Politika brenda sistemit, është më efikase se sa ajo jashtë tij

Nga Ervis Iljazaj, botuar në Mapo, 4 shtator 2018

Sesioni i ri parlamentar nisi ashtu sikurse mbaroi ai i kaluari, me palët politike që gjenden më larg se asnjëherë. Kësaj herë jo vetëm politikisht por edhe fizikisht. Mazhoranca në parlament, ndërsa opozita e bashkuar e mbledhur në Shkodër, duke bërë kështu një formë bojkoti simbolik ndaj kundërshtarit të saj politik.

Me sa duket, ka një mur që ndan politikën shqiptare. Në fakt pritej, pasi viti i kaluar pa opozitën dhe mazhorancën me qëndrime tërësisht të kundërta për shumë nga çështjet thelbësore. Në këtë kuptim, çështje si drejtësia, rendi apo edhe ekonomia, që presin të marrin zgjidhje dhe kërkojnë të marrin zgjidhje, do të ngelin pa përgjigje të rëndësishme, pasi kërkojnë bashkëpunimin politik që mungon.

Kështu që, jemi në prag të një krize politike që ka arsyet e saj kryesore në mos njohjen nga palët, në këtë rast të opozitës të një pjesë të mirë të sistemit politik dhe atij të drejtësisë. Sepse, të gjithë procesin që parashikohet në formimin e drejtësisë së re, por edhe një pjesë të qeverisjes, sidomos atë të rendit, opozita shqiptare është praktikisht duke e bojkotuar. Dhe, kjo është shenja kryesore e një krize sistemi që me shumë gjasa, duke patur parasysh ndarjet e thella që ekzistojnë midis opozitës dhe mazhorancës, do të zgjasë për shumë kohë.

Një nga elementet kryesore të demokracisë është padyshim njohja dhe legjitimimi i kundërshtarit politik. Gjë të cilën, deri më tani, me aksionin dhe retorikën e saj, opozita shqiptare është duke e bojkotuar simbolikisht, por dhe me aksione konkrete.

Përtej debatit nëse ka të drejtë opozita apo jo në çështjet që ngre, ka një element thelbësor të politikës, i cili sheh zhvillimin e betejës së saj brenda sistemit. Jashtë tij, mund të kthehesh në një lëvizje antisistem. Mirëpo, Partia Demokratike e Shqipërisë, në mënyrë absolute nuk mund të konsiderohet një lëvizje e tillë. Ajo është një aset kombëtar i shoqërisë shqiptare, e cila ka një peshë të madhe historike.

Në këtë kuptim, ka të gjithë të drejtën e saj politike për të zhvilluar dhe ngritur çështjet që pretendon se janë shqetësuese për shoqërinë shqiptare, por, gjithmonë duke i bërë ato brenda institucioneve dhe sistemit politik shqiptar. Në të kundërtën, kthehet në një lëvizje antiparlamentare, e cila nuk i shkon përshtat.

Prandaj, është në të mirë të politikës, dhe vetë Partisë Demokratike, futja e aksionit të saj brenda kornizave në mënyrë që, e gjithë energjia e harxhuar për shumë nga çështjet që më të drejtë ajo ngre, të jetë efikase.

Sepse të kuptohemi, opozita shqiptare, gjatë këtij viti, ka patur merita të rëndësishme në shumë nga denoncimet apo çështjet që ka ngritur. Në këtë kuptim, detyrën e saj e ka kryer në shumë aspekte, pasi të vetmin instrument që ka është fjala dhe denoncimi. Mirëpo që aksioni opozitar të ngrihet në një nivel tjetër kërkon një qasje krejtësisht të ndryshme. Një qasje e cila fokusohet te ndërtimi i alternativës, që krijohet vetëm brenda sistemit politik dhe legjitim.

Për të gjitha këto arsye, duhet t’i japim fund politikës konfliktuale, duke patur parasysh të gjitha sfidat që vendi ka përpara, sidomos këtë sesion të ri parlamentar, të cilat kanë nevojë për bashkëpunim politik. Në këtë drejtim, një rol kryesor ka qeveria dhe mazhoranca politike. Është ajo, që në raste të tilla, gjithmonë shtrin dorën e bashkëpunimit, sepse është përgjegjësia e saj për të krijuar një klimë politike bashkëpunuese.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi