Rishfaqja e pamjaftueshme e shoqërisë civile

Nga Aleksander Çipa, botuar në Shqip, 19 shkurt 2015

Aleksander-CipaDebatin publik po e dominojnë ditët e fundit tri çështje që kanë lidhje me problematika sociale.

Dje, në qendër të Tiranës, aktivistë të shoqërisë civile zhvilluan një tubim, në të cilin denoncojnë veprimtarinë e falsifikimit dhe tregtimit të produkteve të skaduara në tregjet e vendit. Ndërsa një ditë më parë, një protestë tjetër u zhvillua ndanë digës së Liqenit Artificial të Tiranës, ku po vijojnë punimet për ndërtimin e një kompleksi pallatesh shumëkatëshe, përkundër pretendimit nga veprimtarët reagues, për zhdukje të sipërfaqeve të gjelbëruara dhe betonizimit të hapësirave publike. Më tepër vëmendje dhe pasqyrim në mediumet e vendit ka gjetur debati për vendimin e Ministrisë së Shëndetësisë për testimin e mjekëve në të gjithë vendin, që shërbejnë pranë institucioneve publike të shëndetit. Në këtë të fundit, janë përfshirë jo vetëm drejtuesit e ministrisë, përfshi ministrin Ilir Beqja dhe kolektivët e mjekëve, por edhe përfaqësues nga partitë politike dhe nga parlamentarë.

Këto janë tri çështje që i janë imponuar axhendës së diskutimeve dhe debatit publik të ditës, duke depërtuar në debatet dhe polemikat konstante të politikës për çështjet e kriminalitetit dhe akuzave të ndryshme. Ato në vetvete mjaftojnë për të na kujtuar se aspektet sociale dhe problematikat që burojnë prej këtij realiteti, janë më shumë nga sa e mendojnë editorët shqiptarë, në qendër të interesit të audiencave apo publikut. Mirëpo axhendën që imponon politika për mediat apo anasjelltas, duket se nuk e ka në dorë publiku, pasi rendin e çështjeve të tij në këtë vend e përcakton arbitrariteti i zotëruesve. Të tillë pra zotërues konsiderohen gjatë dekadave politikëbërësit në këtë vend.

Shqyrtimi i çështjes së testimit të mjekëve me vendim të ministrit të Shëndetësisë, po krijon precedentin e parë të një kundërpërballjeje të ish-ministrit të LSI-së, Petrit Vasili, aktualisht deputet dhe pjesëtar i koalicionit të majtë, me ministrin Beqaj. Kjo përballje duket se nuk ka shkaktuar impakt politik në relacionet PS-LSI dhe qasja ndaj saj në media mbetet thjesht në brendinë sociale, ndonëse nënteksti është shumë më intrigues. Mirëpo në këtë debat, përballja më e rëndësishme për çështjen është ajo mes ministrit dhe mjekëve. Reagimet publike dhe kurajoze të një pjese të mjekëve, të cilët dëshmojnë jo vetëm kompetencë profesionale, por më shumë dinjitet dhe kurajë për mbrojtjen e integritetit të tyre, kanë ngjallur një shpresë të munguar për reagimin qytetar. Mbetet nga të paktat reagime masive të një komuniteti profesional ndaj një vendimi burokratik ministror.

Të tria këto çështje, që i janë imponuar axhendës së debatit dhe diskutimit publik, vlejnë për rikthimin apo rishfaqjen e opinionit dhe strukturave të shoqërisë civile në vend. Madje, efekti i kësi reagimeve, edhe pse nuk ka shkaktuar ende një rikthim të vendimit apo të lejeve, për të cilat ato kanë ndodhur, sërish kanë vlerën e madhe të shenjës rishfaqëse të forcës dhe integritetit reagues të opinionit publik. Politika dhe vokali arbitrar i saj në skenën publike të vendit, kanë eklipsuar kohë pas kohe qytetarin dhe segmentet e investuara të shoqërisë civile. Madje, kjo shkoi deri aty sa u zbeh dhe gati po mbetet në fuqi mendimi se në Shqipëri këto struktura janë të falimentuara. Historia e marrëdhënies së politikës me kësi strukturash në vend dominohet shpesh nga përvoja e përdorimit apo edhe e abuzimit. Sikundër ajo ka edhe episode dhe ngjarje që e kanë rritur vokacionin e opinionit publik, i kanë dhënë atij forcën për të rezistuar deri në tërheqje apo rrëzimi të vendimit politik. Mbetet më triumfues rasti i refuzimit të procesit për armët kimike të Sirisë.

Gjithsesi, protesta e grupit të veprimtarëve që denoncojnë të ashtuquajturin “terrorizëm ushqimor” në vend, ka jo vetëm arsyen, por brendinë më të plotë për të përfshirë dhe shkaktuar ndjeshmëri reagimi te të gjitha grupmoshat dhe kategoritë e qytetarëve të vendit. Është padyshim një thirrje për të vënë para akuzës dhe përgjegjësisë dy “partnerët”-palë në këtë “terrorizëm”. Fjala është për falsifikuesit dhe tregtuesit e mallrave dhe ushqimeve të skaduara, si dhe për kontrolluesit dhe institucionet e linjës, me në krye AKU-në. Aksioni reagues i qytetarëve dhe segmenteve të shoqërisë civile, mund të mos vlejë nëse lihet thjesht me aktin populist të denoncimit dhe tubimit. Ky rast meriton të marrë brendinë dhe peshën e një kazusi, të cilin e denoncon dhe e ndjek deri në “zgjidhje” aksioni dhe veprimi vijues i shoqërisë civile. Në një akt të tillë paralajmërues për një proces, do të mjaftonte që Prokuroria e Përgjithshme të niste menjëherë një hetim dhe verifikim në të gjithë territorin e vendit. Është e domosdoshme të administrohen faktet dhe provat për këtë qarkullim të ushqimeve të skaduara dhe nëse ekziston një rrjet tregtuesish të tillë, që në kuptimin e drejtpërdrejtë meritojnë të quhen ashtu siç i kanë pagëzuar organizatorët dhe denoncuesit e parë të shoqërisë civile si “terroristë të ushqimit” për popullatën.

Lëvizje të tilla që kanë diferencë me axhendën e politikës dhe të partive, që krijojnë një kontrast të fortë mes së drejtës dhe qytetarisë për jetë dhe cilësi jetese dhe konfliktit politik të pandryshueshëm, përbëjnë një arsye të fortë për ngjalljen e shpresës. Në Shqipërinë e lodhur nga tranzicioni politik dhe kriminal, ekziston e plotë mundësia e rishfaqjes dhe ngritjes së shoqërisë civile në lartësinë e misionit për interesat e publikut.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi