Shërbimi statistikor në Shqipëri

Mund të thuhet se Shërbimi statistikor në Shqipëri u krijua për herë të parë në vitin 1924 me hapjen e një zyre statistikore që mbante evidenca të ndryshme ekonomike pranë Ministrisë Botore dhe të Bujqësisë. Veprimtaria e kësaj zyre kufizohej në inventaret bujqësore që përfshinin numrin e bujqëve, llojin dhe sasinë e shfrytëzimit të tokës me bimë bujqësore e blegtorale, si dhe në disa statistika të cekta mbi industrinë, tregtinë, eksport-importet dhe çmimet. Një tjetër tentativë është institucionalizimi i këtij shërbimi me Dekretin nr. 121, dt. 8/04/1940, por realisht sistemi statistikor në shtetin shqiptar është themeluar me Vendimin nr. 35, dt. 13/01/1945 me krijimin e Drejtorisë së Statistikës të atashuar pranë Këshillit të Ministrave. Më vonë kjo drejtori kaloi nën varësinë e Komisionit të Planit të Shtetit.

Sot, në zbatim të ligjit nr.9180, datë 05.02.2004 “Për statistikat zyrtare”, ky sistem përbëhet nga një numër institucionesh të ngarkuar për prodhimin e statistikave zyrtare dhe institucione të tjera, publike ose jo, të cilët nxjerrin statistika të fushave të ndryshme për monitorimin apo zbatimin e politikave të veta zhvilluese. Shërbimi statistikor në Republikën e Shqipërisë realizohet nga  Instituti i Statistikave (INSTAT), Drejtoritë rajonale të statistikave në varësi të INSTAT-it, Agjenci Statistikore të ngarkuara me ligj për prodhimin e statistikave zyrtare, Departamentet e statistikave në ministri dhe institucione të tjera qendrore si dhe Persona juridikë e fizikë. Sistemi Kombëtar Statistikor e ushtron aktivitetin në përputhje me ligjin e lartpërmendur dhe Programin shumëvjeçar të Statistikave i cili miratohet me vendim të veçantë të Kuvendit të Shqipërisë. Përgjegjës për zbatimin e Programit dhe monitorimin e Sistemit Statistikor është Instituti i Statistikave (INSTAT) si institucioni kryesor prodhues i statistikave zyrtare.

Misioni i INSTAT-it është të prodhojë statistika asnjëanëse, transparente dhe të përditësuara, të cilat ndihmojnë në gjykimin e përdoruesve mbi proceset e zhvillimit e transformimit në fushat ekonomiko-sociale brenda vendit. Si institucioni që disponon burimin më të madh të informacionit statistikor në Shqipëri, INSTAT përpiqet t’u përgjigjet kërkesave gjithnjë e në rritje të përdoruesve për vendimmarrje, kërkime dhe arsimim në Shqipëri. Gjithashtu, INSTAT ndihmon komunitetin e interesuar ndërkombëtar nëpërmjet sigurimit të informacionit statistikor relativ, të sigurt dhe të krahasueshëm.

Këshilli i Statistikave është organi më i lartë i ngarkuar për mbikqyrjen dhe mbështetjen e INSTAT-it në rolin e tij për zbatimin e aktiviteteve statistikore të parashikuara në Programin e Statistikave Zyrtare. Këshilli i Statistikave përbëhet nga 11 anëtarë, të cilët përfaqësojnë agjencitë statistikore, mjediset akademike dhe shoqërinë civile. Emërimi i anëtarëve miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave, ndërsa Këshilli i statistikave emëron drejtorin e INSTAT.  Këshilli i Statistikave e ushtron veprimtarinë e tij në përputhje me Ligjin nr. 9180, datë 05.02.2004 “Për statistikat zyrtare” dhe VKM nr. 704, datë 16.11.2005 “Për miratimin e kritereve të përfaqësimit, të përzgjedhjes, emërimit e shkarkimit të anëtarëve dhe rregullat e funksionimit të Këshillit të Statistikave”, i ndryshuar.

Për shkak të këtij organizimi, INSTAT konsiderohet si një Axhensi ekzekutive në mvartësi të Këshillit të Ministrave.  Këtu e ka zanafillën debati që zhvillohet në politikën shqiptare për besueshmërinë e statistikave të prodhuara nga INSTAT. Duket se është i nevojshëm një reformim i thellë i këtij shërbimi për të qënë në përputhje me standartet e BE. Në mënyrë të veçantë nevojitet ngritja e një Autoriteti Mbkiqyrës të Pavarur dhe emërimi i organit drejtues (Këshilli i Statistikave) nuk duhet të jetë tërësisht në kompetencë të Këshillit të Ministrave.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi