reale mbi to;
b) pasuritë e luajtshme, të regjistrueshme në regjistrat publikë;
c) sendet me vlerë të veçantë mbi 5 000 dollarë amerikanë;
ç) vlerën e aksioneve, të letrave me vlerë dhe pjesët e kapitalit në
zotërim;
d) vlerën e likuiditeteve, gjendje në cash, në llogari rrjedhëse, në
depozitë, në bono thesari dhe në huadhënie, në lekë ose në valutë të
huaj;
dh) detyrimet financiare ndaj personave juridikë dhe fizikë, të
shprehura në lekë ose në valutë të huaj;
e) të ardhurat personale për vitin, nga paga ose pjesëmarrja në borde,
komisione ose çdo veprimtari tjetër që sjell të ardhura personale;
ë) licencat dhe patentat që sjellin të ardhura.
Neni 5
Refuzimi për deklarim
1. Refuzimi për deklarim sjell humbjen e funksionit dhe ndëshkimin në
përputhje me Kodin Penal. Inspektori i Përgjithshëm, brenda 30
ditëve, i dërgon organit përgjegjës njoftimin e motivuar për largimin
nga puna të personit që refuzon të deklarojë.
Organi përgjegjës, brenda 30 ditëve nga marrja e njoftimit, është i
detyruar të marrë masa për largimin nga puna të punonjësit që ka
refuzuar deklarimin.
2. Kur deklarimi refuzohet nga personat e zgjedhur ose nga ata me
imunitet, Inspektori i Përgjithshëm vë në dijeni Kuvendin dhe, kur
është rasti, edhe organin epror të personit.
Në të gjitha rastet e refuzimit të deklarimit, me kalimin e 30 ditëve
nga njoftimi i organit përgjegjës, Inspektori i Përgjithshëm detyrohet
t’i bëjë publike rastet e refuzimit të deklarimit.
Neni 6
Deklarimi i parë
Të gjitha subjektet e përcaktuara në nenin 3, që mbartin detyrimin për
deklarim, në çastin e hyrjes në fuqi të këtij ligji detyrohen të
deklarojnë të gjitha pasuritë e akumuluara, detyrimet financiare dhe
burimet e origjinën e tyre.
Neni 7
Deklarimi me kërkesë
Inspektori i Përgjithshëm ka të drejtë të kërkojë deklarimin e pasurive
dhe burimet e krijimit të tyre, sipas kërkesave të këtij ligji, si dhe të
urdhërojë kontrollin për saktësinë e këtyre deklarimeve edhe për
personat fizikë e juridikë, kur, nga verifikimet e kryera, rezulton se
këta të fundit janë persona të lidhur me subjektet që mbartin
detyrimin për deklarim.
Neni 8
Deklarimi pas largimit nga funksioni
Subjektet, për të cilat është parashikuar detyrimi për deklarim,
detyrohen të deklarojnë edhe për një periudhë prej dy vjetësh pas
largimit nga funksioni. Presidenti, Kryeministri, ministrat, deputetët,
zëvendësministrat, sekretarët e përgjithshëm, gjyqtarët e Gjykatës
Kushtetuese dhe të të gjitha niveleve të gjyqësorit, prokurorët,
drejtorët e përgjithshëm të institucioneve qendrore, do ta kenë këtë
detyrim për një periudhë prej katër vjetësh pas largimit nga funksioni.
Neni 9
Deklarimi para fillimit të punës
Punonjësit që fillojnë punë për herë të parë në njërën nga funksionet,
që mbartin detyrimin për deklarim, janë të detyruar të deklarojnë,
sipas kërkesave të nenit 6 të këtij ligji.
Neni 10
Autorizimi i kontrollit
Deklarimi i pasurisë shoqërohet me një autorizim të veçantë, ku
deklaruesi autorizon organet e përcaktuara në këtë ligj të verifikojnë
të gjitha subjektet, private e publike, brenda dhe jashtë vendit, për të
dhënat e deklaratës.
Mosdhënia e këtij autorizimi, brenda 15 ditëve nga mbarimi i afatit për
deklarim, sjell ndërprerjen e marrëdhënieve të punës, sipas
procedurave të përcaktuara në legjislacionin që rregullon marrëdhëniet
e punës.
KREU II
ORGANET, KOMPETENCAT DHE STRUKTURA
Neni 11
Inspektori i Përgjithshëm
1. Organi përgjegjës për kontrollin e deklarimit të pasurive është
Inspektori i Përgjithshëm.
2. Inspektori i Përgjithshëm zgjidhet nga Kuvendi, me propozimin e
Presidentit, ndërmjet dy kandidaturave, për një mandat 5-vjeçar.
3. Inspektori i Përgjithshëm gëzon pagën dhe përfitimet e anëtarit të
Gjykatës së Lartë.
4. Inspektori i Përgjithshëm bën deklarimin e parë të pasurisë brenda
30 ditëve nga zgjedhja e tij dhe çdo vit, sipas nenit 4 të këtij ligji,
pranë Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.
Neni 12
Kushtet për t’u zgjedhur
Inspektor i Përgjithshëm mund të zgjidhet kandidati që plotëson
kushtet e mëposhtme:
a) të jetë shtetas shqiptar;
b) të ketë arsimin e lartë, si ekonomist financier ose jurist;
c) të ketë vjetërsi pune në profesion jo më pak se 10 vjet dhe moshë
mbi 35 vjeç;
ç) të mos jetë i dënuar për vepra penale;
d) të mos jetë larguar nga puna ose nga shërbimi civil me masë
disiplinore.
Neni 13
Papajtueshmëritë
Funksioni i Inspektorit të Përgjithshëm është i papajtueshëm me:
a) çdo funksion tjetër publik;
b) çdo veprimtari tjetër fitimprurëse, me përjashtim të mësimdhënies;
c) anëtarësimin në partitë politike dhe pjesëmarrjen në veprimtaritë e
tyre.
Neni 14
Mbarimi i mandatit
1. Mandati i Inspektorit të Përgjithshëm mbaron kur:
a) dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një
krimi;
b) nuk paraqitet në detyrë për më shumë se 3 muaj;
c) jep dorëheqjen;
ç) me vendim gjyqësor të formës së prerë deklarohet i paaftë për të
vepruar.
2. Inspektori i Përgjithshëm mund të shkarkohet nga Kuvendi me
kërkesë të jo më pak se 1/3 të të gjithë anëtarëve:
a) për shkelje të dispozitave të këtij ligji;
b) kur kryen veprimtari që krijon konflikt interesash;
c) kur zbulohen raste të papajtueshmërisë së funksionit të tij.
3. Në rast se vendi i Inspektorit të Përgjithshëm mbetet vakant,
Presidenti i Republikës, brenda 15 ditëve, i propozon Kuvendit dy
kandidatura për Inspektor të Përgjithshëm. Kuvendi zgjedh Inspektorin
e Përgjithshëm brenda 15 ditëve nga paraqitja e kandidaturave.
Neni 15
Kompetencat e Inspektorit të Përgjithshëm
Inspektori i Përgjithshëm ka këto kompetenca:
a) drejton Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të
Pasurive, për të kontrolluar deklarimin dhe legjitimitetin e burimeve të
pasurive të deklaruara nga subjektet e parashikuara nga ky ligj në të
gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë;
b) njofton, rast pas rasti, Presidentin, Kuvendin, Këshillin e Lartë të
Drejtësisë, Këshillin e Ministrave, Kryeministrin, ministrat dhe
drejtuesit e institucioneve qendrore për parregullsitë e vërtetuara në
deklarimin e pasurisë nga punonjësit në juridiksionin e tyre.
Neni 16
Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive,
struktura dhe buxheti
1. Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, që më
poshtë do të quhet “Inspektorati i Lartë”, është person juridik publik, i
cili, nën përgjegjësinë e Inspektorit të Përgjithshëm, administron
deklarimin e pasurisë, të detyrimeve financiare dhe kontrollin e këtij
deklarimi, sipas përcaktimeve të bëra në këtë ligj.
2. Struktura organizative e Inspektoratit të Lartë caktohet nga
Inspektori i Përgjithshëm.
3. Inspektorët e Inspektoratit të Lartë gëzojnë statusin e nëpunësit
civil.
4. Inspektorati i Lartë ka buxhetin e vet të pavarur, të caktuar nga
Kuvendi, i cili vendos numrin dhe pagat e punonjësve të këtij
Inspektorati.
Neni 17
Kompetencat e Inspektoratit të Lartë
Inspektorati i Lartë ka këto kompetenca:
a) ushtron kontrollin e drejtpërdrejtë të deklarimeve në emërtesë të
tij;
b) mbledh të dhëna, kryen hetime dhe kërkime administrative rreth
deklarimeve të personave që kanë detyrimin për deklarim, sipas këtij
ligji, në përputhje me Kodin e Procedurave Administrative;
c) ushtron kontroll për deklarimet e bëra edhe për subjektet e
përcaktuara si emërtesë e inspektoratit të ulët;
ç) bashkëpunon me organet e auditimit dhe me strukturat e tjera
përgjegjëse për luftën kundër korrupsionit dhe krimit ekonomik;
d) mbikëqyr funksionimin e inspektoratit të ulët.
Neni 18
Inspektoratet e ulëta
Të gjitha institucionet e administratës publike të nivelit qendror dhe
vendor, institucionet e pavarura, organet e pushtetit vendor,
prefekturat, bankat dhe institucionet financiare e shoqërore,
korporatat e shndërruara ose jo në shoqëri anonime, ku pjesëmarrja e
shtetit është mbi 50 për qind, janë të detyruara të ngrenë
inspektoratin e ulët të kontrollit të deklarimit të pasurive, që më
poshtë do të quhet “Inspektorati i ulët”. Përjashtohen nga ky rregull
bashkitë dhe komunat që, sipas përcaktimit të Inspektorit të
Përgjithshëm, deklarimi i pasurisë së punonjësve të tyre do të bëhet
pranë inspektoratit të ulët të qarkut.
Inspektorati i ulët caktohet me urdhër të titullarit të subjekteve të
përcaktuara në paragrafin e parë të këtij neni.
Neni 19
Kompentencat e inspektoratit të ulët
Inspektorati i ulët ka këto kompetenca:
a) organizon dhe kryen kontrollin e deklarimit të pasurive të emërtesës
së caktuar dhe i raporton titullarit të ministrisë ose institucionit
qendror rezultatet e kontrollit, sipas afateve të caktuara prej tij, duke
paraqitur edhe propozimet përkatëse për shkeljet dhe parregullsitë, në
përputhje me ligjin nr.8549, datë 11.11.1999 “Statusi i nëpunësit civil”
dhe Kodin e Punës;
b) mbledh dhe i dërgon Inspektoratit të Lartë të gjitha deklarimet që
janë emërtesë e tij, si dhe e njofton atë periodikisht për
mosdeklarimet, parregullsitë dhe kundërvajtjet e zbuluara nga kontrolli
i kryer.
Neni 20
Përbërja e inspektoratit të ulët
1. Inspektorati i ulët përbëhet nga 3 deri në 5 veta, ku kryetar është
drejtori i personelit dhe anëtarë njëri nga specialistët e zhvillimit të
burimeve njerëzore dhe nëpunës të tjerë me profesion ekonomistë ose
juristë.
2. Për ushtrimin e funksioneve, anëtarët e inspektoratit të ulët
përfitojnë një shtesë mbi pagën mujore prej 15 për qind.
KREU III
ORGANIZIMI I DEKLARIMIT DHE KONTROLLI
Neni 21
Deklarimi
Deklarimi i pasurive, i burimeve të tyre, i detyrimeve financiare bëhet
sipas kërkesave të përcaktuara në këtë ligj dhe në formën e
përcaktuar nga Inspektori i Përgjithshëm. Deklarimi përfshin pasurinë
e subjektit dhe të familjes së tij (bashkëshortit/es dhe fëmijëve në
moshë madhore), burimet e krijimit dhe detyrimet financiare të
subjektit.
Deklarimi duhet të përmbajë edhe faktin nëse deklaruesi/sja ka ose jo
persona të tjerë të lidhur. Deklaruesit, përpara deklarimit, duhet t’i
jepen të gjitha këshillimet e nevojshme për plotësimin e deklaratës
dhe t’ i bëhen të njohura rrjedhimet që mbart deklarimi i rremë.
Neni 22
Deklarimi i pjesëtarëve të familjes
Kur pasuria e pjesëtarëve të familjes është e ndarë dhe e regjistruar si
e tillë në organet e administratës shtetërore ose gjyqësore, deklarimi
paraqitet veçmas nga çdo anëtar i familjes, me pasuri të regjistruar në
emër të vet dhe i bashkëlidhet deklaratës së personit që ka detyrimin
për deklarim.
Neni 23
Paraqitja e deklarimit dhe afatet
Të gjitha subjektet që mbartin detyrimin për deklarim, sipas këtij ligji,
detyrohen ta paraqesin deklaratën e tyre të mbyllur në zarf në
inspektoratin e ulët brenda afateve të përcaktuara në këtë ligj.
Brenda 15 ditëve nga kalimi i afatit të paraqitjes së deklaratave,
inspektorati i ulët bën përzgjedhjen e tyre, sipas përcaktimeve të nenit
3 të këtij ligji, dhe i përcjell Inspektoratit të Lartë deklaratat në
emërtesë të këtij të fundit, si dhe listën e personave që nuk kanë
deklaruar, në qoftë se ka të tillë.
Neni 24
Përpunimi paraprak
Inspektorati i Lartë dhe ai i ulët bëjnë përpunimin paraprak të
deklarimeve, i cili përfshin juridiksionin, rregullsinë e plotësimit të
deklaratës dhe të anekseve, dokumentet justifikuese dhe ligjshmërinë
e tyre.
Kur nga përpunimi paraprak vërtetohen gabime materiale ose
plotësime të gabuara, Inspektorati njofton subjektin që ka paraqitur
këto deklarime, i cili, brenda 15 ditëve nga marrja e njoftimit, është i
detyruar t’ i ndreqë ato.
Neni 25
Llojet e kontrollit
1. Kontrolli i deklarimeve përfshin kontrollet, aritmetik e logjik, dhe
verifikimin e miratimin e të dhënave të deklaratës (kontroll i plotë).
Kontrollet, aritmetik dhe logjik, kryhen për çdo deklarim për të
vërtetuar saktësinë e vlerësimit të pasurisë së deklaruar, saktësinë e
burimeve financiare të deklaruara dhe mjaftueshmërinë e mbulimit të
pasurisë nga burimet e deklaruara.
Verifikimi e miratimi i të dhënave të deklaratës (kontroll i plotë) bëhen
për ato deklarime, të cilat, nga kontrollet e përcaktuara në pikën 1 të
këtij neni, paraqesin probleme, papajtueshmëri dhe parregullsi në
justifikimin e burimeve të mbulimit të pasurisë ose në pasurinë e
deklaruar dhe në deklarime të tjera, sipas skemës së kontrollit.
Në kuptim të këtij ligji, janë parregullsi në justifikimin e burimeve
rastet kur burimet dhe pasuritë e krijuara nuk përputhen për shumën
mbi 1 000 000 lekë për deklarimet vjetore dhe për shumën mbi 2 000
000 lekë për deklarimet e bëra sipas neneve 6 dhe 9 të këtij ligji.
Skema e kontrollit të deklarimeve duhet të përfshijë kontrollin e plotë
të deklaratave, jo më pak se një herë në dy vjet.
2. Verifikimi dhe kontrolli i pasurisë, i detyrimeve financiare kryhet i
plotë, për çdo vit, për Presidentin e Republikës, Kryetarin e Kuvendit,
Kryeministrin, Zëvendëskryeministrin, ministrat dhe drejtuesit,
funksionet e të cilëve barazohen me ta.
3. Metodikat dhe manualet e ushtrimit të kontrollit miratohen nga
Inspektori i Përgjithshëm.
Neni 26
Detyrimi për të dhënat
Për kryerjen e kontrollit dhe verifikimin e të dhënave të deklaratës,
Inspektorati i Lartë dhe ai i ulët kanë të drejtë të shfrytëzojnë të
dhënat e nevojshme në të gjithë aparatin shtetëror e publik dhe në
personat juridikë publikë e privatë.
Me kërkesë të Inspektorit të Përgjithshëm bankat e nivelit të dytë dhe
subjektet e tjera, që ushtrojnë veprimtari bankare dhe financiare në
Republikën e Shqipërisë, detyrohen të japin të dhëna për depozitat,
llogaritë dhe transanksionet e kryera nga personat që, sipas këtij ligji,
kanë detyrimin për deklarim.
Subjektet e mësipërme janë të detyruara të vënë në dispozicion të
gjitha të dhënat e kërkuara brenda 15 ditëve nga paraqitja e kërkesës
me shkrim nga Inspektori i Përgjithshëm.
Neni 27
Korrigjimi i gabimeve në deklarim
Kur gjatë kontrollit zbulohet se deklarimet nuk janë të sakta ose
burimet e deklaruara nuk identifikohen dhe nuk mbulojnë pasuritë e
deklaruara, Inspektorati i Lartë ose ai i ulët thërret subjektin për të
dhënë shpjegime të hollësishme dhe argumentet përkatëse, të cilat
paraqiten kurdoherë me shkrim.
Neni 28
Pasuritë e fituara në mënyrë të paligjshme
Kur edhe nga procedurat e përcaktuara në nenin 27 nuk mund të
justifikohen me burime të ligjshme pasuritë e krijuara dhe kur këto
mospërputhje janë mbi 2 000 000 lekë për deklarimet vjetore dhe mbi
3 000 000 lekë për deklarimet sipas neneve 6 dhe 9 të këtij ligji,
atëherë vlerësohet se pasuritë janë krijuar në mënyrë të paligjshme
dhe Inspektori i Përgjithshëm njofton menjëherë prokurorinë.
Neni 29
Thirrja e ekspertëve
Inspektori i Përgjithshëm ose kryetari i inspektoratit të ulët kanë të
drejtë të thërrasin ekspertë të pavarur, të licencuar, të fushave të
ndryshme, për të bërë rivlerësimin e pasurive ose për çështje që këta
çmojnë të arsyeshme.
Ekspertët janë të detyruar të ruajnë konfidencialitetin e të dhënave që
sigurojnë gjatë ekspertimit dhe mbajnë përgjegjësi, sipas dispozitave
të Kodit Penal, për ekspertim të rremë. Shpenzimet e ekspertëve
përballohen nga buxheti i Inspektoratit të Lartë ose nga ministria apo
institucioni, në varësi të të cilit është inspektorati i ulët që ka kërkuar
ekspertimin.
Neni 30
Dokumentimi i kontrollit
Për çdo deklaratë që i nënshtrohet kontrollit të Inspektoratit të Lartë
ose të inspektorateve të ulëta plotësohet fleta e kontrollit, sipas
mënyrës së përcaktuar nga Inspektori i Përgjithshëm, e cila
nënshkruhet nga inspektori që ka ushtruar kontrollin.
Neni 31
Përmbajtja e të dhënave
Në bazë të fletëkontrolleve hartohen të dhënat, respektivisht për
Inspektorin e Përgjithshëm ose për ministrin apo drejtuesin e
institucionit qendror.
Të dhënat duhet të përmbajnë, në mënyrë të përmbledhur,
identifikimin e deklaratave, që i janë nënshtruar kontrollit, faktet dhe
parregullsitë e gjetura, si dhe propozimet për masa disiplinore e gjoba
për kundërvajtjet dhe, kur është rasti, propozimet për kallëzime për
ndjekje penale.
Neni 32
Pasuritë e fituara nga fshehja e detyrimeve fiskale
Kur pasuritë e fituara gjykohen se janë rrjedhojë e fshehjes së
detyrimeve fiskale, Inspektori i Përgjithshëm ose inspektorati i ulët
njofton organet tatimore.
Neni 33
Ruajtja e dokumenteve
I gjithë dokumentacioni, që ka të bëjë me deklarimin dhe kontrollin e
pasurive, arkivohet sipas rregullave dhe ruhet për një periudhë 10-
vjeçare. Ky detyrim përfshin edhe dokumentacionin e deklarimit të
pasurive, i cili u përket periudhave të mëparshme e që është gjendje
në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji.
Neni 34
Publikimi
Të dhënat që përfitohen nga deklarimi sipas këtij ligji janë të
lejueshme për publikun, në përputhje me ligjin nr.8503, datë
30.6.1999 “Për të drejtën e informimit për dokumentet zyrtare”.
Neni 35
Mbikëqyrja e inspektoratit të ulët
Inspektorati i Lartë është i detyruar të kontrollojë punën e
inspektoratit të ulët jo më pak se një herë në dy vjet, sipas rregullave
të caktuara nga Inspektori i Përgjithshëm.
Neni 36
Ndreqja e parregullsive
Kur Inspektorati i Lartë, gjatë kontrollit të punës së inspektoratit të
ulët, vëren shkelje ose parregullsi, i ndreq vetë parregullsitë e
vërtetuara ose i kërkon inspektoratit të ulët ndreqjen e tyre brenda 10
ditëve.
Neni 37
Masat disiplinore
Inspektori i Përgjithshëm, për shkeljen e kryer nga anëtarët e
inspektoratit të ulët, i propozon titullarit largimin nga funksioni të
anëtarit të inspektoratit të ulët.
Neni 38
Deklarimi i rremë
Deklaratat dhe të gjitha dokumentet që i shoqërojnë ato janë
dokumente zyrtare. Paraqitja në to e të dhënave të rreme përbën
vepër penale dhe dënohet sipas legjislacionit në fuqi.
Neni 39
Raportimi
1. Inspektori i Përgjithshëm i raporton Kuvendit, jo më vonë se më 31
maj të çdo viti, për veprimtarinë e kryer në vitin pararendës, si dhe sa
herë që thirret nga Kuvendi.
Inspektori i Përgjithshëm mund t’i kërkojë Kuvendit ta dëgjojë për
çështje që ai i çmon të rëndësishme.
2. Çdo vit inpektorati i ulët i paraqet Inspektoratit të Lartë një raport
për veprimtarinë e kryer në vitin pararendës, jo më vonë se data 31
janar e çdo viti.
KREU IV
KUNDËRVAJTJET ADMINISTRATIVE
Neni 40
Në kuptim të këtij ligji, kur veprimi ose mosveprimi nuk përbën vepër
penale, përbën kundërvajtje administrative dhe kundërvajtësit
dënohen si më poshtë:
a) kur deklaratat dhe dokumentet shoqëruese nuk paraqiten në afatin
e caktuar, pa shkaqe të arsyeshme, subjekti që mbart detyrimin për
deklarim gjobitet me 25 000 lekë.
Në qoftë se edhe pas 15 ditëve të komunikimit të gjobës subjektet e
përcaktuara në nenet 3 dhe 7 vazhdojnë të mos deklarojnë, gjoba
dyfishohet. Në këtë rast njoftohen menjëherë organet përkatëse;
b) për mosngritjen e inspektoratit të ulët, sipas nenit 18 të këtij ligji,
titullari i subjektit gjobitet me 50 000 lekë;
c) kur kryetari i inspektoratit të ulët nuk dërgon në afat në
Inspektoratin e Lartë të dhënat për deklarimin, ai gjobitet me 20 000
lekë;
ç) kur nuk jepen të dhënat e kërkuara sipas nenit 26 të këtij ligji,
subjektet gjobiten me 50 000 lekë;
d) kur ekspertët refuzojnë kryerjen e ekspertimit ose kur ata nuk
paraqiten, pa shkaqe të arsyeshme, për kryerjen e ekspertimit, sipas
nenit 29 të këtij ligji, gjobiten me 100 000 lekë;
dh) kur, pa shkaqe të arsyeshme, organet e ngarkuara për këtë qëllim
nuk ekzekutojnë gjobat, sipas nenit 41 të këtij ligji, ato gjobiten me 50
000 lekë.
Të drejtën e këtyre gjobave e ka Inspektori i Përgjithshëm, me
propozimin e personelit të Inspektoratit të Lartë. Ndërsa kryetari i
inspektoratit të ulët ka të drejtën e gjobave vetëm për shkronjat “a”,
“d” e “dh” të këtij neni, kryesisht ose me propozimin e anëtarëve të
inspektoratit të ulët.
Kundër vendimit të gjobës së vënë nga Inspektori i Përgjithshëm mund
të bëhet ankim në gjykatën e rrethit brenda 30 ditëve nga dita e
marrjes së njoftimit, ndërsa për vendimet e gjobës së vënë nga
inspektorati i ulët mund të bëhet ankim tek Inspektori i Përgjithshëm
brenda 30 ditëve nga marrja e njoftimit dhe më pas, brenda 30 ditëve
nga marrja e këtij vendimi, mund të bëhet ankim në gjykatë.
Neni 41
Ekzekutimi i gjobave
Gjobat paguhen nga kundërvajtësi dhe derdhen në buxhet jo më vonë
se 30 ditë nga komunikimi i gjobës.
Me kalimin e këtij afati, vendimi i dhënë shndërrohet në titull ekzekutiv
dhe ekzekutohet në mënyrë të detyrueshme nga punëdhënësi, kur
kundërvajtësi është në marrëdhënie pune, ose nga zyra e
përmbarimit, me kërkesën e Inspektorit të Përgjithshëm ose të
kryetarit të inspektoratit të ulët.
KREU V
DISPOZITA TË FUNDIT
Neni 42
Ligji nr.7903, datë 8.3.1995 “Për deklarimin e pasurive të të
zgjedhurve dhe të disa drejtuesve e punonjësve të shërbimit publik”
dhe çdo dispozitë tjetër, që vjen në kundërshtim me këtë ligj,
shfuqizohen.
Neni 43
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.
K R Y E T A R I
Servet Pëllumbi

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi