Ligji Nr. 8652, datë 31.7.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore”.

REPUBLIKA E SHQIPËRISË
KUVENDI
L I G J
Nr.8652, datë 31.7.2000
PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E QEVERISJES VENDORE
Në mbështetje të neneve 13, 81, 83 pika 1 dhe 108-115 të Kushtetutës, me propozimin e
Këshillit të Ministrave,
K U V E N D I
I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
V E N D O S I:
KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Neni 1
Objekti i ligjit
Ky ligj rregullon organizimin dhe funksionimin e njësive të qeverisjes vendore në
Republikën e Shqipërisë, si dhe përcakton funksionet, kompetencat, të drejtat dhe detyrat
e tyre dhe të organeve përkatëse.
Neni 2
Përkufizime
Në kuptimin e këtij ligji:
1.”Funksion” është fusha e veprimtarisë për të cilën është përgjegjës një organ i caktuar.
2. “Funksione të deleguara” janë funksione të pushtetit qendror ose të institucioneve të
tjera qendrore që me ligj ose me marrëveshje caktohen të realizohen nga njësitë e
qeverisjes vendore në mënyrën dhe masën e përcaktuar nga pushteti qendror dhe
institucione të tjera qendrore.
3. “Funksione të përbashkëta” janë funksione për të cilat njësia e qeverisjes vendore ka
pjesën e saj të përgjegjësisë së dallueshme nga pjesa e përgjegjësisë së dhënë pushtetit
qendror, si dhe që bashkëshoqërohen përpjesëtimisht me kompetenca, të cilat i ushtron në
mënyrë autonome.
4. “Funksione të veta” janë funksionet e dhëna me ligj njësisë së qeverisjes vendore, për
të cilat ajo është përgjegjëse për realizimin, si dhe ka lirinë dhe autoritetin të marrë
vendime e të përdorë mjete për realizimin e tyre, brenda hapësirës së normave, kritereve
dhe standardeve të pranuara përgjithësisht me ligj, duke zotëruar autoritet të plotë
administrativ, shërbimi, investimi dhe rregullator.
5. “Kompetencë” është autoriteti dhënë me ligj një organi për kryerjen e një funksioni.
6. “Kompetenca të veta” janë autoritetet ekskluzive që u janë dhënë me ligj njësive të
qeverisjes vendore për realizimin e funksioneve të veta.
7. “Kompetencë administrative” është kompetenca për menaxhimin e strukturave dhe
personelit (ngritjen, përmirësimin, shkrirjen e strukturave, si dhe emërimin, shkarkimin,
transferimin, kualifikimin, përcaktimin e pagave dhe shpërblimeve të personelit) në
përputhje me legjislacionin në fuqi.
8. “Kompetencë e deleguar” është kompetenca e pushtetit qendror që, me ligj ose me
marrëveshje, i është dhënë njësisë së qeverisjes vendore.
9. “Kompetencë investimi” është kompetenca për planifikimin, shpërndarjen dhe
realizimin e investimeve.
10. “Kompetencë rregullatore” është kompetenca për krijimin dhe vendosjen e rregullave
(dhënie licencash, caktime oraresh, vendosje gjobash ose në përgjithësi dhënie të drejtash
ose krijim detyrimesh), duke respektuar standardet dhe legjislacionin në fuqi.
11. “Kompetencë shërbimi” është kompetenca për planifikimin, shpërndarjen dhe
realizimin e mirëmbajtjes së objekteve dhe shërbimeve ndihmëse.
12. “Pushtet qendror” është Këshilli i Ministrave, ministritë dhe institucionet e tjera
qendrore të shtetit.
13. “Riorganizim” është ndryshimi në ndarjen administrative-territoriale.
14. “Subjekt i kompetencave të përbashkëta” është një komitet, ent, institucion,
ndërmarrje ose bord, i krijuar nga dy ose më shumë njësi të qeverisjes vendore ose mes
njësive të qeverisjes vendore dhe institucioneve qendrore, me qëllim kryerjen e një
shërbimi ose përmbushjen e një detyrimi të përbashkët.
15. “Subsidiaritet” është parimi i kryerjes së funksioneve dhe ushtrimit të kompetencave
në një nivel qeverisjeje sa më pranë shtetasve.
Neni 3
Misioni i pushtetit vendor
Pushteti vendor në Republikën e Shqipërisë siguron qeverisjen në një nivel sa më afër
shtetasve nëpërmjet:
a) njohjes së ekzistencës së identiteteve dhe vlerave të ndryshme të bashkësive;
b) respektimit të të drejtave dhe lirive themelore të shtetasve të sanksionuara në
Kushtetutë ose në ligje të tjera;
c) zgjedhjes së llojeve të ndryshme të shërbimeve dhe lehtësirave të tjera publike vendore
në dobi të bashkësisë;
ç) ushtrimit efektiv të funksioneve, kompetencave dhe realizimit të detyrave nga organet
e qeverisjes vendore;
d) realizimit të shërbimeve në forma të përshtatshme;
dh) nxitjes efektive të pjesëmarrjes së bashkësisë në qeverisjen vendore.
Neni 4
Parime themelore të funksionimit të organeve të njësive të qeverisjes vendore
1. Organet e njësive të qeverisjes vendore veprojnë në bazë të parimit të autonomisë
vendore.
2. Marrëdhëniet ndërmjet organeve të njësive të qeverisjes vendore dhe marrëdhëniet e
tyre me organet e pushtetit qendror bazohen në parimin e subsidiaritetit dhe të
bashkëpunimit për zgjidhjen e problemeve të përbashkëta.
3. Në veprimtarinë e tyre organet e njësive të qeverisjes vendore respektojnë Kushtetutën,
ligjet dhe aktet e nxjerra në bazë dhe për zbatimin e tyre.
4. Organet e njësive të qeverisjes vendore janë persona juridikë.
5. Çdo komunë, bashki dhe qark është organ qeverisës me vazhdimësi.
KREU II
NJËSITË E QEVERISJES VENDORE
Neni 5
Përcaktimi: komunë, bashki, qark dhe nëndarjet
1.Njësi bazë të qeverisjes vendore janë komuna dhe bashkia.
2.Komuna përfaqëson një unitet administrativo-territorial dhe bashkësi banorësh, si
rregull në zona rurale dhe në raste të veçanta edhe në zona urbane. Shtrirja territoriale,
emri dhe qendra e komunës përcaktohen me ligj. Nëndarjet e komunës quhen fshatra dhe
në raste të veçanta qytete. Përcaktimi i territorit të nëndarjeve bëhet nga këshilli komunal.
3. Bashkia përfaqëson një unitet administrativo-territorial dhe bashkësi banorësh
kryesisht në zona urbane e në raste të veçanta përfshin edhe zona rurale. Shtrirja
territoriale dhe emri i bashkisë përcaktohen me ligj. Nëndarjet e bashkisë në zona urbane
quhen lagje. Lagjet krijohen në territore me mbi 15 000 banorë me vendim të këshillit
bashkiak. Kur bashkia përfshin zona rurale, nëndarja quhet fshat. Fshati krijohet në një
territor me mbi 200 banorë. Qytet, shpallet një qendër banimi e cila ka një plan
perspektiv zhvillimi urban të miratuar. Shpallja e qytetit bëhet me ligj.
4. Qarku është njësi e nivelit të dytë të qeverisjes vendore.
5. Qarku përfaqëson një unitet administrativo-territorial, të përbërë nga disa komuna dhe
bashki me lidhje gjeografike, tradicionale, ekonomike, sociale dhe interesa të përbashkët.
Kufijtë e qarkut përputhen me kufijtë e komunave dhe të bashkive që e përbëjnë atë.
Qendra e qarkut vendoset në një nga bashkitë që përfshihen në të. Shtrirja territoriale,
emri dhe qendra e qarkut përcaktohen me ligj.
6. Nëndarja e qarkut është rrethi. Shtrirja territoriale, emri dhe qendra e rrethit
përcaktohen me ligj.
7. Drejtimi i nëndarjeve të komunave, bashkive dhe qarqeve përcaktohet në kreun VIII të
këtij ligji.
Neni 6
Organet e njësive të qeverisjes vendore
1. Në çdo komunë, bashki dhe qark, krijohen organet përfaqësuese dhe organet
ekzekutive të qeverisjes vendore.
2. Organi përfaqësues i komunës ose bashkisë është këshilli komunal ose bashkiak.
Organi ekzekutiv i komunës dhe bashkisë është kryetari i komunës dhe i bashkisë.
3. Organ përfaqësues i qarkut është këshilli i qarkut. Funksionet ekzekutive në qark
kryhen nga kryetari dhe kryesia e këshillit të qarkut.
4. Organet përfaqësuese dhe ekzekutive në komuna e bashki zgjidhen me zgjedhje të
përgjithshme, të drejtpërdrejta dhe me votim të fshehtë, sipas mënyrës së parashikuar në
Kodin Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë.
5. Organi përfaqësues i qarkut, krijohet me përfaqësues nga organet e zgjedhura të
komunave dhe bashkive që e përbëjnë atë, sipas mënyrës së përcaktuar në Kushtetutë dhe
në kreun IX të këtij ligji.
6. Kryetari dhe kryesia e këshillit të qarkut zgjidhen nga këshilli i qarkut, sipas mënyrës
së përcaktuar në kreun IX të këtij ligji.
KREU III
TË DREJTAT E NJËSIVE TË QEVERISJES VENDORE
Neni 7
Ushtrimi i autoritetit me interes publik vendor
1. Organet e njësive të qeverisjes vendore mund të ndërmarrin nisma me interes publik
vendor për çdo çështje që nuk u ndalohet me ligj ose që nuk i është dhënë ekskluzivisht
me ligj një organi tjetër shtetëror.
2. Organet e njësive të qeverisjes vendore ushtrojnë kompetencat e tyre nëpërmjet
vendimeve, urdhëresave dhe urdhrave.
Neni 8
Të drejtat e njësive të qeverisjes vendore
1. Njësitë e qeverisjes vendore gëzojnë këto të drejta:
I. E drejta e qeverisjes
a) Përcaktojnë masa që ato i gjykojnë të nevojshme për kryerjen e funksioneve dhe
ushtrimin e kompetencave.
b) Bazuar në Kushtetutë, në ligje dhe aktet nënligjore të nxjerra në bazë dhe për zbatim të
tyre për kryerjen e funksioneve dhe ushtrimin e kompetencave, nxjerrin urdhëresa,
vendime dhe urdhra që janë të detyrueshme për të gjitha subjektet e përfshira në akt, në
juridiksionin e tyre.
c) Krijojnë struktura administrative për kryerjen e funksioneve dhe ushtrimin e
kompetencave të tyre, sipas ligjeve në fuqi.
ç) Krijojnë njësi ekonomike e institucione në varësi të tyre.
d) Krijojnë komitete, borde ose komisione për kryerjen e funksioneve të veçanta sa herë
që paraqitet nevoja.
dh) Krijojnë nëndarje administrativo-territoriale brenda juridiksionit për rritjen e
efikasitetit në kryerjen e funksioneve të tyre qeverisëse, sipas mënyrës së përcaktuar në
këtë ligj.
II. E drejta e pronësisë
a) Njësitë e qeverisjes vendore, ushtrojnë të drejtën e pronësisë. Ato fitojnë, shesin dhe
japin në përdorim pronën e paluajtshme ose të luajtshme të tyre , si dhe ushtrojnë të drejta
të tjera sipas mënyrës së përcaktuar me ligj.
b) E drejta e fitimit të pronës nëpërmjet shpronësimeve për interes publik nga ana e
njësive të qeverisjes vendore rregullohet me ligj të veçantë.
c) E drejta e pronësisë ushtrohet nga këshilli përkatës, i cili nuk mund t’ia delegojë
ushtrimin e kësaj të drejte askujt tjetër.
III. E drejta e mbledhjes së të ardhurave dhe e bërjes së shpenzimeve
a) Krijojnë, mbledhin të ardhura dhe bëjnë shpenzime për përmbushjen e funksioneve të
tyre.
b) Vendosin taksa e tarifa për shërbimet si dhe nivelin e tyre në përputhje me
legjislacionin në fuqi dhe interesat e bashkësisë.
c) Hartojnë, miratojnë dhe zbatojnë buxhetin e tyre.
IV. E drejta e kryerjes së veprimtarive ekonomike
a) Për përmbushjen e funksioneve publike në interes të bashkësisë që përfaqësojnë,
ushtrojnë veprimtari ekonomike që nuk bie ndesh me orientimet themelore të politikave
ekonomike të shtetit.
b) Të ardhurat që përfitohen nga veprimtaria ekonomike përdoren, në pjesën më të
madhe, për mbështetjen dhe përmbushjen e funksioneve publike.
c) Veprimtaria ekonomike e njësive të qeverisjes vendore rregullohet në përputhje me
legjislacionin në fuqi.
V. E drejta e bashkëpunimit
a) Për kryerjen e shërbimeve specifike në emër dhe në dobi të bashkësive përkatëse, dy
ose më shumë njësi të qeverisjes vendore mund të ushtrojnë së bashku çdo funksion që u
është dhënë atyre me ligj, nëpërmjet zbatimit të marrëveshjeve ose kontratave të
përbashkëta, delegimit të kompetencave dhe përgjegjësive të veçanta njëra-tjetrës ose
kontraktimit me një palë të tretë.
b) Bashkëpunojnë me njësi të qeverisjes vendore të vendeve të tjera dhe përfaqësohen në
organizata ndërkombëtare të pushteteve vendore në përputhje me legjislacionin në fuqi.
c) Kanë të drejtë të organizohen në shoqata, në përputhje me legjislacionin përkatës për
shoqatat.
VI. E drejta e personit juridik
Si persona juridikë, njësitë e qeverisjes vendore gëzojnë dhe ushtrojnë të gjitha të drejtat
e përcaktuara në Kodin Civil të Republikës së Shqipërisë dhe në legjislacionin në fuqi:
a) të drejtën e lidhjes së kontratës;
b) të drejtën e krijimit të personave të tjerë juridikë;
c) të drejtën e ngritjes së padisë civile;
ç) të drejtën e mbajtjes së llogarive;
d) të drejta të tjera për ushtrimin e funksioneve në bazë dhe në zbatim të ligjeve dhe
akteve nënligjore.
VII. Të drejta të tjera
a) Japin tituj nderi dhe stimuj.
b) Vendosin emërtimet e territoreve, objekteve dhe institucioneve nën juridiksionin e
tyre, sipas kritereve të përcaktuara me ligj.
2. Njësitë e qeverisjes vendore kanë vulën dhe simbolet e tyre.
3. Të drejtat e mësipërme ushtrohen nga organet e njësive të qeverisjes vendore, sipas
përcaktimeve të bëra në këtë ligj.
KREU IV
FUNKSIONET DHE KOMPETENCAT E KOMUNËS,
BASHKISË DHE QARKUT
Neni 9
Tipet e funksioneve
Komuna, bashkia dhe qarku, kryejnë funksione të veta, të përbashkëta dhe funksione të
deleguara.
Neni 10
Funksionet e veta të komunës dhe bashkisë
1. Komuna dhe bashkia kanë kompetenca të plota administrative, shërbimi, investimi dhe
rregullatore për funksionet e veta të përcaktuara në këtë nen. Këto funksione ato i
ushtrojnë në përputhje me afatet e përcaktuara në kreun XI të këtij ligji.
2. Kompetencat për kryerjen e funksioneve të veta, komuna dhe bashkia i ushtrojnë duke
respektuar politikat kombëtare dhe rajonale. Për këto funksione, pushteti qendror mund të
vendosë standarde e norma specifike kombëtare me qëllim ruajtjen e interesave
kombëtarë. Këto standarde e norma nuk mund të cenojnë ose kufizojnë autonominë e
komunave dhe bashkive në çështje me interes vendor. Në rastet kur komunat dhe bashkitë
nuk zotërojnë fondet ose mjetet e mjaftueshme për arritjen e standardeve dhe normave
kombëtare, pushteti qendror u jep atyre mbështetjen e nevojshme.
3. Komunat dhe bashkitë ushtrojnë këto funksione të veta:
I. Në fushën e infrastrukturës dhe të shërbimeve publike:
a) furnizimi me ujë të pijshëm;
b) funksionimi i sistemit të kanalizimeve të ujërave të bardha, të ujërave të zeza dhe
kanaleve mbrojtëse të zonave të banuara;
c) ndërtimi, rehabilitimi dhe mirëmbajtja e rrugëve me karakter vendor, trotuareve dhe
shesheve publike;
ç) ndriçimi i mjediseve publike;
d) funksionimi i transportit publik urban;
dh) administrimi i varrezave dhe garantimi i shërbimit të varrimit;
e) shërbimi i dekorit;
ë) administrimi i parqeve, lulishteve dhe zonave të gjelbëruara publike;
f) grumbullimi, largimi dhe përpunimi i mbeturinave;
g) planifikimi urban, menaxhimi i tokës dhe strehimi sipas mënyrës së përcaktuar me ligj.
II. Shërbimet me karakter social, kulturor e sportiv:
a) Ruajtja dhe zhvillimi i vlerave kulturore dhe historike vendore, organizimi i
veprimtarive dhe administrimi i institucioneve përkatëse;
b) organizimi i veprimtarive sportive, çlodhëse e argëtuese dhe administrimi i
institucioneve përkatëse;
c) shërbimi social dhe administrimi i institucioneve si çerdhet, azilet, shtëpitë e fëmijëve,
etj.
III. Zhvillimi ekonomik vendor:
a) përgatitja e programeve të zhvillimit ekonomik vendor;
b) ngritja dhe funksionimi i tregjeve publike dhe i rrjetit të tregtisë;
c) zhvillimi i biznesit të vogël, si dhe zhvillimi i veprimtarive nxitëse si panaire e reklama
në vende publike;
ç) organizimi i shërbimeve në mbështetje të zhvillimit ekonomik vendor si informacioni,
struktura dhe infrastruktura e nevojshme;
d) shërbimi veterinar;
dh) ruajtja dhe zhvillimi i pyjeve, kullotave e burimeve natyrore me karakter vendor.
IV. Rendi dhe mbrojtja civile:
a) ruajtja e rendit publik për parandalimin e shkeljeve administrative dhe garantimi i
zbatimit të akteve të komunës ose bashkisë;
b) mbrojtja civile.
Neni 11
Funksionet e përbashkëta
1. Komuna dhe bashkia kryejnë secilin nga funksionet e mëposhtme, veçmas ose së
bashku me pushtetin qendror, në përputhje me afatet e përcaktuara në kreun XI të këtij
ligji.
2. Në rastet kur pushteti qendror i kërkon komunës ose bashkisë kryerjen e një funksioni
të përbashkët ose arritjen e një standardi kombëtar për realizimin e këtij funksioni, ai
siguron mbështetje të mjaftueshme financiare dhe materiale.
3. Komuna dhe bashkia kryejnë këto funksione të përbashkëta për:
a) arsimin parashkollor dhe parauniversitar;
b) sistemin e shërbimit parësor shëndetësor dhe mbrojtjen e shëndetit publik;
c) kujdesin social, zbutjen e varfërisë dhe garantimin e funksionimit të institucioneve
përkatëse;
ç) rendin publik dhe mbrojtjen civile;
d) mbrojtjen e mjedisit;
dh) funksione të tjera të përbashkëta, sipas mënyrës së përcaktuar me ligj.
4. Kompetencat e komunave dhe bashkive, për funksionet e parashikuara në këtë nen,
rregullohen në çdo rast me ligj. Raportet mes njësive të qeverisjes vendore dhe të
institucioneve qendrore për funksionet e parashikuara në këtë nen, rregullohen me ligj
ose me akte nënligjore.
Neni 12
Funksione dhe kompetenca të deleguara
1. Funksionet dhe kompetencat e deleguara janë të detyrueshme ose jo të detyrueshme.
2. Funksione dhe kompetenca të detyrueshme janë ato të përcaktuara me ligj.
3. Institucionet qendrore, kur lejohet me ligj, autorizojnë komunën, bashkinë ose qarkun
të kryejnë funksione të caktuara të institucioneve qendrore, duke përcaktuar procedurat e
kryerjes dhe të kontrollit për zbatimin e tyre.
4. Institucionet qendrore mund të autorizojnë komunën, bashkinë dhe qarkun të ushtrojnë
një kompetencë të vetme për një funksion të caktuar.
5. Komunës, bashkisë ose qarkut, mund t’u delegohen funksione dhe kompetenca të tjera
jo të detyrueshme, mbi bazën e një marrëveshjeje midis njësisë së qeverisjes vendore
përkatëse dhe institucionit qendror përgjegjës me ligj për këtë funksion ose kompetencë.
6. Në çdo rast institucionet qendrore u garantojnë njësive të qeverisjes vendore
mbështetjen e nevojshme financiare për ushtrimin e funksioneve dhe kompetencave të
deleguara.
7. Komuna, bashkia ose qarku, me nismën e tyre mund të përdorin burimet e veta
financiare për ushtrimin e funksioneve dhe kompetencave të deleguara, me synim
ngritjen në nivel më të lartë të shërbimit në interes të bashkësisë.
Neni 13
Funksionet e qarkut
1. Funksionet e veta të qarkut janë ndërtimi dhe zbatimi i politikave rajonale dhe
harmonizimi i tyre me politikat shtetërore në nivel qarku, si dhe çdo funksion tjetër i vet i
dhënë me ligj.
2. Qarku ushtron të gjitha funksionet që i delegohen nga një ose më shumë komuna e
bashki brenda territorit të tij, sipas një marrëveshjeje të lidhur midis palëve.
3. Qarku kryen dhe ushtron kompetencat e deleguara nga pushteti qendror, sipas
parimeve të parashikuara në nenin 12 të këtij ligji.
Neni 14
Bashkëpunimi ndërkomunal për kryerjen e funksioneve
1. Çdo njësi e qeverisjes vendore mund të ushtrojë të drejtën e bashkëpunimit
ndërkomunal, sipas nenit 8 të këtij ligji, duke përdorur një nga këto mënyra:
a) marrëveshjen për kryerjen së bashku të një ose disa funksioneve;
b) kontraktimin me një njësi tjetër të qeverisjes vendore për ushtrimin e një ose disa
funksioneve;
c) kontraktimin nga ana e disa njësive me një palë të tretë për ushtrimin e një ose disa
funksioneve.
2. Çdo marrëveshje duhet:
a) të përmbajë qëllimin dhe funksionet që do të ushtrohen;
b) të parashikojë mënyrën me anë të së cilës do të plotësohet qëllimi;
c) të përcaktojë shkallën dhe kohëzgjatjen e delegimit të kompetencave;
ç) të përcaktojë mënyrën dhe masën e ndihmesave dhe të ndarjes së të ardhurave dhe
përfitimeve të tjera.
3. Dy ose më shumë njësi të qeverisjes vendore, si dhe njësi të qeverisjes vendore me
organe të pushtetit qendror mund të lidhin marrëveshje të përbashkët për krijimin e një
personi juridik të ndarë nga palët, të cilit i japin autoritet dhe kompetenca të caktuara. Në
kuptimin e këtij ligji, ky person juridik quhet subjekt i kompetencave të përbashkëta. Për
secilën palë përcaktohet ndihmesa financiare, ndihmesa me shërbime, ndihmesa me
pajisje dhe me punonjës të kualifikuar ose çdo aset tjetër i nevojshëm për realizimin e
qëllimit.
4. Pas krijimit të tij subjekti i kompetencave të përbashkëta përgjegjës për administrimin
e marrëveshjes, brenda 30 ditësh nga data e krijimit dhe e nënshkrimit të marrëveshjes,
njofton zyrtarisht prefektin.
5. Njoftimi zyrtar duhet të përmbajë:
a) emrin e njësive të qeverisjes vendore që janë palë në marrëveshje;
b) datën e hyrjes në fuqi të marrëveshjes;
c) qëllimin e marrëveshjes dhe funksionin që do të ushtrohet;
ç) vendimet e këshillave të njësive të qeverisjes vendore të përfshira në marrëveshje në
lidhje me të;
d) ndihmesat e palëve.
6. Pas njoftimit zyrtar që i bëhet prefektit, marrëveshja bëhet e zbatueshme dhe subjekti i
kompetencave të përbashkëta merr fuqi ekzekutimi.
KREU V
FINANCAT E NJËSIVE TË QEVERISJES VENDORE
Neni 15
Parimet e financimit të njësive të qeverisjes vendore
1. Politikat kombëtare financiare garantojnë funksionimin e njësive të qeverisjes vendore
dhe bazohen në parimin e shumëllojshmërisë së burimeve të të ardhurave.
2. Njësitë e qeverisjes vendore financohen nga të ardhurat që sigurohen nga taksat, tarifat
dhe të ardhurat e tjera vendore, nga fondet e transferuara nga pushteti qendror dhe fondet
që u vijnë drejtpërdrejt atyre nga ndarja e taksave dhe tatimeve kombëtare.
3. Njësive të qeverisjes vendore u garantohet me ligj autoritet i mjaftueshëm për krijimin
e të ardhurave në mënyrë të pavarur.
4. Pushteti qendror u jep njësive të qeverisjes vendore fonde për përmbushjen e të gjitha
standardeve dhe kërkesave që ai vendos për funksionet dhe kompetencat e deleguara.
5. Çdo njësi e qeverisjes vendore miraton, zbaton dhe administron çdo vit buxhetin e vet
pa deficit dhe në përputhje me ligjin nr.8379, datë 29.7.1998 “Për hartimin dhe zbatimin
e Buxhetit të Shtetit të Republikës së Shqipërisë”.
Neni 16
Të ardhurat e veta të komunës dhe të bashkisë
1. Komuna dhe bashkia, krijojnë të ardhura nga:
a) taksat dhe tatimet vendore mbi pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme, si dhe mbi
transaksionet e kryera me to;
b) taksat dhe tatimet vendore mbi veprimtarinë ekonomike të biznesit të vogël, të
shërbimit hotelier, të restoranteve, bareve dhe të shërbimeve të tjera;
c) taksat dhe tatimet vendore mbi të ardhurat vetjake të krijuara nga dhurata, trashëgimi,
testamente ose llotari vendore;
ç) taksa ose tatime të tjera të përcaktuara me ligj.
2. Baza e taksave dhe tatimeve vendore, si dhe kufijtë maksimalë dhe/ose minimalë të
nivelit të tyre vendosen me ligj të veçantë. Komuna dhe bashkia kanë të drejtë të zbatojnë
ose jo një taksë ose tatim vendor të përcaktuar. Kur ato e zbatojnë tatimin ose taksën
vendore, ato ushtrojnë të drejtën e vendosjes së nivelit, si dhe të mënyrave të mbledhjes
dhe administrimit të tyre brenda kufijve dhe kritereve të përcaktuara në ligjin përkatës.
3. Komuna dhe bashkia krijojnë të ardhura nga tarifat vendore për:
a) shërbimet publike që ato ofrojnë;
b) të drejtën e përdorimit të pronave publike vendore;
c) dhënien e licencave, të lejeve, autorizimeve dhe për lëshimin e dokumenteve të tjera,
për të cilat ato kanë autoritet të plotë.
4. Komuna dhe bashkia vendosin vetë për nivelin, mënyrën e mbledhjes dhe të
administrimit të tarifave vendore, në përputhje me politikat dhe parimet e përgjithshme
kombëtare, të përcaktuara në aktet normative të pushtetit qendror.
5. Komuna dhe bashkia marrin hua për qëllime publike vendore, në përputhje me
mënyrat e përcaktuara me ligj.
6. Komuna dhe bashkia krijojnë të ardhura nga veprimtaritë e tyre ekonomike, qiratë dhe
shitja e pronave, dhuratat, interesat, gjobat, ndihmat ose donacionet.
Neni 17
Të ardhura nga burime kombëtare
1. Komuna dhe bashkia financohen nga këto burime kombëtare:
a) Taksat dhe tatimet e ndara, në të cilat përfshihen një pjesë e tatimit mbi të ardhurat
vetjake, si dhe një pjesë e tatimit mbi fitimin e subjekteve ekonomike. Të ardhurat vjetore
nga këto taksa e tatime u jepen komunave dhe bashkive në jo më pak se tri transferta në
vit. Pjesa e taksës dhe tatimit që shkon në favor të tyre, si dhe mbledhja e administrimi
përcaktohen me ligj për çdo taksë ose tatim të ndarë.
b) Transfertat e pakushtëzuara nga Buxheti i Shtetit, që jepen sipas kritereve të
përcaktuara me ligj, bazuar në funksionet dhe kompetencat e veta ose të përbashkëta të
komunave dhe bashkive, si dhe për arritjen e barazisë së burimeve mes njësive të
ndryshme të qeverisjes vendore në raport me mundësitë e tyre për të krijuar të ardhurat e
nevojshme.
c)Transfertat e kushtëzuara nga Buxheti i Shtetit.
2. Pushteti qendror, në bashkëpunim me komunat dhe bashkitë, në periudhën e hartimit të
projektbuxhetit analizon mjaftueshmërinë dhe stabilitetin e këtyre burimeve për arritjen e
qëllimeve të përcaktuara në këtë ligj.
Neni 18
Burimet e financimit të qarkut
1. Qarku krijon të ardhura nga burimet e veta vendore dhe nga ndarja e të ardhurave
kombëtare.
2. Të ardhurat nga burimet e veta vendore përbëhen nga:
a) transfertat e pakushtëzuara, përfshirë kutotat e anëtarësisë së komunave dhe bashkive
përbërëse, të përcaktuara në rregulloren dhe buxhetin vjetor të qarkut për kryerjen e
funksioneve të veta dhe të përbashkëta;
b) transfertat e kushtëzuara për kryerjen e funksioneve dhe kompetencave të deleguara
përkatëse nga bashkitë dhe komunat përbërëse;
c) taksa dhe tatime të vendosura në nivel qarku, të përcaktuara në përputhje me ligjin;
ç) tarifat për shërbimet publike të kryera nga qarku, si dhe nga burime të tjera të
përcaktuara në nenin 16 të këtij ligji.
3. Kriteret dhe normat për krijimin dhe administrimin e të ardhurave nga burimet e veta
vendore janë të ngjashme me ato të përcaktuara për të ardhurat nga burimet vendore të
komunave dhe bashkive.
4. Të ardhurat e qarkut nga ndarja e të ardhurave kombëtare, krijohen dhe administrohen
sipas mënyrës së përcaktuar në nenin 17 të këtij ligji.
Neni 19
Buxheti i njësive të qeverisjes vendore
1. Buxheti i çdo njësie të qeverisjes vendore përfshin të gjitha të ardhurat dhe të gjitha
shpenzimet së bashku me pagesat e huasë.
2. Transfertat e kushtëzuara, të cilat hyjnë në buxhetin e njësisë së qeverisjes vendore,
përdoren vetëm për qëllimin për të cilin janë dhënë në përputhje me rregullat e caktuara
nga pushteti qendror.
3. Çdo njësi e qeverisjes vendore ka autoritet të plotë për qëllimet dhe mënyrat e
përdorimit të fondeve buxhetore të saj, që nuk janë transferta të kushtëzuara. Kur këto
fonde nuk shpenzohen tërësisht gjatë vitit financiar në vazhdim, mbarten në buxhetin e
vitit financiar pasardhës.
4. Miratimi i buxhetit të ri dhe mbyllja e buxhetit të vitit të mëparshëm bëhet sipas
afateve të përcaktuara në ligjin nr.8379, datë 29.7.1998 “Për hartimin dhe zbatimin e
Buxhetit të Shtetit të Republikës së Shqipërisë”.
5. Buxheti i çdo njësie të qeverisjes vendore miratohet nga këshilli përkatës. Miratimi i
buxhetit dhe i bilancit të tij mbyllës, bëhen në afatet e përcaktuara në ligjin nr. 8379, datë
29.7.1998 “Për hartimin dhe zbatimin e Buxhetit të Shtetit të Republikës së Shqipërisë”.
6. Buxheti i njësive të qeverisjes vendore synon:
a) përdorimin me efektivitet të burimeve për kryerjen e funksioneve dhe ushtrimin e
kompetencave;
b) paraqitjen qartë të situatës financiare të çdo njësie të qeverisjes vendore;
c) dhënien e informacionit të nevojshëm, që u mundëson qytetarëve pjesëmarrjen në
vendimmarrje në lidhje me funksionet dhe kompetencat e ushtruara nga njësia e
qeverisjes vendore përkatëse.
7. Buxheti i njësive të qeverisjes vendore duhet të përmbajë:
a) pasqyrat e të ardhurave dhe të shpenzimeve buxhetore me treguesit si më poshtë:
i) të ardhurat e detajuara sipas klasifikimit në nenet 16, 17 dhe 18 të këtij ligji;
ii) shpenzimet e detajuara në përputhje me klasifikimin funksional dhe ekonomik;
iii) fondin rezervë jo më shumë se 3 për qind të shpenzimeve totale;
b) parashikimin e të ardhurave dhe shpenzimeve për dy vitet buxhetore pasardhëse;
c) parashikimin e shpenzimeve për investimet me informacionin e mëposhtëm:
i) qëllimin e investimit;
ii) planin e financimit, përfshirë mënyrat dhe burimet e financimit;
iii) shpenzimet vjetore që duhen për shlyerjen e kredisë, nëse përdoret, si dhe një
preventiv të shpenzimeve operative që lindin si pasojë e kryerjes së investimit.
8. Organi ekzekutiv i çdo njësie të qeverisjes vendore përgatit projektbuxhetin e vitit të ri
financiar, si dhe projektvendimin për mbylljen e buxhetit të vitit të mëparshëm dhe ia
paraqet për miratim këshillit në afatet e parashikuara në ligjin nr.8379, datë 29.7.1998
“Për hartimin dhe zbatimin e Buxhetit të Shtetit të Republikës së Shqipërisë”.
9. Ndryshimet gjatë zbatimit të buxhetit të pavarur në lidhje me transferimin dhe
rishpërndarjen e fondeve, si dhe me mënyrën e përdorimit të fondit rezervë, bëhen nga
këshilli përkatës, me propozim të kryetarit, në përputhje me kriteret e përcaktuara në
ligjin nr. 8379, datë 29.7.1998 “Për hartimin dhe zbatimin e Buxhetit të Shtetit të
Republikës së Shqipërisë” dhe aktet nënligjore përkatëse.
Neni 20
Ruajtja e dokumentacionit financiar
1. Çdo njësi e qeverisjes vendore merr masa për ruajtjen dhe administrimin e
dokumenteve financiare dhe është përgjegjëse për dëmtimin ose humbjen e tyre, në
përputhje me legjislacionin për arkivat.
2. Çdo njësi e qeverisjes vendore miraton rregulloren e brendshme për zbatimin e ligjit
për arkivat.
Neni 21
Kontrolli i brendshëm financiar
1. Çdo këshill i njësive të qeverisjes vendore krijon një komision financash, i cili vepron
gjatë gjithë periudhës së mandatit.
2. Komisioni i financave kontrollon të ardhurat dhe shpenzimet e kryera nga organi
ekzekutiv, në përputhje me buxhetin e miratuar nga këshilli. Organi ekzekutiv i njësisë së
qeverisjes vendore i raporton komisionit të financave rregullisht gjatë vitit dhe i dorëzon
atij dokumentacionin e kërkuar prej tij. Organi ekzekutiv dhe administrata e tij nuk mund
të bëjnë pjesë në këtë komision.
3. Komisioni i financave kontrollon të gjithë dokumentacionin kontabël dhe financiar. Ai
ka të drejtë të kërkojë auditim të jashtëm të llogarive të kryer nga ekspertë kontabël të
autorizuar.
Neni 22
Kontrolli i jashtëm financiar
1. Çdo njësi e qeverisjes vendore i nënshtrohet kontrollit të jashtëm financiar të Kontrollit
të Lartë të Shtetit për ligjshmërinë e përdorimit të burimeve financiare.
2. Çdo njësi e qeverisjes vendore i nënshtrohet kontrollit të jashtëm financiar nga ana e
organeve të pushtetit qendror, sipas mënyrës së parashikuar me ligj.
KREU VI
PËRBËRJA, KRIJIMI, MËNYRA E ORGANIZIMIT, KOMPETENCAT DHE
DETYRAT E KËSHILLIT KOMUNAL DHE BASHKIAK
Neni 23
Mënyra e zgjedhjes
Këshilli komunal dhe bashkiak përbëhen nga këshilltarë të zgjedhur sipas dispozitave të
përcaktuara në Kodin Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë.
Neni 24
Numri i anëtarëve të këshillit komunal dhe bashkiak
1. Numri i anëtarëve të këshillit komunal dhe bashkiak përcaktohet sipas numrit të
popullsisë si më poshtë:
Komunat dhe bashkitë deri në 5 000 banorë 13 anëtarë
” ” 5 000 – 10 000 banorë 15 anëtarë
” ” 10 000 – 20 000 banorë 17 anëtarë
” ” 20 000 – 50 000 banorë 25 anëtarë
” ” 50 000 – 100 000 banorë 35 anëtarë
“ “ 100 000 – 200 000 banorë 45 anëtarë
Bashkia e Tiranës 55 anëtarë
2. Në zbatim të këtij neni, prefekti përcakton numrin e anëtarëve të këshillit për çdo
komunë e bashki nën juridiksionin e tij, mbi bazën e numrit të banorëve sipas evidencave
të zyrave të gjendjes civile të datës 1 janar të vitit kur zhvillohen zgjedhjet.
Neni 25
Papajtueshmëria e funksionit të këshilltarit
1. Funksioni i këshilltarit është i papajtueshëm me:
a) funksionin e kryetarit, zëvendëskryetarit të komunës ose bashkisë;
b) funksionin e sekretarit të këshillit komunal ose bashkiak;
c) funksionin e nëpunësit të administratës së komunës ose bashkisë përkatëse;
ç) funksionin e deputetit.
2. Një person nuk mund të zgjidhet në të njëjtën kohë në më shumë se një këshill
komunal ose bashkiak.
3. Nuk mund të jenë anëtarë të të njëjtit këshill personat që janë me njëri-tjetrin
bashkëshortë, prindër e fëmijë, vëlla e motër, si dhe vjehrri e vjehrra me nusen dhe
dhëndërin.
Neni 26
Mbledhja e parë e këshillit komunal ose bashkiak
1. Këshilli komunal ose bashkiak zhvillon mbledhjen e tij të parë jo më vonë se 20 ditë
nga shpallja e rezultatit të zgjedhjes nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
2. Mbledhja e parë e këshillit thirret nga sekretari i këshillit komunal ose bashkiak. Në
mungesë të tij, nismën për thirrjen e mbledhjes së parë e merr prefekti.
3. Në rast se asnjë nga subjektet e sipërpërmendura nuk e ushtron këtë të drejtë brenda
afatit të parashikuar në pikën 1 të këtij neni, atëherë këshilli mblidhet vetë brenda 10
ditëve.
4. Mbledhja e parë e këshillit është e vlefshme kur në të marrin pjesë më shumë se
gjysma e anëtarëve të tij, të shpallur nga komisioni i zgjedhjeve për qeverisjen vendore.
Nëse nuk mblidhen më shumë se gjysma e anëtarëve të këshillit, mbledhja nuk zhvillohet
dhe ajo thirret tri ditë më vonë, por jo më shumë se tri herë. Në rastet kur edhe pas tri
herë thirrje nuk sigurohet pjesëmarrja e kërkuar, këshilli konsiderohet i shpërndarë.
5. Mbledhja e parë e këshillit, deri në zgjedhjen e kryetarit të tij, drejtohet nga këshilltari
më i vjetër në moshë.
6. Në mbledhjen e parë të këshillit komunal ose bashkiak:
a) zgjidhet komisioni i mandateve;
b) miratohen mandatet e anëtarëve të këshillit;
c) këshilltarët bëjnë betimin;
ç) zgjidhet kryetari dhe zëvendëskryetari i këshillit;
d) zgjidhen anëtarët që do të përfaqësojnë këshillin komunal ose bashkiak në këshillin e
qarkut dhe pajisen ata me mandatin e përfaqësimit.
7. Këshilli konstituohet pas vërtetimit të mandateve të më shumë se gjysmës së anëtarëve
të tij.
Neni 27
Mandati i këshilltarit
1. Mandati i jepet këshilltarit me vendim të këshillit.
2. Dhënia dhe heqja e mandatit bëhet me shumicën e votave të numrit të
përgjithshëm të anëtarëve të këshillit.
3. Këshilltari nuk voton për mandatin e tij.
4. Mandati i këshilltarit mbaron përpara afatit, me propozimin e komisionit të mandateve
kur:
a) ndryshon vendbanimin;
b) jep dorëheqjen;
c) krijohen kushte të papajtueshmërisë, të përcaktuara në nenin 25 të këtij ligji;
ç) mandati nga ana e tij është marrë në mënyrë të parregullt;
d) humbet zotësinë juridike për të vepruar me vendim gjykate;
dh) vdes;
e) nuk merr pjesë në mbledhjet e këshillit për një periudhë 6-mujore;
ë) dënohet për kryerjen e një vepre penale me vendim gjykate të formës së prerë;
f) këshilli shpërndahet nga organi kompetent.
Neni 28
Betimi
1. Pas verifikimit të mandateve nga komisioni përkatës, këshilltarët betohen përpara
këshillit me formulën e mëposhtme:
“Betohem, në emër të zgjedhësve që përfaqësoj, të mbroj Kushtetutën e Republikës së
Shqipërisë dhe ligjet e saj. Betohem se në të gjithë veprimtarinë time do të udhëhiqem
nga interesat e shtetasve të komunës ose bashkisë (emri i komunës ose bashkisë
përkatëse) dhe do të punoj me ndershmëri e përkushtim për zhvillimin dhe rritjen e
mirëqenies së tyre.”
2. Këshilltari që nuk pranon të bëjë dhe të nënshkruajë betimin, quhet se jep dorëheqjen
dhe atij nuk i jepet mandati.
Neni 29
Të drejtat e këshilltarit
1. Këshilltari nuk përgjigjet për mendime të shprehura, lidhur me çështje zyrtare gjatë
ushtrimit të detyrës.
2. Këshilltari shpërblehet për punën që kryen. Masa e shpërblimit vendoset nga këshilli
përkatës mbi bazën e kritereve të përcaktuara nga legjislacioni në fuqi.
3. Me kërkesën e tij, këshilltari informohet dhe i vihet në dispozicion në çdo kohë nga
administrata e komunës ose bashkisë përkatëse, çdo lloj dokumentacioni për njohje të
problemeve të juridiksionit të saj.
4. Këshilltari ka të drejtën e kualifikimit profesional, sipas programit të miratuar nga
këshilli. Financimi për këto raste bëhet sipas rregullave të legjislacionit në fuqi.
Neni 30
Konflikt interesi
1. Këshilltari nuk merr pjesë në shqyrtimin dhe miratimin e aktit të këshillit kur ai vetë
ose bashkëshorti, prindërit, fëmijët, vëllezërit, motrat, vjehrri, vjehrra, dhëndëri e nusja e
tij, kanë interes pasuror ose çdo interes tjetër me çështjen që diskutohet në këshill.
2. Në çdo rast konflikti interesash zbatohen dispozitat skualifikuese të parashikuara në
Kodin e Procedurave Administrative të Republikës së Shqipërisë.
Neni 31
Funksionimi i këshillit komunal ose bashkiak
1. Këshilli komunal dhe ai bashkiak ushtron funksionet e tij qysh nga krijimi, sipas nenit
26, deri në krijimin e këshillit të ri pasardhës.
2. Mbledhjet e radhës të këshillit komunal ose bashkiak zhvillohen si rregull, sipas
përcaktimit që bën vetë këshilli, por jo më pak se një herë në muaj.
3. Këshilli mblidhet jashtë radhe:
a) me kërkesën e kryetarit të komunës ose bashkisë;
b) me kërkesën e 1/3 së anëtarëve të tij;
c) me kërkesën e motivuar të prefektit për çështje që lidhen me ushtrimin e funksioneve
të tij.
4. Thirrja për mbledhjen e këshillit bëhet nga kryetari i këshillit dhe njoftimi për
mbledhjen bëhet, si rregull, jo më pak se 5 ditë para datës së zhvillimit të saj. Njoftimi
përmban datën e mbledhjes, orën, vendin dhe rendin e ditës.
5. Rendi i ditës miratohet nga këshilli.
6. Në periudhën nga data e zgjedhjeve e deri në konstituimin e këshillit të ri, këshilli i
mëparshëm komunal ose bashkiak ushtron funksione të kufizuara dhe merr vendime
vetëm në raste të situatave emergjente.
7. Mbledhja e këshillit komunal ose bashkiak quhet e vlefshme kur në të merr pjesë
shumica e të gjithë anëtarëve të këshillit, me përjashtim të rasteve kur kërkohet një
shumicë tjetër për marrjen e vendimeve, sipas përcaktimeve në nenin 33 të këtij ligji.
8. Kur këshilli nuk mblidhet për shkak të mungesës së anëtarëve të tij gjatë tre muajve,
duke filluar nga data e mbledhjes së fundit të tij, këshilli quhet i vetëshpërndarë.
Vetëshpërndarja pasohet me zgjedhje të reja për këshillin përkatës dhe sekretari i këshillit
komunal ose bashkiak, brenda 10 ditëve nga përfundimi i afatit 3-mujor, njofton
prefektin.
9. Mbledhjet e këshillit fiksohen në procesverbalin e mbledhjes. Mënyra e mbajtjes së
procesverbalit dhe e vërtetimit të tij, përcaktohen në rregulloren e brendshme të
funksionimit të këshillit.
Neni 32
Detyrat dhe kompetencat e këshillit komunal ose bashkiak
Këshilli komunal ose bashkiak ka këto detyra dhe kompetenca:
a) Miraton statutin e komunës ose të bashkisë, si dhe rregulloren e brendshme të
funksionimit të vet.
b) Zgjedh dhe shkarkon kryetarin dhe zëvendëskryetarin e këshillit.
c) Emëron dhe shkarkon sekretarin e këshillit komunal ose bashkiak.
ç) Miraton strukturën organizative dhe rregulloret bazë të administratës së komunës ose
të bashkisë, të njësive e institucioneve buxhetore në varësi të komunës ose të bashkisë, si
dhe numrin e personelit të tyre, kërkesat për kualifikimin, pagat dhe mënyrat e
shpërblimit të punonjësve dhe të personave të tjerë të zgjedhur ose të emëruar në
përputhje me legjislacionin në fuqi.
d) Miraton aktet e themelimit të ndërmarrjeve, shoqërive tregtare, si dhe të personave të
tjerë juridikë që krijon vetë ose është bashkëthemelues.
dh) Miraton buxhetin dhe ndryshimet e tij.
e) Miraton tjetërsimin ose dhënien në përdorim të pronave të tretëve.
ë) Organizon dhe mbikëqyr kontrollin e brendshëm të komunës ose bashkisë.
f) Vendos për taksat e tarifat vendore, si dhe nivelin e tyre.
g) Vendos për marrjen e kredive dhe shlyerjen e detyrimeve ndaj të tretëve.
gj) Vendos për krijimin e institucioneve të përbashkëta me njësi të tjera të qeverisjes
vendore, përfshi subjektin e kompetencave të përbashkëta ose me persona të tretë.
h) Vendos për fillimin e procedurave gjyqësore për çështje të kompetencës së vet.
i) Zgjedh përfaqësuesit e këshillit komunal ose bashkiak në këshillin e qarkut.
j) Vendos për dhënien ose heqjen e mandatit të këshilltarit.
k) Miraton norma, standarde e kritere për rregullimin dhe disiplinimin e funksioneve që i
janë dhënë atij me ligj, si dhe për mbrojtjen dhe garantimin e interesit publik.
l) Vendos për simbolet e komunës ose të bashkisë.
ll) Vendos për emërtimin e rrugëve, të shesheve, të territoreve, të institucioneve dhe të
objekteve në juridiksionin e komunës ose të bashkisë.
m) Jep tituj nderi dhe stimuj.
n) Vendos për rregullat, procedurat dhe mënyrat e realizimit të funksioneve të deleguara,
në bazë dhe për zbatim të ligjit me të cilin bëhet ky delegim te komuna ose bashkia.
Neni 33
Votimi
1. Votimi në këshill bëhet i hapur ose i fshehtë. Këshilli vendos për rastet kur votimi
bëhet i fshehtë. Aktet me karakter individual miratohen kurdoherë me votim të fshehtë.
2. Vendimet e këshillit merren me shumicën e votave të anëtarëve të pranishëm në
mbledhje.
3. Vendimet merren me shumicën e votave të numrit të përgjithshëm të anëtarëve të
këshillit për rastet e parashikuara në nenin 32 shkronjat “b”, “c”, “d”, “dh”, “g”, “gj”, “i”
dhe “j” të këtij ligji.
4. Vendimet merren me tre të pestat të numrit të përgjithshëm të anëtarëve të këshillit për
rastet e parashikuara në nenin 32 shkronjat “e”dhe “f” të këtij ligji.
5. Në rastet e votimit për kryetarin, zëvendëskryetarin dhe sekretarin e këshillit, kur nuk
sigurohet shumica e kërkuar, votimi ribëhet midis dy kandidatëve, që në raundin e parë
kanë fituar numrin më të madh të votave.
6. Aktet e këshillit shpallen brenda 10 ditëve nga data e miratimit të tyre dhe hyjnë në
fuqi 10 ditë pas shpalljes. Aktet me karakter individual hyjnë në fuqi në datën e njoftimit
të tyre subjekteve që përfshihen në to.
Neni 34
Mbledhjet e hapura
1. Mbledhjet e këshillit janë të hapura për publikun. Çdo qytetar lejohet të ndjekë
mbledhjet e këshillit, sipas mënyrës së përcaktuar në rregulloren e këshillit.
2. Njoftimi për mbledhjen e këshillit bëhet publik në vende të caktuara nga këshilli dhe
në media. Njoftimi përmban datën, vendin, orën dhe rendin e ditës së mbledhjes.
3. Këshilli, me shumicën e votave të numrit të përgjithshëm të anëtarëve, vendos për
rastet kur mbledhja bëhet e mbyllur.
Neni 35
Seancat e këshillimeve me bashkësinë dhe e drejta e publikut për t’u informuar
1. Këshilli komunal ose bashkiak, përpara shqyrtimit dhe miratimit të akteve, zhvillon
seanca këshillimi me bashkësinë. Seancat e këshillimit janë të detyrueshme për rastet e
parashikuara në nenin 32 shkronjat “dh”, “e”, “f” dhe “k” të këtij ligji.
2. Këshillimi me bashkësinë, në çdo rast, bëhet sipas mënyrës së përcaktuar në
rregulloren e këshillit, duke përdorur një nga format e nevojshme si takimet e hapura me
banorët, takime me specialistë, me institucione të interesuara dhe organizata joqeveritare
ose nëpërmjet marrjes së nismës për organizimin e referendumeve vendore.
3. Aktet e këshillit afishohen, në vende publike të caktuara nga këshilli, brenda territorit
të komunës ose bashkisë dhe, sipas mundësive, këshilli cakton edhe forma të tjera të
publikimit të tyre. Informimi i publikut në çdo komunë e bashki bëhet në përputhje me
ligjin nr.8503, datë 30.6.1999 “Për të drejtën e informimit për dokumentet zyrtare” dhe
rregullat e përcaktuara nga vetë këshilli përkatës për këtë qëllim.
Neni 36
Kryetari i këshillit komunal ose bashkiak
1. Kryetari dhe zëvendëskryetari i këshillit komunal ose bashkiak, zgjidhen nga radhët e
anëtarëve të këshillit. Propozimi për shkarkimin e tyre bëhet nga të paktën një e treta e
anëtarëve të këshillit.
2. Kryetari i këshillit kryen këto detyra:
a) thërret mbledhjen e këshillit në përputhje me nenin 31 të këtij ligji;
b) drejton mbledhjet e këshillit në përputhje me rregulloren e tij;
c) nënshkruan aktet që nxjerr këshilli;
ç) kryen detyra të tjera të përcaktuara në rregulloren e këshillit.
3. Në mungesë të kryetarit të këshillit, detyrat e tij i kryen zëvendëskryetari.
Neni 37
Sekretari i këshillit komunal ose bashkiak
1. Sekretari i këshillit emërohet dhe shkarkohet nga këshilli komunal ose bashkiak, mbi
bazën e propozimit të kryetarit të këshillit, me shumicën e votave të numrit të
përgjithshëm të anëtarëve. Shkarkimi i sekretarit mund të propozohet edhe nga 1/3 e
anëtarëve të këshillit.
2. Sekretari i këshillit komunal ose bashkiak është përgjegjës për:
a) mbajtjen e dokumenteve zyrtare të këshillit;
b) ndjekjen e punës për përgatitjen e materialeve të mbledhjeve sipas rendit të ditës;
c) njoftimin për zhvillimin e mbledhjeve të këshillit;
ç) shpalljen dhe publikimin e njoftimeve dhe akteve të nxjerra nga këshilli komunal ose
bashkiak;
d) përgatitjen e seancave të këshillimit me bashkësinë;
dh) mbikëqyrjen e respektimit të rregullores së funksionimit të këshillit.
3. Sekretari i këshillit komunal ose bashkiak kryen çdo funksion tjetër që i caktohet nga
vetë këshilli.
Neni 38
Shpërndarja e parakohshme e këshillit komunal ose bashkiak
1. Këshilli komunal ose bashkiak shpërndahet para kohe me vendim të Këshillit të
Ministrave kur:
a) nuk mblidhet për një periudhë të vazhdueshme tremujore;
b) nuk arrin të marrë vendim për miratimin e buxhetit brenda tre muajve nga data e
përcaktuar në nenin 19 të këtij ligji;
c) kryen shkelje të rënda të Kushtetutës ose ligjeve.
2. Këshilli komunal ose bashkiak shpërndahet edhe kur bëhet riorganizim me ndryshim
kufijsh, sipas nenit 70 të këtij ligji.
3. Në rast të lënies në fuqi të vendimit të shpërndarjes nga organi kompetent, në komunën
ose bashkinë përkatëse organizohen zgjedhjet për këshillin, në përputhje me Kodin
Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë.
KREU VII
KRYETARI I KOMUNËS OSE BASHKISË
Neni 39
Kryetari i komunës ose bashkisë
1. Çdo komunë ose bashki ka kryetarin e saj të zgjedhur çdo tre vjet në zgjedhje të
përgjithshme, të drejtpërdrejta dhe me votim të fshehtë, sipas mënyrës së parashikuar në
Kodin Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë.
2. Kryetari i komunës ose bashkisë, në kryerjen e funksioneve dhe ushtrimin e
kompetencave të tij, ndihmohet nga një ose më shumë zëvendëskryetarë. Numri i
zëvendëskryetarëve caktohet nga këshilli komunal ose bashkiak. Emërimi dhe shkarkimi
i tyre bëhet nga kryetari i komunës ose bashkisë.
Neni 40
Mandati i kryetarit të komunës ose bashkisë
1. Mandati i kryetarit të komunës ose bashkisë vërtetohet nga gjykata në juridiksionin e
së cilës përfshihet komuna ose bashkia përkatëse, brenda 20 ditëve nga data e shpalljes së
rezultatit të zgjedhjes së tij.
2. Deklarimi i pavlefshmërisë së mandatit të kryetarit bëhet kur vërehet se nuk plotësohen
kushtet sipas nenit 45 të Kushtetutës dhe nenit 10 të Kodit Zgjedhor të Republikës së
Shqipërisë.
3. Shpallja e vlefshmërisë së mandatit të kryetarit të komunës ose bashkisë bëhet në
mbledhjen më të parë të këshillit komunal ose bashkiak përkatës, ku kryetari bën betimin
sipas formulës së përcaktuar në nenin 28 të këtij ligji dhe e nënshkruan atë.
4. Ushtrimi i mandatit të kryetarit të komunës ose bashkisë fillon në çastin kur bën
betimin dhe përfundon kur bën betimin kryetari pasardhës.
5. Në rast se këshilli bashkiak ose komunal nuk mblidhet brenda 30 ditëve nga data e
shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, prefekti
organizon ceremoninë e betimit të kryetarit të bashkisë ose komunës në mjedisin e
bashkisë ose komunës dhe në praninë e banorëve të njësisë përkatëse.
Neni 41
Përfundimi para kohe i mandatit të kryetarit të komunës ose bashkisë
1. Mandati i kryetarit të komunës ose bashkisë përfundon përpara afatit në rastet kur
kryetari:
a) nuk pranon të bëjë betimin;
b) jep dorëheqjen;
c) nuk është më banor i përhershëm i komunës ose bashkisë, ku është zgjedhur;
ç) shkarkohet nga organi kompetent, sipas nenit 42 të këtij ligji;
d) kandidon ose zgjidhet deputet;
dh) humbet zotësinë juridike për të vepruar me vendim gjykate të formës së prerë;
e) vdes.
2. Kryetari i komunës ose bashkisë në rastet e dorëheqjes e depoziton atë pranë këshillit
komunal ose bashkiak përkatës. Sekretari i këshillit, për ndjekjen e procedurave të
nevojshme, njofton prefektin për dorëheqjen e kryetarit.
3. Për rastet e përfundimit të mandatit të kryetarit përpara afatit, këshilli komunal ose
bashkiak, njofton Këshillin e Ministrave nëpërmjet prefektit.
4. Në rastet e përfundimit të parakohshëm të mandatit, organizohen zgjedhjet për
kryetarin e komunës ose bashkisë në përputhje me dispozitat e Kodit Zgjedhor të
Republikës së Shqipërisë.
5. Me përfundimin para kohe të mandatit të kryetarit të komunës ose bashkisë sipas këtij
neni, deri në zgjedhjen e kryetarit të ri, funksionet e tij i kryen zëvendëskryetari i
komunës ose bashkisë. Në rastet kur ka më shumë se një zëvendëskryetar komune ose
bashkie, këshilli përkatës, me shumicën e votave të numrit të përgjithshëm të anëtarëve të
tij, cakton një nga zëvendëskryetarët të kryejë funksionet e kryetarit deri në zgjedhjen e
kryetarit të ri.
6. Në rastin kur vendi i kryetarit të komunës ose bashkisë mbetet vakant gjatë 6 muajve të
fundit të mandatit të tij, këshilli përkatës zgjedh nga radhët e veta një kryetar të ri me
shumicën e votave të numrit të përgjithshëm të anëtarëve të tij, i cili ushtron funksionet
deri në përfundim të mandatit.
Neni 42
Shkarkimi i kryetarit të komunës ose bashkisë
Kryetari i komunës ose bashkisë shkarkohet me vendim të Këshillit të Ministrave në
rastet kur:
a) kryen shkelje të rënda të Kushtetutës ose të ligjeve;
b) dënohet për kryerjen e një vepre penale me vendim të formës së prerë nga gjykata;
c) propozohet për shkarkim nga këshilli komunal ose bashkiak përkatës për mosparaqitje
në detyrë për një periudhë 3-mujore të pandërprerë.
Neni 43
Simboli i kryetarit të komunës dhe bashkisë
1. Simboli dallues i kryetarit të komunës dhe bashkisë është një shirit me ngjyrat e
flamurit kombëtar, me gjerësi 111 mm, i ndarë në tre sektorë me gjerësi të njëjtë, i kuq – i
zi- i kuq.
2. Simboli dallues vendoset krahëqafë, nga supi i djathtë në ijen e majtë.
3. Kryetari mban detyrimisht këtë shirit në mbledhjet solemne, pritjet zyrtare, ceremonitë
publike dhe në ceremonitë e lidhjes së martesave.
Neni 44
Kompetencat dhe detyrat e kryetarit të komunës ose të bashkisë
Kryetari i komunës ose bashkisë:
a) ushtron të gjitha kompetencat në kryerjen e funksioneve të komunës ose bashkisë, me
përjashtim të atyre që janë kompetencë vetëm e këshillit përkatës;
b) zbaton aktet e këshillit;
c) merr masa për përgatitjen e materialeve të mbledhjeve për këshillin komunal ose
bashkiak, në përputhje me rendin e ditës të përcaktuar nga këshilli, si dhe për probleme
që kërkon ai vetë;
ç) raporton në këshill për gjendjen ekonomiko-financiare të paktën çdo 6 muaj ose më
shpesh, sa herë kërkohet nga këshilli;
d) raporton para këshillit sa herë kërkohet prej tij për probleme të tjera që kanë të bëjnë
me funksionet e komunës ose të bashkisë;
dh) është anëtar i këshillit të qarkut;
e) emëron dhe shkarkon zëvendëskryetarin/zëvendëskryetarët e komunës ose të bashkisë;
ë) emëron dhe shkarkon drejtuesit e ndërmarrjeve dhe institucioneve në varësi.
f) emëron dhe shkarkon punonjësit e tjerë jodrejtues të strukturave dhe njësive në varësi
të komunës ose bashkisë, përveç kur parashikohet ndryshe në ligjin nr.8549, datë
11.11.1999 “Statusi i nëpunësit civil”;
g) ushtron të drejtat dhe siguron plotësimin e të gjitha detyrimeve që i janë
ngarkuar komunës ose bashkisë si person juridik;
gj) merr masa për kualifikimin dhe trajnimin e personelit të administratës, të
institucioneve arsimore, sociale, kulturore e sportive;
h) kthen për rishqyrtim jo më shumë se një herë në këshill vendime, kur vëren se ato
cenojnë interesa të bashkësisë.
KREU VIII
DREJTIMI I NËNDARJEVE TERRITORIALE TË KOMUNËS, BASHKISË DHE
QARKUT
Neni 45
Krijimi i nëndarjeve të komunës
1. Fshati drejtohet nga kryetari dhe kryesia e fshatit. Kryesia është organ këshillimor i
kryetarit. Anëtarët e kryesisë së fshatit zgjidhen në mbledhje të fshatit, ku marrin pjesë jo
më pak se gjysma e banorëve me të drejtë vote. Në rastet kur fshati përbëhet nga disa
lagje, secila nga ato zgjedh një anëtar kryesie. Mënyrat dhe rregullat e votimit
përcaktohen nga këshilli komunal përkatës.
2. Numri i anëtarëve të kryesisë së fshatit përcaktohet nga këshilli komunal ose bashkiak
(kur në përbërje të këtij të fundit ka fshatra) mbi bazën e numrit të banorëve të fshatit dhe
lagjeve përbërëse të tij.
3. Kryetari i fshatit zgjidhet nga radhët e kryesisë së fshatit me votim të fshehtë me jo më
pak se dy kandidatura.
4. Zgjedhjet e kryesisë dhe të kryetarit të fshatit bëhen një herë në tre vjet pas zgjedhjeve
për këshillin komunal dhe jo më vonë se gjashtë muaj pas këtyre zgjedhjeve.
5. Në rastet e krijimit të vendit vakant për kryetarin e fshatit ose për anëtar të kryesisë
zhvillohen procedurat e mësipërme të zgjedhjes për vendin vakant. Mandati i të
zgjedhurit të ri vazhdon deri në përfundim të periudhës së mbetur të afatit trevjeçar.
6. Procesi i zgjedhjes dhe veprimtaria e kryesisë dhe kryetarit të fshatit, mbikëqyret nga
këshilli komunal ose bashkiak përkatës.
Neni 46
Detyrat dhe të drejtat e kryetarit dhe të kryesisë së fshatit
1. Kryetari dhe kryesia e fshatit kryejnë dhe mbështesin funksionet qeverisëse të
komunës ose bashkisë në fshatin e tyre, si dhe kujdesen për zhvillimin ekonomik, për
përdorimin e burimeve të përbashkëta dhe sigurimin e harmonisë sociale.
2. Detyrat më të hollësishme të tyre përcaktohen në rregulloret dhe urdhëresat e këshillit
komunal ose bashkiak.
3. Kryetari pajiset me vulë dhe ka autoritetin të lëshojë vërtetime për fakte e të dhëna për
banorët ose territorin e fshatit të tij, për të cilat ai është në dijeni, sa herë që kjo kërkohet
nga komuna ose bashkia, nga vetë banorët, ose nga çdo institucion tjetër në përputhje me
ligjin.
4. Urdhëresat, vendimet dhe urdhrat e organeve të zgjedhura të komunës ose bashkisë
përkatëse janë të detyrueshme për zbatim nga kryetari dhe kryesia e fshatit.
5. Kryetari i fshatit shpërblehet për punën që kryen sipas kritereve të përcaktuara nga
këshilli komunal ose bashkiak.
6. Kryetari i fshatit thirret në mbledhjet e këshillit komunal ose bashkiak ose merr pjesë
në to me nismën e tij pa të drejtë vote. Ai ka të drejtë të shprehë mendimin e tij në
mbledhje për çështje që janë të lidhura me fshatin përkatës.
Neni 47
Funksionimi i nëndarjeve të bashkisë
1. Në lagjet e bashkive funksionon aparati administrativ. Struktura dhe numri i
punonjësve të administratës së lagjes caktohet nga këshilli bashkiak. Në krye të aparatit
administrativ të lagjes është administratori i cili është nëpunës civil me epror të
drejtpërdrejtë kryetarin e bashkisë. Trajtimi i punonjësve të tjerë të aparatit administrativ
të lagjes i nënshtrohen ligjit nr.8549, datë 11.11.1999 “Statusi i nëpunësit civil”.
2. Administrata e lagjes kryen të gjitha detyrat administrative të ngarkuara nga kryetari i
bashkisë dhe këshilli, si dhe kujdeset për zhvillimin ekonomik, për përdorimin e
burimeve të përbashkëta dhe sigurimin e harmonisë sociale në lagjen përkatëse. Detyrat e
saj më të hollësishme përcaktohen në aktet e nxjerra nga këshilli bashkiak dhe kryetari i
bashkisë.
Neni 48
Struktura administrative në rreth
Në rreth funksionojnë njësi të strukturave të administratës shtetërore, të përcaktuara nga
institucionet përkatëse qendrore, si dhe njësi të strukturave administrative të qarkut, sipas
përcaktimeve që bën këshilli i qarkut.
KREU IX
PËRBËRJA, KRIJIMI, MËNYRA E ORGANIZIMIT DHE KOMPETENCAT
E KËSHILLIT TË QARKUT
Neni 49
Përbërja e këshillit të qarkut
1. Këshilli i qarkut përbëhet nga përfaqësues të komunave dhe bashkive që bëjnë pjesë në
qark.
2. Kryetarët e komunave dhe të bashkive, që bëjnë pjesë në qark, janë kurdoherë anëtarë
të këshillit të qarkut.
3. Numri i anëtarëve të këshillit të qarkut përcaktohet sipas nenit 50 të këtij ligji.
4. Funksioni i anëtarit të këshillit të qarkut është i papajtueshëm me çdo funksion në
administratën e qarkut.
Neni 50
Përcaktimi i numrit të anëtarëve të këshillit të qarkut
1. Numri i përfaqësuesve të komunave dhe bashkive në këshillin e qarkut caktohet në
përpjesëtim me numrin e popullsisë si më poshtë:
-Komunat e bashkitë me popullsi deri në 5 000 banorë 1 përfaqësues.
-komunat e bashkitë me “ 5 001 deri në 10 000 banorë 2 përfaqësues.
-komunat e bashkitë me “ 10 001 deri në 30 000 banorë 3 përfaqësues.
-komunat e bashkitë me “ 30 001 deri në 50 000 banorë 4 përfaqësues
-komunat e bashkitë me “ 50 001 deri në 100 000 banorë 5 përfaqësues.
-komunat e bashkitë me “ mbi 100 000 banorë 5 + nga një
përfaqësues shtesë për çdo 1 deri në 50 000 banorë mbi 100 000 banorë.
2. Në rastet kur komuna ose bashkia ka vetëm një përfaqësues, ky përfaqësim bëhet
drejtpërdrejt nga kryetari i komunës ose bashkisë. Në rastet kur komuna ose bashkia kanë
më shumë se një përfaqësues, përfaqësuesit e tjerë zgjidhen nga këshilli përkatës.
3. Prefekti përcakton numrin e përfaqësuesve të çdo komune e bashkie që përfshihen në
territorin e qarkut, duke u bazuar në të dhënat e numrit të popullsisë, sipas evidencave të
zyrave të gjendjes civile të datës 1 janar të vitit të zgjedhjeve.
4. Vendimet e këshillave komunale dhe bashkiake për përfaqësuesit e tyre në këshillin e
qarkut i dërgohen prefektit brenda 10 ditëve nga data e marrjes së tyre.
Neni 51
Mbledhja e parë e këshillit të qarkut
1. Këshilli i qarkut zhvillon mbledhjen e tij të parë jo më vonë se 50 ditë nga shpallja e
rezultatit të zgjedhjeve vendore.
2. Mbledhja e parë thirret nga kryetari i bashkisë, qendër e qarkut, ose nga një e treta e
anëtarëve të këshillit të qarkut. Njoftimi për mbledhjen e këshillit të qarkut i dërgohet me
shkrim të gjithë anëtarëve të këshillit të qarkut jo më vonë se 10 ditë para datës së
mbledhjes.
3. Mbledhja e parë e këshillit është e vlefshme kur në të marrin pjesë jo më pak se
gjysma e anëtarëve të tij.
4. Mbledhja e parë e këshillit, deri në zgjedhjen e kryetarit të këshillit të qarkut, drejtohet
nga kryetari i bashkisë, qendër e qarkut.
5. Në mbledhjen e tij të parë këshilli i qarkut:
a) zgjedh komisionin e mandateve, i cili verifikon mandatet e anëtarëve të këshillit;
b) vërteton mandatet e anëtarëve të këshillit;
c) zgjedh kryetarin, zëvendëskryetarin dhe kryesinë e këshillit të qarkut.
6. Këshilli i qarkut konstituohet pas vërtetimit të mandateve të jo më pak se gjysmës së
anëtarëve të tij.
7. Nëse nuk sigurohet pjesëmarrja e gjysmës së anëtarëve të këshillit të qarkut, mbledhja
anulohet dhe thirret çdo dhjetë ditë, derisa të sigurohet shumica e nevojshme.
8. Në rast se këshilli i qarkut nuk konstituohet deri 90 ditë pas shpalljes së
rezultatit të zgjedhjeve vendore, prefekti ushtron të gjitha funksionet dhe kompetencat e
këtij këshilli deri në çastin e konstituimit.
Neni 52
Mandati i këshilltarit të qarkut
1. Mandatin e këshilltarit të qarkut e fitojnë të gjithë kryetarët e komunave dhe të
bashkive përbërëse të tij, menjëherë me marrjen e mandatit përkatës.
2. Zgjedhja e anëtarëve të këshillit të qarkut përfaqësues nga radhët e këshillit komunal
ose bashkiak, në përputhje me nenin 26 të këtij ligji, bëhet me votim liste shumemërore
kandidatësh dhe shpallen fitues kandidati ose kandidatët që kanë marrë me shumë vota.
3. Anëtarit të këshillit të qarkut i mbaron mandati kur:
a) humbet mandatin si kryetar i komunës ose bashkisë;
b) mandati i anëtarit hiqet nga këshilli komunal ose bashkiak përkatës;
c) vërtetohet se mandati është fituar në mënyrë të paligjshme.
4. Në rastin e krijimit të vendit vakant, që lidhet me humbjen e mandatit të anëtarit të
këshillit të qarkut nga një anëtar i këshillit të një komune ose bashkie, ai zëvendësohet
nga këshilli komunal ose bashkiak përkatës.
5. Në rast se vendi vakant krijohet nga humbja e mandatit të anëtarit të këshillit të qarkut
nga një kryetar komune ose bashkie në 6 muajt e fundit të mandatit, vendin e tij e zë
kryetari i zgjedhur nga këshilli komunal ose bashkiak përkatës.
Neni 53
Funksionimi i këshillit të qarkut
1. Këshilli i qarkut ushtron kompetencat nga çasti i konstituimit të tij deri në konstituimin
e këshillit pasardhës.
2. Mbledhja e radhës e këshillit të qarkut bëhet jo më pak se një herë në tre muaj.
3. Mbledhjet zhvillohen sipas programit të punës që bën këshilli.
4. Këshilli i qarkut mblidhet jashtë radhe me kërkesë:
a) të kryetarit të tij;
b) të kryesisë së këshillit;
c) të një të tretës së anëtarëve të këshillit;
ç) të prefektit për çështje që lidhen me ushtrimin e funksioneve të tij.
5. Thirrja e mbledhjes së këshillit bëhet nga kryetari.
6. Njoftimi për mbledhjen e këshillit bëhet si rregull jo më pak se 10 ditë para datës së
zhvillimit të mbledhjes. Njoftimi përmban datën e mbledhjes, orën, vendin dhe rendin e
ditës.
7. Mbledhja e këshillit të qarkut quhet e vlefshme, kur në të merr pjesë shumica e të
gjithë anëtarëve të tij.
Neni 54
Detyrat dhe kompetencat e këshillit të qarkut
Këshilli i qarkut ushtron këto kompetenca dhe detyra:
a) miraton statutin e qarkut, si dhe rregulloren e brendshme të funksionimit të vet;
b) vendos për nivelin e ndihmesave financiare të detyrueshme të çdo komune dhe bashkie
përbërëse në buxhetin e qarkut;
c) zgjedh dhe shkarkon nga anëtarët e këshillit kryetarin, zëvendëskryetarin dhe anëtarët
e kryesisë;
ç) emëron dhe shkarkon sekretarin e këshillit të qarkut;
d) miraton strukturën organizative dhe rregulloret bazë të administratës së qarkut, të
njësive e institucioneve buxhetore në varësi të qarkut, si dhe numrin e personelit të tyre,
kërkesat për kualifikim, pagat dhe mënyrat e shpërblimit të punonjësve dhe të personave
të tjerë të zgjedhur ose të emëruar në përputhje me legjislacionin në fuqi;
dh) miraton aktet e themelimit të ndërmarrjeve, shoqërive tregtare, si dhe të personave të
tjerë juridikë që krijon vetë ose është bashkëthemelues;
e) miraton buxhetin dhe ndryshimet e tij;
ë) miraton tjetërsimin ose dhënien në përdorim të pronave të tretëve;
f) organizon dhe mbikëqyr kontrollin e brendshëm;
g) vendos për taksat e tarifat në kompetencë të qarkut, si dhe për nivelin e tyre;
gj) vendos për marrjen e kredive dhe shlyerjen e detyrimeve ndaj të tretëve;
h) vendos për krijimin e institucioneve të përbashkëta me njësi të tjera të qeverisjes
vendore, përfshi subjektin e kompetencave të përbashkëta ose me persona të tretë;
i) emëron dhe shkarkon drejtuesit e ndërmarrjeve dhe institucioneve në varësi të tij;
j) vendos për fillimin e procedurave gjyqësore për çështje të kompetencës së vet;
k) vendos për vërtetimin dhe heqjen e mandatit të këshilltarit të qarkut;
l) miraton norma, standarde e kritere për rregullimin dhe disiplinimin e funksioneve që i
janë dhënë atij me ligj, si dhe për mbrojtjen dhe garantimin e interesit publik në nivel
qarku;
ll) vendos për simbolet e qarkut;
m) jep tituj nderi dhe stimuj;
n) vendos për rregullat, procedurat dhe mënyrat e realizimit të funksioneve të deleguara
në bazë dhe në zbatim të ligjit me të cilin bëhet ky delegim në qark;
nj) miraton ose shfuqizon vendimet e kryesisë së qarkut.
Neni 55
Votimi
1. Vendimet e këshillit të qarkut merren me shumicën e votave të anëtarëve të tij të
pranishëm në mbledhje, me përjashtim të rasteve të përcaktuara në nenin 54 shkronjat
“b”, “e”, “ë”,”g”, gj”, “ll” të këtij ligji, që kërkojnë votat e më shumë se gjysmës së
numrit të përgjithshëm të anëtarëve të këshillit.
2. Në rastet e votimit për kryetarin, zëvendëskryetarin dhe sekretarin e këshillit, kur nuk
sigurohet shumica e kërkuar, votimi ribëhet midis dy kandidatëve, që në raundin e parë
kanë fituar numrin më të madh të votave.
3. Vendimet e këshillit shpallen brenda 10 ditëve nga data e marrjes së tyre dhe hyjnë në
fuqi 10 ditë pas shpalljes. Vendimet me karakter individual hyjnë në fuqi në datën e
njoftimit të tyre subjekteve që përfshihen në to.
Neni 56
Mbledhjet e hapura, seancat e këshillimeve dhe e drejta
e publikut për t’u informuar
Këshilli i qarkut zhvillon mbledhje të hapura për publikun, zhvillon seanca këshillimi me
organet përfaqësuese dhe ekzekutive të komunave dhe bashkive dhe me bashkësitë
përkatëse, si dhe respekton të drejtën e publikut për t’u informuar sipas përcaktimeve në
nenet 34 dhe 35ë këtij ligji.
Neni 57
Konflikt interesi
1. Këshilltari i qarkut nuk merr pjesë në shqyrtimin dhe miratimin e aktit të këshillit kur
ai vetë ose bashkëshorti, prindërit, fëmijët, vëllezërit, motrat, vjehrri, vjehrra, dhëndri e
nusja e tij kanë interes pasuror ose çdo interes tjetër me çështjen që diskutohet në këshill.
2. Në çdo rast konflikti interesash, zbatohen dispozitat skualifikuese të parashikuara në
Kodin e Procedurave Administrative të Republikës së Shqipërisë.
Neni 58
Kryesia e këshillit të qarkut
1. Kryesia e këshillit të qarkut përbëhet nga kryetari, zëvendëskryetari dhe nga 5 deri në 9
anëtarë të tjerë.
2. Kryetari dhe zëvendëskryetari zgjidhen e shkarkohen me shumicën e votave të
anëtarëve të pranishëm në mbledhje. Kur nuk arrihet shumica e kërkuar, kalohet në
rivotim ndërmjet dy kandidatëve që kanë fituar numrin më të madh të votave në raundin e
parë.
3. Anëtarët e tjerë të kryesisë së këshillit të qarkut zgjidhen dhe shkarkohen me
votim, me listë shumemërore kandidatësh dhe shpallen fitues kandidatët që kanë marrë
më shumë vota.
4. Kryesia e këshillit të qarkut thirret në mbledhje nga kryetari, jo më pak se një
herë në muaj .
5. Mbledhjet e kryesisë janë të vlefshme kur marrin pjesë më shumë se gjysma e
anëtarëve.
6. Funksionet e kryetarit, zëvendëskryetarit dhe sekretarit të këshillit të qarkut janë të
papajtueshme me funksionin e kryetarit të komunës ose bashkisë.
Neni 59
Kompetencat e kryesisë së këshillit të qarkut
1. Kryesia e këshillit të qarkut për realizimin e funksioneve të qarkut dhe në zbatim të
vendimeve të këshillit të tij:
a) ushtron të gjitha kompetencat, me përjashtim të atyre që i janë dhënë shprehimisht
këshillit të qarkut;
b) miraton projektaktet dhe materialet e tjera për mbledhjen e këshillit të qarkut, në
përputhje me rendin e ditës të përcaktuar nga këshilli, si dhe për probleme që kërkon ajo
vetë;
c) raporton në këshill për gjendjen ekonomiko-financiare të paktën çdo 6 muaj ose më
shpesh, sa herë kërkohet nga këshilli;
ç) raporton në këshill sa herë kërkohet prej tij për probleme të tjera që kanë të bëjnë me
funksionet e qarkut;
d) ushtron të drejtat dhe siguron plotësimin e të gjitha detyrimeve që i janë ngarkuar
qarkut si person juridik.
2. Në ushtrimin e kompetencave të saj, kryesia e këshillit të qarkut nxjerr vendime, të
cilat miratohen nga shumica e anëtarëve të pranishëm. Vendimet marrin fuqi detyruese
për t’u zbatuar nga të gjitha organet dhe personat e ngarkuar, pasi shpallen publikisht ose
u bëhen të njohura subjekteve të interesuara.
3. Vendimet e kryesisë duhet të miratohen në mbledhjen më të afërt të këshillit të qarkut
dhe në rast se nuk miratohen, e humbasin fuqinë e tyre që nga fillimi.
Neni 60
Kryetari i këshillit të qarkut
1. Kryetari i këshillit të qarkut, përfaqëson këshillin e qarkut në marrëdhënie me organe
shtetërore, me organet e njësive të qeverisjes vendore, me persona fizikë dhe juridikë
vendas ose të huaj, si dhe ushtron këto kompetenca:
a) kryeson mbledhjet e këshillit të qarkut dhe të kryesisë së tij;
b) nënshkruan të gjitha aktet e këshillit dhe të kryesisë së këshillit, si dhe procesverbalet e
mbledhjeve të këshillit dhe të kryesisë;
c) siguron zbatimin e vendimeve të këshillit të qarkut dhe të kryesisë së tij;
ç) në përputhje me tematikën e mbledhjeve të këshillit të qarkut dhe të kryesisë përgatit
raportet, projektvendimet dhe materialet e tjera të nevojshme;
d) drejton administratën e këshillit të qarkut dhe përgjigjet para këshillit për funksionimin
e saj;
dh) emëron dhe shkarkon personelin e administratës së këshillit të qarkut, përveç rasteve
të parashikuara ndryshe në ligjin nr.8549, datë 11.11.1999 “Statusi i nëpunësit civil”;
e) garanton kryerjen e funksioneve që i janë dhënë me ligj këshillit të qarkut;
ë) merr masa dhe siguron funksionim normal të të gjitha strukturave të këshillit, të
mbledhjeve të këshillit dhe të kryesisë së tij;
f) ushtron kompetenca të tjera që i ngarkohen atij me ligj, nga këshilli i qarkut ose nga
kryesia e tij.
2. Në ushtrimin e kompetencave të tij, kryetari i këshillit të qarkut nxjerr urdhra me
karakter individual.
3. Në mungesë të kryetarit, funksionet e tij kryhen nga zëvendëskryetari.
Neni 61
Sekretari i këshillit të qarkut
Sekretari i këshillit të qarkut kryen detyrat e tij njëlloj me ato të sekretarit të këshillit
komunal ose bashkiak, të përcaktuara në nenin 37 të këtij ligji.
Neni 62
Kufizimi i autoritetit të qarkut
1. Vendimet e organeve të qarkut nuk mund të cenojnë autonominë e komunave dhe
bashkive përbërëse.
2. Vendimet e organeve të qarkut duhet të synojnë shpërndarjen sa më të drejtë të
burimeve dhe përfitimeve në favor të komunave dhe bashkive përbërëse.
KREU X
RIORGANIZIMI I ADMINISTRATIVO-TERRITORIAL I PUSHTETIT VENDOR
Neni 63
Riorganizimi administrativo-territorial
Ndarja administrativo-territoriale në fuqi mund të riorganizohet me ose pa ndryshim
kufijsh ekzistues të njësive të qeverisjes vendore, në përputhje me interesat ekonomike e
sociale, traditën, kulturën, lidhjet tradicionale dhe vlera të tjera vendore, për realizimin në
një nivel më të lartë të funksioneve në përfitim të bashkësisë vendore ose për zbatimin e
politikave të zhvillimit vendor, rajonal dhe më gjërë.
Neni 64
Riorganizimi me ndryshim kufijsh
Riorganizimi me ndryshim kufijsh bëhet kur:
a) një njësi e qeverisjes vendore ndahet në mënyrë të plotë në dy a më shumë njësi më
vete të qeverisjes vendore;
b) dy ose më shumë njësi të qeverisjes vendore shkrihen për të formuar së bashku në
territorin tyre një njësi të vetme të qeverisjes vendore;
c) një pjesë e territorit të një njësie të qeverisjes vendore kalon në territorin dhe
administrimin e një njësie tjetër të qeverisjes vendore;
ç) kërkohet një kombinim i rasteve të mësipërme.
Neni 65
Riorganizimi pa ndryshim kufijsh
Riorganizimi pa ndryshim kufijsh bëhet në rastet e ndryshimit të emërtimit të njësisë së
qeverisjes vendore ose në rastet e ndryshimit të vendndodhjes së qendrës të saj.
Neni 66
Mbështetja ligjore dhe propozuesi i riorganizimit
Riorganizimi i ndarjes administrativo-territoriale me ose pa ndryshim kufijsh bëhet me
ligj të veçantë.
Neni 67
Argumentimi dhe dokumentimi i riorganizimit nga propozuesi
Propozimi për riorganizimin e një ose më shumë njësive të qeverisjes vendore, për çdo
rast të veçantë, i paraqitet Kuvendit së bashku me këto fakte dhe argumente:
a) Arsyet ekonomike, sociale, kulturore, demografike, administrative për nevojën dhe
avantazhet e riorganizimit.
b) Mënyrat dhe materialet ose dokumentet e përdorura për informimin e publikut mbi
riorganizimin dhe çështjet që lidhen me të.
c) Mendimin e popullatës që banon në njësitë e qeverisjes vendore që do të
riorganizohen, si dhe mendimin “pro” dhe “kundër” këtij riorganizimi, sipas çdo rasti të
veçantë nga subjekte ose grupe të interesuara drejtpërdrejt ose jodrejtpërdrejt në këtë
riorganizim.
ç) Mënyrat e marrjes së mendimeve në mbledhje të hapura, seanca këshillimi me
publikun, dëgjime publike, sondazhe opinioni të certifikuara nga organe kompetente ose
qendrim i shprehur nëpërmjet referendumit vendor ose në ndonjë mënyrë tjetër të
përshtatshme dhe të besueshme.
d) Hartat administrativo-territoriale në të cilat pasqyrohen edhe ndryshimet që rrjedhin
nga riorganizimi.
dh) Efektet e parashikuara të karakterit ekonomik, financiar, social, demografik, si dhe
detyrimet civile dhe administrative që rrjedhin, mbarten ose ndahen.
e) Mënyrat e parashikuara të rregullimit të çështjeve financiare, pasurore, të detyrimeve
ndaj të tretëve ose ndaj njëra-tjetrës të njësive të qeverisjes vendore të përfshira në
riorganizim.
Neni 68
Detyrimi për të shprehur mendimin
1. Këshillat komunalë, bashkiakë dhe të qarqeve, që janë të përfshira drejtpërdrejt në
riorganizim, si dhe kryetarët e tyre japin mendimin e tyre zyrtar dhe, nëse ka, edhe
mendimin “kundër” të një pjesë të këshilltarëve të këshillit përkatës.
2. Këshilli i Ministrave, kur ky i fundit nuk është propozues dhe institucione të tjera
shtetërore qendrore që nuk varen nga Këshilli i Ministrave, të interesuara për
riorganizimin përkatës, japin mendimin e tyre të argumentuar “pro”, “kundër” ose
“abstenim” ndaj këtij riorganizimi.
3. Organet e mësipërme japin mendimin brenda 60 ditësh nga marrja e kërkesës për
shprehje mendimi nga ana e propozuesit.
Neni 69
Rregullimi i të drejtave dhe detyrimeve të njësive të riorganizuara
1. Në çdo rast, kur riorganizimi prek çështje të të drejtave financiare, pasurore, të
detyrimeve ndaj të tretëve dhe të drejta të tjera civile të njësive të qeverisjes vendore, ato
rregullohen sipas legjislacionit në fuqi si të drejta dhe detyrime të personave juridikë, si
rregull, nëpërmjet marrëveshjes mes palëve.
2. Në rast mosmarrëveshjesh për problemet e parashikuara në pikën 1 të këtij neni,
konfliktet zgjidhen në rrugë gjyqësore.
Neni 70
Garantimi i vazhdimit të funksioneve bazë qeverisëse
1. Në rastin e riorganizimit me ndryshim kufijsh, që krijon njësi të reja të qeverisjes
vendore ose kur ky riorganizim shkakton papajtueshmëri të mandatit të shumicës së
anëtarëve të këshillit të njësisë së qeverisjes vendore, të cilës i largohet një pjesë e
territorit, në këto njësi kryhen zgjedhje vendore të pjesshme, sipas mënyrave dhe afateve
të parashikuara në Kodin Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë.
2. Organet e reja të qeverisjes vendore, si dhe organet e tjera shtetërore qendrore dhe
vendore kompetente marrin menjëherë masat e nevojshme që njësitë e qeverisjes vendore
të krijuara ose të prekura nga riorganizimi, të funksionojnë normalisht, sipas këtij ligji,
duke garantuar kryerjen e shërbimeve bazë publike për popullatën përkatëse për
periudhën tranzitore.
KREU XI
DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT
Neni 71
Zbatimi i ligjit
Funksionimi i njësive të qeverisjes vendore sipas mënyrës së përcaktuar në këtë ligj
realizohet në përputhje me afatet kohore të përcaktuara në nenet e këtij kreu.
Neni 72
Funksionimi dhe organizimi i njësive të qeverisjes vendore
1. Me hyrjen në fuqi të këtij ligji, këshillat komunale, bashkiake dhe qarqeve ushtrojnë të
drejtat dhe kompetencat e tyre të plota për:
a) miratimin e vendimeve, urdhrave dhe urdhëresave për organizimin e tyre, sipas
mënyrës së përcaktuar në këtë ligj;
b) të drejtën e kompetencës fiskale;
c) të drejtën për të ndërmarrë nisma në interes të bashkësive përkatëse;
ç) miratimin e rregulloreve dhe procedurave për personelin;
d) ushtrimin e çdo të drejte ose kompetence tjetër të përcaktuar në këtë ligj dhe ligje të
tjera që kanë lidhje me pronësinë dhe kryerjen e funksioneve.
2. Komunat, bashkitë dhe qarqet fitojnë pronësinë mbi pronat vendore në përputhje dhe
sipas afateve të përcaktuara me ligj të veçantë.
3. Komunat, bashkitë dhe qarqet fitojnë pronësinë mbi ndërmarrjet publike, sipas afateve
të përcaktuara me ligj të veçantë, si dhe ushtrojnë të drejtën për krijimin e personave
juridikë, në përputhje me këtë ligj.
4. Duke filluar nga 1 janari 2001, komunat dhe bashkitë janë tërësisht përgjegjëse për
kryerjen e funksioneve të veta të mëposhtme:
I. Në fushën e infrastrukturës dhe shërbimeve publike:
a) ndërtimin, rehabilitimin dhe mirëmbajtjen e rrugëve me karakter vendor, të trotuareve
dhe shesheve publike;
b) sigurimin e ndriçimit të mjediseve publike;
c) funksionimin e transportit publik urban;
ç) administrimin e varrezave dhe garantimin e shërbimit të varrimit;
d) shërbimin e dekorit;
dh) administrimin e parqeve, lulishteve dhe zonave të gjelbëruara publike;
e) grumbullimin, largimin dhe përpunimin e mbeturinave.
II. Në fushën e shërbimeve me karakter social, kulturor e sportiv:
a) ruajtjen dhe zhvillimin e vlerave kulturore dhe historike vendore, organizimin e
veprimtarive dhe administrimin e institucioneve përkatëse;
b) organizimin e veprimtarive sportive, çlodhëse e argëtuese dhe administrimin e
institucioneve përkatëse;
c) shërbimin social dhe administrimin e institucioneve si çerdhet, azilet, shtëpitë e
fëmijëve, etj.
III. Në fushën e zhvillimit ekonomiko-vendor:
a) përgatitjen e programeve të zhvillimit ekonomiko -vendor;
b) ngritjen dhe funksionimin e tregjeve publike dhe të rrjeteve tregtare;
c) zhvillimin e biznesit të vogël, si dhe zhvillimin e veprimtarive nxitëse si panaire,
reklama në vende publike etj;
ç) organizimin e shërbimeve në mbështetje të zhvillimit ekonomik vendor si
informacioni, struktura dhe infrastruktura përkatëse;
d) shërbimin veterinar;
dh) ruajtjen dhe zhvillimin e pyjeve, kullotave dhe burimeve natyrore me karakter
vendor.
5. Duke filluar nga 1 janari 2002, komunat dhe bashkitë janë plotësisht përgjegjëse për
kryerjen e funksioneve të veta të mëposhtme:
I. Në fushën e infrastrukturës dhe shërbimeve publike:
a) furnizimin me ujë të pijshëm;
b) funksionimin e sistemit të kanalizimeve të ujërave të bardha, të ujërave të zeza dhe të
kanaleve mbrojtëse të zonave të banuara;
c) planifikimin urban, menaxhimin e tokës dhe strehimin, sipas mënyrës së përcaktuar me
ligj, me përjashtim të kompetencës për miratimin e shesheve dhe lejeve të ndërtimit, e
cila i kalon komunave dhe bashkive nga 1 janari 2001.
II. Në fushën e rendit dhe të mbrojtjes civile:
a) Ruajtja e rendit publik për parandalimin e shkeljeve administrative dhe garantimin e
zbatimit të akteve të komunës ose bashkisë;
b) mbrojtja civile.
6. Duke filluar nga 1 janari 2002, me ligj do të përcaktohet masa dhe mënyra e ndarjes së
funksioneve dhe kompetencave të përbashkëta të mëposhtme:
a) Funksionimi i arsimit parashkollor dhe parauniversitar;
b) funksionimi i sistemit të shërbimit parësor shëndetësor dhe mbrojtjes së shëndetit
publik;
c) kujdesi social, zbutja e varfërisë dhe garantimi i funksionimit të institucioneve
përkatëse;
ç) funksione të caktuara për rendin publik dhe mbrojtjen civile;
d) mbrojtja e mjedisit.
7. Komunat dhe bashkitë do të ushtrojnë edhe funksione të tjera, të ndara sipas mënyrës
së përcaktuar me ligj.
8. Jo më vonë se 1 janari 2001, qarqet kryejnë të gjitha funksionet dhe ushtrojnë të
gjitha kompetencat e dhëna me këtë ligj.
Neni 73
Kompetencat fiskale të njësive të qeverisjes vendore
1. Duke filluar nga 1 janari 2001, komunat, bashkitë dhe qarqet ushtrojnë të drejtën e
vendosjes së taksave dhe tarifave vendore, të përcaktuara me ligj të veçantë.
2. Duke filluar nga 1 janari 2001, komunat, bashkitë dhe qarqet kanë autonomi të plotë
për vendosjen e tarifave vendore për kategoritë e mëposhtme:
a) Tarifa për shërbimet publike;
b) tarifa për përdorimin e të mirave publike, me përjashtim të atyre që prodhohen nga
pushteti qendror;
c) tarifa administrative për licenca, autorizime, certifikata dhe dokumentacionin zyrtar.
3. Komunat, bashkitë dhe qarqet ushtrojnë të drejtën e tjetërsimit dhe dhënies në
përdorim të pronave dhe përdorimin e të ardhurave që krijohen në përputhje me ligjet
përkatëse të pronave vendore.
4. Duke filluar nga 1 janari 2002, komunat, bashkitë dhe qarqet kanë të drejtë të kërkojnë
kredi për investime në përputhje me procedurat dhe kriteret e përcaktuara me ligj të
veçantë.
5. Duke filluar nga 1 janari 2002, komunat, bashkitë dhe qarqet kanë të drejtë të marrin
financime, të përcaktuara me ligj të veçantë, nga burimet e mëposhtme:
a) Transferta të pakushtëzuara të përgjithshme dhe barazuese;
b) ndarja e taksave kombëtarë;
c) transferta të kushtëzuara për arritjen e objektivave kombëtarë;
ç) fonde të trasferuara nga pushteti qendror komunave, bashkive dhe qarqeve për kryerjen
e funksioneve të deleguara.
6. Duke filluar nga 1 janari 2001, këshillat komunalë, bashkiakë dhe të qarqeve
miratojnë buxhetin e tyre, duke u bazuar në parimin e autonomisë vendore dhe standardet
unike kombëtare të kontabilitetit me deficit buxhetor zero.
7. Duke filluar nga 1 janari 2001, komunat, bashkitë dhe qarqet institucionalizojnë
kontrollin e brendshëm financiar.
8. Duke filluar nga 1 janari 2001, komunat dhe bashkitë derdhin kontributet e tyre në
buxhetin e qarkut.
Neni 74
Detyrat e Këshillit të Ministrave
1. Ngarkohet Këshilli i Ministrave për hartimin e projektligjeve dhe akteve nënligjore me
qëllim respektimin e afateve të përcaktuar në këtë kre.
2. Ky detyrim realizohet nëpërmjet një procesi bashkëpunimi dhe këshillimi me
përfaqësuesit e njësive të qeverisjes vendore, bashkësitë vendore dhe shoqërinë civile në
përgjithësi.
Neni 75
Shkrirja e këshillave të rretheve
1.Këshillat e rretheve shkrihen në datën e kryerjes së zgjedhjeve vendore të vitit 2000.
Administrata e këshillit të rrethit kalon në varësi të prefektit.
2.Prefekti është përgjegjës për kryerjen e funksioneve të ish-këshillave të rretheve të cilat
nuk i janë transferuar komunave dhe bashkive sipas këtij kreu.
Neni 76
Shfuqizime
Me hyrjen në fuqi të këtij ligji, ligji nr. 7572, datë 10.6.1992 “Për organizimin dhe
funksionimin e pushtetit lokal”, me ndryshimet dhe plotësimet e mëvonshme dhe çdo
dispozitë tjetër që bie në kundërshtim me të, shfuqizohen.
Neni 77
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.
ZËVENDËSKRYETARI
Namik Dokle

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi