Shërbimi i Jashtëm

Shërbimi jashtëm përbëhet nga shërbimi diplomatik dhe shërbimi konsullor. Organet që ushtrojnë shërbimin e jashtëm janë Ministria e Punëve të Jashtme dhe strukturat e tjera në varësi të saj. Veprimtaria e shërbimit të jashtëm rregullohet me një ligj të vecantë.

Misioni diplomatik i Republikës së Shqipërisë ushtron funksionet në përputhje me Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike të vitit 1961 si dhe me ligjin e Shërbimit të Jashtëm.  Ai kryen këto funksione kryesore:

– të përfaqësojë Republikën e Shqipërisë në shtetin pritës ose në organizatat ndërkombëtare;

– të mbrojë në shtetin pritës interesat e Republikës së Shqipërisë dhe të shtetasve ose personave juridikë të saj, brenda kufijve të lejuar nga e drejta ndërkombëtare;

– të nxisë zhvillimin e marrëdhënieve politike, ekonomike, kulturore, arsimore, shkencore, teknologjike, të informacionit, diplomatiko-konsullore dhe në çdo fushë tjetër ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe shtetit pritës, në një frymë miqësore e bashkëpunimi;

– t’i japë të dhëna Ministrisë së Punëve të Jashtme për zhvillimet ekonomike, politike dhe sociale të shtetit pritës dhe për veprimtarinë e organizatave ndërkombëtare, pranë të cilave është akredituar;

Veprimtaria diplomatike në shërbimin e jashtëm kryhet nga diplomatët e karrierës dhe personat e tjerë të barazuar me ta, të cilët marrin funksione diplomatike. Shefat e përfaqësive diplomatike përzgjidhen ndërmjet diplomatëve të karrierës si dhe emërimit të personaliteteve të fushave të ndryshme, si ish-anëtarë të Këshillit të Ministrave, ish-deputetë, por numri i tyre nuk duhet të jetë më i lartë se 20 për qind e numrit të diplomatëve. Këta persona bëjnë pjesë në shërbimin e jashtëm për aq kohë sa ushtrojnë funksionet në të cilat janë emëruar

Shefi i misionit ka autoritet mbi të gjitha shërbimet, civile dhe ushtarake, që ushtrojnë veprimtarinë në misionin diplomatik. Ai drejton, udhëzon, kontrollon dhe vlerëson të gjithë veprimtarinë zyrtare të personelit të misionit diplomatik. Shefi i misionit përgjigjet drejtpërdrejt përpara Ministrit të Punëve të Jashtme.

Funksionet e sherbimit konsullor ushtrohen në përputhje me Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Konsullore dhe me ligjin “Për ushtrimin e funksioneve konsullore nga përfaqësitë diplomatike ose konsullore. Funksionet kryesore të postit konsullor janë:

– të mbrojë interesat e vendit, të shtetasve ose personave juridikë të saj, të cilët ndodhen në zonën e juridiksionit konsullor,

– të punojë për zhvillimin e marrëdhënieve me shtetin pritës në fushat e ekonomisë, tregtisë, kulturës, shkencës dhe informacionit;

– t’i japë të dhëna Ministrisë së Punëve të Jashtme për zhvillimet ekonomike, tregtare, kulturore e shkencore në shtetin pritës;

Pranimi në shërbimin e jashtëm bëhet nëpërmjet konkurrimit të hapur, në përputhje me ligjin e “Statusit të nëpunësit civil”. Nëpunësi i shërbimit të jashtëm ka të drejtë të gëzojë statusin e diplomatit duke përfituar nga imunitetet dhe lehtësitë, që i jep statusi i diplomatit, të përfitojë gradë në shërbimin e jashtëm si dhe të mbajë funksione në Ministrinë e Punëve të Jashtme ose në përfaqësitë diplomatike, në përputhje me nivelin profesional dhe gradën që gëzon.

Nëpunësi i shërbimit të jashtëm duhet të mbrojë interesat e shtetit dhe të shtetasve ose personave juridikë shqiptarë në shtetin ose shtetet, ku është akredituar dhe kryen funksionet e tij; të mos bëjë pjesë në asnjë parti, organizatë ose shoqatë politike, të zbatojë rregullat për informacionin e klasifikuar edhe pas largimit nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe të sigurojë ruajtjen e të dhënave dhe të informatave që i janë besuar, të mos bëjë deklarata që mund të vënë në pozitë të vështirë shtetin shqiptar në marrëdhënie me shtetet e tjera ose organizatat ndërkombëtare dhe që mund të krijojnë probleme në realizimin e politikës së jashtme të Republikës së Shqipërisë;

Diplomatët e karrierës, gjatë ushtrimit të funksioneve të tyre në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe në përfaqësitë diplomatike, marrin grada diplomatike ose konsullore. Gradat diplomatike në shërbimin e jashtëm janë: ambasador; ministër fuqiplotë; ministër këshilltar; këshilltar; sekretar i parë; sekretar i dytë; sekretar i tretë; atashe. Gradat konsullore në shërbimin e jashtëm janë: konsull i përgjithshëm; konsull;  zëvendëskonsull; agjent konsullor.

Dhënia e gradave për nëpunësit e shërbimit të jashtëm bëhet sipas sistemit të karrierës, gradohen duke i ngjitur shkallët një nga një. Elementet kryesore në dhënien e një grade për anëtarin e shërbimit të jashtëm janë koha e shërbimit, kualifikimi dhe vlerësimi i rezultateve të punës. Grada diplomatike ambasador propozohet nga Ministri i Punëve të Jashtme, miratohet nga Kryeministri dhe dekretohet nga Presidenti i Republikës. Nëpunësit e shërbimit të jashtëm, që përfitojnë gradën ambasador, duhet të jenë diplomatë karriere, të cilët kanë kaluar të gjitha shkallët e gradave dhe që kanë qenë të emëruar në detyrën e shefit të misionit të paktën për një  mandat.

 

 

Repository


Dokumente të politikave publike dhe reformave të shtetit
English

Thënie për Shtetin

  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi
  • Detyra e shteteve të mëdha është të shërbejnë dhe jo të dominojnë botën.
    - Harry S. Truman
  • Paul Valery
    - Nëse Shteti është i fortë, ai na shtyp. Nëse ai është i dobët, na zhduk.
  • Kur je jashtë vendit, je burrë shteti; kur je në atdhe, je vetëm një politikan.
    - Harold MacMillan