Rama: Administratë në shërbim të qytetarit dhe të ndarë nga politika

Fjala e kryeministrit Rama në takimin për administratën, 13 dhjetor 2013

Sfida jonë është komplekse dhe është e shtrirë në çdo aspekt të jetës së vendit, por besoj që në zemrën e kësaj sfide qëndron domosdoshmëria e vendit tonë dhe e çdo qytetari të zakonshëm të këtij vendi për shtet. Dhe kur thuhet shqip për shtet, nënkuptimi më kuptimplotë i kësaj fjale është një administratë në shërbim të qytetarit dhe në respekt të Kushtetutës dhe të ligjeve të vendit. Një administratë, që në fund të fundit, është ajo çka ka munguar më shumë se shumëçka tjetër në gjithë këto vite dhe është ajo çka do të jetë themeli i Shqipërisë evropiane, në kuptimin më të plotë të kësaj fjale, i Shqipërisë anëtare të BE-së.

Në një realitet që jetësohet këtu në vend, në realitetin evropian të jetës së këtij vendi dhe që pikësëpari fillon aty, ku qytetari troket dhe dera e administratës hapet për ta dëgjuar dhe për ti shërbyer. Sepse me anë të administratës publike, eksperienca dhe profesionalizmi i njerëzve të një vendi vihet në shërbim të kujt administrata i përket, shoqërisë. Shoqërisë, që kërkon me plot të drejtë që administrata publike të ndahet së pari nga politika. Dhe kjo nuk do të thotë që kush shërben në administratën publike të mos ketë bindje politike apo të mos ketë angazhim qytetar në respekt të ideve të veta dhe në mbështetje të kauzave në të cilat beson.

Kjo nuk do të thotë që kush shërben në administratë ti shmanget nga frika, aktiviteteve politike apo të ngurojë, po nga frika, që të bëhet pjesë e diskutimeve që politika hap me shoqërinë për një arsye apo për një tjetër. Kuptohet që kjo nuk do të thotë po ashtu që politika ta uzurpojë administratën përmes të besuarve të vet, por përkundrazi që politika si besim i njerëzve për ta bërë jetën më të mirë, të mos ndahet nga bindja e çdo nëpunësi se në administratë është për t’iu shërbyer njerëzve, pavarësisht bindjeve të veta dhe pavarësisht bindjeve të tyre. Sepse në fund të fundit, politika për sa kohë nuk është mjet përfitimesh personale, por mjet për ta bërë më të mirë bashkëjetesën mes njerëzve, jo vetëm që nuk i shkon kundër qëllimit të administratës dhe shërbimit në administratë, por përkundrazi e mbron administratën më mirë nga politika e një pushteti për ta kthyer administratën në mjet të vetvetes. E pra është shumë e rëndësishme që sot nënvizohet fakti se ndryshimi i ndodhur në 23 qershor, i cili sigurisht hap perspektiva të reja në shumë plane për vendin, ka të bëjë edhe me të vërtetën e thjeshtë se askush që shërben në administratën publike, nuk duhet, jo vetëm të detyrohet që të marrë pjesë në aktivitetet politike të partive që qeverisin, por as nuk duhet të ngurojë të marrë pjesë në aktivitetet politike të atyre që janë në opozitë. Sigurisht, e gjitha kjo, jashtë mjediseve të punës dhe jashtë orëve të punës. Sepse të marrurit pjesë në jetën politike të vendit si qytetarë është dhe mënyra më e mirë për ta bërë dhe politikën më të mirë dhe për ta vënë atë më shumë në shërbim të qytetarëve, ku politika nuk është mjet për të kapur sistemin dhe për të siguruar të ardhmen e disave, por është sistemi i komunikimit që e bënë më të mirë të sotmen dhe më të garantuar të ardhmen. Ku politika nuk është një tërësi llogarish të pushtetit, por është një ide dhe është një shtysë e brendshme, qoftë edhe për t’ju kundërvënë pushtetin, pavarësisht se në orët e tua të punës je i detyruar që të mos mendosh se kush është në pushtet, por të mendosh se si ti shërbesh deri në fund, në respekt të plotë atyre që kanë trokitur në derën tënde dhe kërkojnë shërbimin, që me ligj je i detyruar t’ua japësh. Ku politika nuk është mënyrë për të shfrytëzuar të tjerët apo për të shfrytëzuar probleme të të tjerëve, por është një rrugë për ti adresuar ato. Ku politika nuk është partia shtet e kalimit të kohës me deklarata për të thënë një gjë dhe menduar një tjetër apo për të bërë një gjë, ndërkohë që thotë një gjë tjetër. Prandaj për ta mbyllur me pjesën e bindjeve politike, është shumë rëndësishme që gjithsecili në këtë vend të jetë plotësisht i sigurtë, se koha kur për shkak të bindjeve politike, kur për shkak të pjesëmarrjes në një aktivitet politik të atyre që janë në opozitë, kur për shkak të shprehjes së një mendimi të papëlqyeshëm për ata që janë në pushtet, thjesht duke diskutuar me kolegët, mund të flakeshe nga puna, ka mbaruar njëherë e mirë. Kjo është një kohë e re, është një kohë për të forcuar qytetarinë dhe sigurisht është një kohë që qytetaria të marrë sa më shumë pjesë, nga ajo pjesë, që për fat të keq politika e ka marrë peng për vete, për vite e vite me radhë, duke i lënë qytetarët jashtë dhe për të vazhduar me pjesën tjetër që është arsyeja pse jemi këtu sot dhe që lidhet me administratën, jo si angazhim politik, por si shërbim me profesionalizëm dhe me ndershmëri ndaj qytetarit.

E pra, unë dua ta them shumë hapur edhe pse është e qartë, për më tepër për një vend të vogël si ky i yni, ku nuk është e vështirë që po të bisedojmë me njëri-tjetrin, pas pak mund të zbulojmë se jemi dhe kushërinj, pa e ditur se kemi qenë më parë dhe ku shumica jemi kushërinj me njëri-tjetrin, nuk vihet as për ti shërbyer partisë dhe as sepse i ke shërbyer partisë, por vihet dhe qëndrohet apo vazhdohet të qëndrohet, pavarësisht se tek cila parti beson dhe pavarësisht se për cilën parti militon si vullnetar, në kohën tënde të lirë prej qytetari.

Në administratën shqiptare vihet për ti shërbyer shoqërisë dhe qëndrohet aty i pacënuar nga asnjë arsye që nuk ka të bëjë me punën tënde për sa kohë e bën këtë shërbim me profesionalizëm dhe me ndershmëri.

Ne duam të bëjmë një administratë që të jetë mishërim i talenteve dhe i aftësive të gjithë atyre njerëzve që qoftë për shkak të eksperiencës së gjatë në administratë, qoftë për shkak të studimeve të bëra jashtë, të krijojë besimin se kjo administratë është në të vërtetë, jo vetëm hapësira që mbron profesionalizmin dhe mbron vlerat e shkruara mbi të cilat është e ndërtuar, por është edhe hapësira ku gjithsecili që kërkon një shërbim prej saj e ndjen veten të mbrojtur nga padrejtësia. Sigurisht që është e lehtë ta thuash, është shumë e vështirë ta bësh. Por nuk është vështirësia që sado e madhe të jetë do të na bëjë të tërhiqemi nga qëllimi që kemi që ti japim administratës dita-ditës, vit pas viti, një trajtë të re, solide dhe të respektueshme nga të gjithë. Trajtën e një administrate evropiane, trajtën e një administrate të një vendi që me plot të drejtë pretendon të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian dhe si anëtar i Bashkimit Evropian duhet të krenohet me administratën e vet. Nuk është e vështirë, sepse sot administrata për fat të keq prej vitesh ka qenë tërheqëse përgjithësisht sepse në administratë mund të punoje pak dhe nëse guxoje të shkelje ligjin mund të fitoje shumë. E pra, nuk ka qenë tërheqëse sa do duhet të ishte për profesionistët, sa do duhej të ishte për njerëzit, jo vetëm me eksperiencë, por dhe me norma të një edukate dhe të një kulture që nuk pranon korrupsionin, që nuk e pranon ryshfetin dhe që nuk e pranon diktatin për të bërë korrupsion apo për të marrë ryshfet.

Dihet që ende sot administrata jonë nuk ka luksin që të konkurrojë me sektorin privat për sa i përket rrogave për të gjithë ata, që mund fare mirë të jetojnë në sektorin privat me një rrogë shumë të mirë. Dhe gjendja jonë financiare nuk na lejon që të mund të mendojmë se në një afat të shkurtër apo të mesëm, kjo gjë do të jetë e mundur. Por ama nga ana tjetër, jam plotësisht i bindur se nuk është rroga, arsyeja e parë, pse ata që mund të bëjnë diferencën i shmangen administratës dhe nuk marrin pjesë në konkurse apo nuk bëjnë përpjekje që të bëhen pjesë e administratës. Janë të tjerë faktorë dhe unë kam mundur që ti kuptoj këta faktorë të tjerë në kohën që drejtoja bashkinë e Tiranës dhe çdo vit bëja një takim në fund të vitit shkollor me studentët më të shkëlqyer të disa fakulteteve thjesht për ti dëgjuar dhe kuptuar se çfarë mendonin, çfarë donin të bënin, ku e shikonin të ardhmen e tyre. Dhe sigurisht që pyetjes se a donin të punonin në shtet pjesa më e madhe i përgjigjej negativisht. Por pyetjes nëse rroga ishte arsyeja se pse nuk donin të punonin në shtet, pjesa më e madhe i përgjigjej po, negativisht.

Faktori i parë ishte imazhi i shtetit, për ata vajza dhe djem që sapo kishin mbaruar universitetin me rezultate të shkëlqyera dhe që me plotë të drejtë kishin ëndrra të mëdha dhe aspirata të larta për jetën e tyre, ishte diçka e papërshtatshme që të përziheshin me një shtet me një imazh aq të rënduar. Faktori i dytë ishte mungesa e besimit se nëse do të hynin në një proces normal për të marrë një punë në shtet, merita e tyre do të vlerësohej. Pastaj vinte faktori i tretë që ishte rroga. E pra jam i bindur që në qoftë se ne do të përmirësojmë imazhin e shtetit dhe në qoftë se ne do të krijojmë kushte që të besohet se po kush është i zoti përmes konkursit mund të shkojë aty ku dëshiron dhe pastaj brenda administratës mund ta bëjë karrierën që dëshiron, ne do të mundemi të bëjmë shumë progres dhe jo në shumë kohë, për ta bërë administratën një hapësirë ku eksperienca të ndërthuret me dijet e reja që kanë shumë vajza dhe djem, sot dhe që për vite me radhë janë privuar nga mundësia që ato dije t’i vënë në shërbim të shtetit, duke shërbyer në administratën publike.

Dhe duke qenë tek kushtet, ne sigurisht duam dhe do të bëjmë çmos që t’i përmirësojmë kushtet. Duam dhe e kemi filluar pikërisht nga dy kushtet e para, pa harruar edhe të tretën. Kushti i parë, që të përmirësojmë imazhin e shtetit tonë dhe kushti i dytë që të krijojmë besim se konkurset nuk janë farsa dhe se përmes konkurseve gjithsecili mund të tregojë sesa vlen.

Asgjë nuk është e përsosur dhe asnjëherë nuk kemi pretenduar dhe nuk do të pretendojmë që nuk ka gabime, por me siguri nuk ka dhe nuk do të ketë gabime të bëra me qëllim dhe më tepër shkelje në kurriz të të tjerëve, për të privilegjuar disa dhe për të dekurajuar më të shumtit.

E pra, unë besoj se përgjegjshmëria e ndërsjellë bën skuadër dhe përgjegjshmëria e ndërsjellë do të bëjë të mundur që administrata publike e këtij vendi të funksionojë si një skuadër, në funksion të interesave të këtij vendi dhe në mbrojtje të interesave të qytetarëve të këtij vendi.

Ne kemi trashëguar një situatë aspak të lehtë, por unë mendoj që ne kemi qenë me fat, sepse kemi trashëguar edhe një libër të madh gabimesh nga qeveritë paraardhëse dhe posaçërisht nga qeveria më e fundit. Gabime që mjafton t’i kesh parasysh për të mos i përsëritur dhe unë besoj se ke bërë gjysmën e punës. Por kemi trashëguar edhe arritje, kemi trashëguar edhe eksperienca pozitive, që kanë të bëjnë me angazhimin, me përkushtimin, me profesionalizmin e shumë nëpunësve shqiptarë në administratën publike. Nëpunës që sot kanë nevojë jo vetëm të sigurohen se askush nuk ka ndërmend t’i fshijë medoemos, për shkak se kanë ndryshuar qeveritë, por edhe se, përsa kohë do të motivohen dhe do të përkushtohen që t’i shërbejnë shtetit dhe t’i shërbejnë qytetarit, jo vetëm asgjë nuk do t’ju ndodhë, por, përkundrazi, mund të bëjnë hapa për të shkuar më lart, në karrierën e tyre brenda administratës publike.

Dhe mendoj se pikërisht tani ne jemi në momentin, kur duhet t’i japim shansin të gjithë eksperiencave të mira që të zhvillohen dhe duhet t’i japim shansin shoqërisë që të përfitojë nga gabimet e rënda të së shkuarës, për të reformuar dhe transformuar administratën publike. Është momenti që bashkërisht ta lëmë pas librin e gabimeve dhe të mos i shtojmë faqe të tjera, që me siguri nuk do të sillnin asnjë rezultat, qoftë dhe për interesat e njëanshme partiake, në fund të ditës, sepse 23 qershori e tregoi shumë qartë, që kur një parti në qeveri njehson shtetin me vetveten, atëherë është e destinuar që t’i humbasë edhe pushtetin, edhe vetveten.

Ne, sot nuk kemi mundësi të rrisim rrogat e administratës publike dhe t’i çojmë aty ku do të mund ta bënim administratën publike konkurruese me sektorin privat, por ama jemi të bindur se çdo ditë e çdo vit duhet të lehtësojmë kushtet e jetës së atyre që punojnë në administratën publike dhe të të gjithë atyre që i shërbejnë shtetit tonë. Dhe për këtë arsye do sjellim një lehtësim të parë e shumë të rëndësishëm me sistemin e taksimit dhe do të bëjmë që duke filluar menjëherë, vitin e ardhshëm, mësuesit, infermieret, njerëzit e rendit dhe të gjithë nëpunësit që garantojnë punën e përditshme të këtij shteti të paguajnë më pak taksa dhe do të paguajnë më pak taksa dhe sigurisht që kjo do të sjellë rritje të fuqisë së tyre blerëse.

Nga ana tjetër, padashur të zgjatem shumë, dua të nënvizoj se ne duam të kemi një dialog të vazhdueshëm me njerëzit e administratës, duam të kemi një dialog të vazhdueshëm me të gjithë pjesët e shoqërisë të angazhuara brenda për brenda strukturave të shtetit. Duam që ta vëmë qeverinë në dispozicion të këtij dialogu, për të përfituar nga ky dialog dhe për të bërë bashkërisht punën që na takon. Sigurisht, pa u futur në punët e njëri-tjetrit. Dhe kur them pa u futur në punët e njëri-tjetrit kam parasysh anën politike që sigurisht dallon qeverinë dhe stafet politike nga pjesa e administratës publike.

Ne jemi plotësisht të bindur se duke i dhënë administratës arsye që të ndihet e qetë, të ndihet e motivuar, madje të ndihet krenare për punën që bën, do të garantojmë një mbarëvajtje shumë më të mirë të punëve të shtetit.

Duhet të punojmë bashkë, me të gjithë, në respekt të plotë të lirisë të secilit për të menduar atë që pëlqen dhe që dëshiron politikisht dhe padyshim, me konsideratën më të lartë për vlerat e gjithsekujt, që për shkak të meritës është pjesë e administratës shqiptare, sepse besoj që vetëm duke punuar së bashku dhe duke qenë pjesë e së njëjtës skuadër, që sot duhet t’u japë shqiptarëve mundësinë që të thonë: Po, e kemi edhe ne një shtet që na dëgjon dhe na shërben. Ne mund dhe do t’ia dalim.

Është shumë e lehtë të flasim për Evropën, ose më saktë, nuk është aq e lehtë të flasim për Evropën, se Evropa po bëhet gjithmonë e më e ngatërruar, por është shumë e lehtë të themi që e duam Shqipërinë si gjithë Evropa, por pjesa më e vështira për ta bërë Shqipërinë si gjithë Evropa është kjo: Që në Shqipëri të bëjmë shtet, si ç’themi ne shqiptarët dhe që të bësh shtet, do të thotë në radhë të parë, të ndërtosh një administratë që është mishërim i Kushtetutës, i ligjeve dhe i vullnetit që në bazë të Kushtetutës dhe të ligjeve t’i shërbejë ashtu siç e meritojnë qytetarëve të vendit të vet.

Faleminderit!

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi