Jemi në debatin e duhur, por në kuptimin e gabuar

Nga Gentian Kaprata, botuar në Mapo Online, 5 janar 2014

gentian-kaprata-150x150Vëmendja e qeverisjes socialiste ndaj çështjeve urbane duhet përgëzuar. Njerëz të ndryshëm me interesa të ndryshme dhe kuptime të ndryshme mbi gjënë do ta përgëzonin qeverisjen për një gamë të gjerë arsyesh. Personalisht, do ta përgëzoja që hapi një debat publik, me dashje apo jo, për çështjet e urbanistikës dhe kontrollit të zhvillimit në territor. Hapja dhe mbajtja në vëmendjen e diskutimit publik të çështjeve urbane është një nga dy dimensionet e planifikimit urban. Bile, dimensioni më i rëndësishëm. Kjo është të bësh planifikim urban, të diskutosh publikisht duke përfshirë sa më shumë individë dhe grupe të interesuar. Dhe pasi arrin në kompromise sa më të gjëra për këto çështje, atëherë të marrësh një laps dhe një letër dhe këto dakordësi t’i protokollosh ose si vizatime, ose si shkrime.

Dimensioni shkencor, sigurisht, nuk duhet t’u mungojë këtyre diskutimeve. E kam fjalën për njerëzit që, për shkak të praktikave të përsëritura, leximeve mbi këto tema dhe veçanërisht për shkak të studimeve të kryera, kanë grumbulluar një sasi njohurish mbi çështjet. Këta janë shumë të vlefshëm edhe për të menaxhuar dhe koordinuar debatin apo për të përfaqësuar palët e papërfshira. Si fëmijët, brezat e ardhshëm dhe grupet e komunitetet në minorancë. Në këtë kuptim, sjellja në debatin publik e diskutimeve mbi çështjet urbane është një gjë e mirë me të cilën duhet të biem dakord. Mirëpo, ajo për të cilën nuk duhet të dakordësojmë me qeverisjen është mënyra apo mjetet e përdorura. Të cilat, janë shumë të rëndësishme në demokraci. Sikurse janë edhe procedura dhe institucioni përgjegjës për marrjen e vendimeve.

Megjithëse debati konkret ka munguar, duhet thënë se vështirë të gjendët shqiptar veçanërisht rezident në përqendrimet urbane të Shqipërisë së mesme apo perëndimore, që nuk ndan mendim të njëjtë mbi këto qytete. Mendimin se janë bërë të pajetueshme. Mendimin se janë shumë kaotike. Mendimin se kanë densitete të larta banimi. Mendimin se iu mungojnë hapësirat e hapura dhe shoqërore. Mendimin se iu mungojnë infrastrukturat inxhinierike dhe sociale. Se janë të formuara në masë të madhe nga pallate të larta, masive dhe të shëmtuara. Pallate që nuk lejojnë as diellin të hyjë nëpër banesa. Pallate që nuk lejojnë as ambulancat apo zjarrfikëset të hyjnë në zonën në rrezik. Këto janë problemi i vërtetë. Dhe të thuash politikisht ‘të prishen ca ndërtime se i bëjnë keq qytetit’, nuk është zgjidhje e zgjuar, e qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse.

Në fakt, nuk është as thjesht zgjidhje. Është një përgjigje arrogante dhe që del nga e njëjta kuptueshmëri sikurse ajo që i ka krijuar këto probleme. Nga kuptimi dhe interpretimi i çështjeve urbane në dy dimensione totalisht të gabuara. Së pari është fragmentarizimi i zhvillimit. Vlerësimi i çështjeve të zhvillimit rast pas rasti dhe jo si një grup që merr valencë urbane vetëm si një entitet i unifikuar. Sikurse ka qenë praktika e lejedhënies ndërtimore në 20 vitet e fundit. Çdo rasti që paraqitej me kërkesë për zhvillim i është kthyer një përgjigje e fragmentarizuar duke vlerësuar vetëm këtë kërkesë. Çka ka injoruar kontributin potencial të një dije shkencore që njihet dhe akumulohet të paktën prej 200 vjetësh. Planifikimit urban. Injorim që vazhdon edhe sot që kemi vendosur të prishim ato që dikur kemi ndërtuar.

Kjo mënyrë e fragmentarizuar e të vlerësuarit të mundësive për zhvillim ndërtimor ka komplementuar me dimensionin tjetër, të kësaj mënyre të gabuar të të kuptuarit të çështjeve urbane. E kam fjalën për atomizimin e interesave. Secili individ apo grup ka mbrojtur interesat të atomizuara personale në kurriz të interesave të individëve dhe grupeve kufitare. Duke i parë kufitarët si konkurrentë apo akoma më keq, si armik. Sikur e mira për ta të ishte e barasvlefshme me të keqen për interesat fqinje. Çka ka rezultuar me zona banimi me mangësi ekzistenciale. Dhe kjo ka rezultuar në dëm të të gjithëve. Sikurse, në dëm të të gjithëve do të jetë edhe produkti i aksioneve aktuale qeverisëse. Dhe çdo veprimtarie tjetër, në të ardhmen, që nuk paraprihet nga produkte të zgjuara, të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse planifikimi urban.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi