Cili është roli i Prefektit?

Prefekti është përfaqësues i Këshillit të Ministrave në qark. Ai mbikëqyr dhe bashkërendon veprimtarinë e institucioneve qendrore në nivel vendor duke u kujdesur që ato të plotësojnë të gjitha detyrimet që kanë për të garantuar sovranitetin, rendin kushtetues dhe shëndetin publik. Ai  bashkërendon veprimtarinë e institucioneve qendrore në nivel vendor, si dhe të këtyre me organet e qeverisjes vendore në komuna, bashki e qark. Ai drejton veprimtarinë e strukturave administrative shtetërore, të cilat, me akte ligjore e nënligjore të veçanta, janë caktuar në varësinë e tij të drejtpërdrejtë.

Prefekti është i vetmi institucion administrativ që verifikon ligjshmërinë e akteve të miratuara nga organet e qeverisjes vendore në komuna, bashki e qark. Verifikimi i ligjshmërisë së akteve të miratuara nga organet e qeverisjes vendore nga prefekti bëhet pa penguar zbatimin e tyre.  Në rastet kur vëren papajtueshmëri ligjore të aktit, prefektit i lind e drejta t’ia kthejë atë organit përkatës të qeverisjes vendore, duke argumentuar shkeljet e vërejtura. Në këtë rast, organi i qeverisjes vendore rishqyrton aktin. Vendimi i marrë nga organi i qeverisjes vendore pas rishqyrtimit të aktit të kthyer nga prefekti, depozitohet përsëri pranë prefektit.  Në rast se vërehen përsëri papajtueshmëri ligjore në aktin e rishqyrtuar, prefekti i drejtohet gjykatës, nën juridiksionin e së cilës është organi i qeverisjes vendore, duke kërkuar deklarimin e pavlefshëm të këtij akti. Prefekti ka të drejtën e kthimit vetëm një herë të një akti. Prefekti shqyrton gjithashtu ankesat e shtetasve për ligjshmërinë e akteve me karakter normativ të nxjerra nga organet e qeverisjes vendore.

Prefekti për veprimtarinë e vet përgjigjet përpara Këshillit të Ministrave dhe i raporton Kryeministrit për detyrat që i janë ngarkuar. Ministrat dhe drejtuesit e institucioneve të tjera qendrore vendosin lidhje të drejtpërdrejta me prefektin për probleme të veprimtarisë që ata drejtojnë. Këshilli i Ministrave, ministrat dhe drejtuesit e institucioneve të tjera qendrore dërgojnë rregullisht te prefekti të gjitha aktet që ata nxjerrin, të cilat, në përmbajtje të tyre, caktojnë detyra në fushën e veprimtarisë së institucioneve qendrore në nivel vendor ose detyra për organet e administratës së qeverisjes vendore. Konfliktet që mund të lindin ndërmjet ministrit dhe prefektit zgjidhen nga Kryeministri.

Prefekti bashkëpunon me organet e Policisë së Shtetit për marrjen e masave për ruajtjen e rendit dhe sigurinë publike në territorin e qarkut. Bashkërendon veprimtarinë dhe siguron mbështetjen e ndërsjellë të organeve të Policisë së Shtetit, të institucioneve qendrore në nivel vendor dhe të organeve të qeverisjes vendore, për ruajtjen e rendit dhe të sigurisë publike dhe për zbatimin e akteve të organeve të qeverisjes vendore.

Për strukturat e mbrojtjes kontrollon marrjen e masave nga njësitë ushtarake për plotësimin e detyrave me karakter civil që u ngarkohen atyre nga organet përkatëse dhe në raste të veçanta, në përputhje me legjislacionin përkatës, u kërkon komandave të njësive ushtarake në territorin e qarkut mbështetje për përballimin e detyrave me karakter civil dhe në veçanti në përballimin e situatave emergjente.

Repository


Dokumente të politikave publike dhe reformave të shtetit
English

Thënie për Shtetin

  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi
  • Detyra e shteteve të mëdha është të shërbejnë dhe jo të dominojnë botën.
    - Harry S. Truman
  • Paul Valery
    - Nëse Shteti është i fortë, ai na shtyp. Nëse ai është i dobët, na zhduk.
  • Kur je jashtë vendit, je burrë shteti; kur je në atdhe, je vetëm një politikan.
    - Harold MacMillan