Hapësira administrative evropiane

Vendet që aplikojnë për anëtarësi në Bashkimin Europian duhet të reformojnë administratat e tyre publike për të arritur kriteret e pranimit të Kopenhagenit dhe të Madridit. Shumica e fushave të shtetit mbulohen ose ndikohen nga acquis communautaire (i gjithë trupi i legjislacionit të Komunitetit Europian). Vendet kandidate duhet të përshtasin legjislacionin e Komunitetit Europian për hapësirën e tyre ligjore dhe pastaj ta vënë atë në zbatim. Vështirësitë dhe vonesat lidhen së shumti me procesin dhe ritmin e zbatimit për shkak të mungesës së kapaciteteve. Asgjë nga acquis communautaire nuk egziston për të vendosur standarte të sistemeve horizontale të qeverisjes apo të administratave publike kombëtare. Qëllimet dhe orientimet për reformën në administratën publike në perspektivën e pranimit në BE janë më pak të dallueshme. Megjithatë ndërmjet shteteve demokratike është arritur një konsensus i përgjithshëm mbi përbërësit e qeverisjes së mirë, që përfshijnë parimet e ligjshmërisë, të besueshmërisë, parashikueshmërisë, përgjegjshmërisë dhe transparencës, si dhe kompetencat teknike dhe drejtuese, kapacitetet organizative dhe pjesëmarrjen qytetare. Parimet e administratës publike që pranohen nga Shtetet Anëtare të BE përbëjnë kushtet për një “Hapësirë Administrative Europiane” (HAE).

HAE përfshin një grup standartesh të përbashkëta të një tërësi ligjesh administrative, si akte procedurash apo procesesh administrative, akte të së drejtës për informim dhe ligje të shërbimit civil, të cilat zbatohen në praktikë nëpërmjet procedurave dhe mekanizmave të përgjegjshmërisë. Vendet që aplikojnë për anëtarësi në BE duhet të marrin parasysh këto standarte kur zhvillojnë administratat e tyre publike. Pavarësisht se HAE nuk është pjesë e acquis communautaire, ajo duhet të shërbej për të udhëzuar reformat në administratat publike të vendeve kandidate. Masa në të cilën një vend kandidat pranon këto parime të administatës publike dhe mbështetet tek standartet e HAE, është tregues për kapacitetin që ka administrata publike kombëtare për të zbatuar efektivisht acquis communautaire sipas kritereve të përcaktuara nga Këshilli Europian në Kopenhagen dhe Madrid.

Kërkesa për zhvillimin dhe zbatimin e acquis communautaire në standarte të besueshme në gjithë BE, ngritja e një sistemi mbarë Europian të drejtësisë administrative dhe vlera themelore të përbashkëta të administratës publike kanë krijuar një konvergjencë midis administratave publike kombëtare për atë që përshkruhet si “Hapësira Administrative Europiane”

Sistemet ligjore të Shteteve anëtare të BE po kalojnë një proces përafrimi të vazhdueshëm në fusha të ndryshme që janë nën influencën e së drejtës së Komunitetit, d.m.th. nëpërmjet aktivitetit legjislativ të institucioneve të Komunitetit dhe praktikave gjyqësore të Gjykatës Europiane të Drejtësisë. Konceptet e së drejtës së komunitetit prezantohen në sistemet kombëtare nëpërmjet rregulloreve ose direktivave drejtpërdrejt të zbatueshme, të cilat duhet të transpozohen më parë në legjislacion kombëtar. Rregulloret dhe direktivat kanë ndikim të drejtpërdrejtë mbi sistemet administative të Shteteve anëtare dhe mund të krijojnë ndryshime të rëndësishme në parimet ligjore të zbatueshme tek administrata publike. Kemi të bëjmë me një lloj Europianizimi të së drejtës administrative si një element që del në pah në zhvillimet e fundit ligjore.

Formimi i një Hapësire Administrative Europiane ka të bëjë kryesisht me marrëveshjet themelore institucionale, proceset, standartet e përbashkëta administrative dhe vlerat e shërbimit civil. Kjo listë nuk është e kompletuar dhe ka ndryshime domethënëse në cilësi ndërmjet Anëtarëve. Problemet që dalin nga këto ndryshime ndërmjet Shteteve Anëtare janë një nga arësyet kryesore pse ndërtimit të institucioneve i është dhënë prioritet kaq i lartë në procesin e zgjerimit drejt Europës Qëndrore dhe Lindore. Vendet kandidate kanë nevojë të zhvillojnë administratat e tyrë për të arritur nivelin e besueshmërisë së Hapësirës Administrative Europiane dhe një prag të pranueshëm të parimeve të përbashkëta, procedurave dhe marrëveshjeve strukturore administrative. Vendet kandidate duhet të arrijnë një standart minimal cilësie dhe besueshmërie të administratën publike.

Një hapësirë e përbashkët administrative është e mundur kur një grup parimesh administrative, rregullash dhe rregulloresh zbatohen në mënyrë uniforme në një territor të caktuar që mbulohet nga kushtetuta kombëtare. Tradicionalisht, territori ku e drejta administrative është e zbatueshme ka qënë i shteteve të pavarura. Çështja e ligjit të përbashkët administrativ për të gjitha shtetet e pavarura të integruara në Bashkimin Europian është debatuar, me intensivitet jo të njëtrajtshëm, që nga fillimet e Komunitetit Europian. Një marrëveshje e përbashkët nuk ekziston ende.

Deri tani vetëm disa elementë të një ligji Europian administrativ eventual janë paraqitur në Traktatet themelore të Bashkimit Europian dhe në legjislacionin dytësor të miratuar nga Komisioni. Mungesa e një trupi juridik formal që rregullon administratën publike, rregullat e saj procedurale, dhe marrëveshjet e saj institucionale, nuk do të thotë që e drejta administrative mbikombëtare Europiane është e pakuptimtë osë e panjohur për Shtetet Anëtare të BE. Egziston një acquis e përbashkët e përbërë nga parime të së drejtës administrative, që mund të quhet edhe “acquis communautaire e pa formalizuar” në sensin që nuk ka një konventë formale. Megjithatë, ajo mund të përfaqësojë një ligj administrativ të përgjithshëm të përbashkët Europian.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi