Policia e Shtetit

Policia e Shtetit është shërbimi policor i Republikës së Shqipërisë. Ajo është institucion i administratës publike, strukturë e Ministrisë së Brendshme. Ministri ka përgjegjësinë të sigurojë efektivitetin dhe efiçencën e punës së Policisë. Në përgjegjësitë e ministrit nuk përfshihet drejtimi operacional i Policisë.

Misioni i Policisë është të ruajë rendin dhe sigurinë publike, në përputhje me ligjislacionin në fuqi dhe duke respektuar të drejtat dhe liritë e njeriut.

Ligji që rregullon veprimtarinë administrative të Policisë së Shtetit është ligji Nr. 9749, datë 4.6.2007 “Për Policinë e Shtetit“. Qëllimi i këtij ligji është përcaktimi i normave dhe procedurave për pranimin, zhvillimin e karrierës dhe mbarimin e marrëdhënieve të punës në Polici, si edhe për garantimin e të drejtave, përcaktimin e detyrave dhe përgjegjësive të punonjësve të Policisë, për garantimin e një shërbimi policor demokratik dhe profesional.

Policia organizohet në nivel qendror dhe vendor. Drejtoria e Përgjithshme përbën nivelin qendror të Policisë, ndërsa drejtoritë e Policisë së qarqeve, drejtoritë rajonale të Kufirit dhe Migracionit dhe strukturat në varësi të tyre përbëjnë nivelin vendor të saj. Çdo drejtori e Policisë së qarkut përbëhet nga komisariate.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë emërohet nga Këshilli i Ministrave, bazuar në propozimet e paraqitura nga ministri. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë është autoriteti më i lartë administrativ, teknik dhe operacional i Policisë.  Ai drejton dhe kontrollon Policinë, i rekomandon ministrit, para fillimit të vitit financiar, buxhetin që do t’i jepet në atë vit financiar, ndan buxhetin mes departamenteve, drejtorive, sektorëve, komisariateve dhe stacioneve të Policisë, sipas përparësive të vendosura nga ministri, menaxhon dhe është përgjegjës për buxhetin e miratuar për Policinë.

Sistemi i gradave përcakton hierarkinë, nivelet e administrimit, si dhe pasqyron marrëdhëniet ndërmjet funksioneve në Polici. Nivelet pasqyrojnë nivelin e organizimit, drejtimit, kontrollit dhe kryerjes së detyrave në Polici, si dhe tregojnë pozitën e punonjësve të Policisë në strukturën e administratës së saj. Gradat shprehin pozitën që ka punonjësi në strukturën hierarkike të Policisë. Hierarkia midis punonjësve të Policisë në nivele përcaktohet sipas kësaj renditjeje: Drejtor i përgjithshëm, drejtues, komisar, inspektor. Brenda të njëjtin nivel, hierarkia e punonjësve të Policisë përcaktohet nga grada. Hierarkia e punonjësve të Policisë me të njëjtën gradë përcaktohet nga funksioni, ndërsa për funksione të njëjta hierarkia përcaktohet nga vjetërsia në gradë.

Bashkëpunimi me institucionet e tjera qendrore të administratës publike rregullohet me akte normative të përbashkëta.  Organet vendore të Policisë bashkëpunojnë me njësitë e qeverisjes vendore në fushën e rendit dhe të sigurisë publike, si dhe në zbatimin e ligjit, duke respektuar pavarësinë e tyre dhe karakterin unitar e të centralizuar të Policisë.  Organet e Policisë së qarkut mbajnë marrëdhënie me prefektin, sipas dispozitave ligjore në fuqi.

Ka dy kategori të personelit të Policisë:

 – punonjësit e Policisë, që kanë kompetenca operacionale të plota, përfshirë kompetencat e ndalimit dhe të arrestimit. Ata mund të jenë punonjës policie me ose pa uniformë;

– punonjësit në shërbimet mbështetëse, që janë emëruar në Polici pa u diplomuar në Akademinë e Policisë ose që nuk kanë ndjekur ndonjë trajnim tjetër policor të miratuar.

Ligji përcakton të drejtat dhe detyrimet e personelit të policisë, kushtet veçanta të trajtimit te tij, rregullimin e pagave, pensioneve dhe shpërblimeve suplementare, çështjet që lidhen me punësimin, etj.

Repository


Dokumente të politikave publike dhe reformave të shtetit
English

Thënie për Shtetin

  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi
  • Detyra e shteteve të mëdha është të shërbejnë dhe jo të dominojnë botën.
    - Harry S. Truman
  • Paul Valery
    - Nëse Shteti është i fortë, ai na shtyp. Nëse ai është i dobët, na zhduk.
  • Kur je jashtë vendit, je burrë shteti; kur je në atdhe, je vetëm një politikan.
    - Harold MacMillan