Lehtësia e padurueshme e krizës

Nga Vladimir Karaj, botuar në Mapo, 10 prill 2017

Shqipëria po e kapërcen pragun e krizës së sajuar, për të hyrë këtë javë në krizën e institucioneve. Prej nesër me kapërcimin e afateve të regjistrimit të partive në zgjedhje dhe gjatë javës me nisjen e detyrimit për të krijuar komisionet parlamentare për institucionet e vettingut dhe fillimin e procedurave për presidentin.

Mundësitë që vendi dhe politika të hiqen zvarrë në krizën për të cilën deri tani nuk ka asnjë propozim zgjidhjeje që do i kënaqte të gjitha palët, janë bërë më të dukshme. Ftesat për dialog janë lënë pezull nga dy forcat kryesore politike, ndërsa një pjesë e kërkesave të opozitës bëhen gjithmonë e më pak të arritshme në kohën e mbetur deri në 18 qershor.

Por përtej kësaj, kriza ku partitë politike po shtyjnë vendin duket e pashmangshme. Megjithëse plot retorikë monotone, ultimatume, shantazhe dhe blofe, asnjë prej palëve nuk duket e pakënaqur, të paktën publikisht, me gjendjen në të cilën ndodhen.

Qeveria, të paktën shumica e saj socialiste, është gati siç thotë të shkojnë në zgjedhje pa forcat kryesore të opozitës, madje edhe pa aleatin LSI. Vendimi i socialistëve u përsërit nga kryeministri që gjatë javës së kaluar vijoi thirrjet më shumë ironike për opozitën që ftohet në dialog pakushte.

Qëndrimi i Ramës është me gjasë përgjigje për të njëjtën masë që përdor Partia Demokratike. Kjo e fundit, ende në kërkim të një aleati domethënës në arenën ndërkombëtare, i qëndron opsionit të saj të vetëm të ndërrimit të qeverisë dhe njëkohësisht shtyrjes së zgjedhjeve për t’i dhënë (thotë PD) mundësi qeverisë së re që të bëjë një listë me punë.

Por agjenda kokëfortë e “qeverisë së re” që PD ka caktuar ashtu si pozicioni i Ramës dhe PS, mund të lexohen si blofe. Lëvizjet vetëvrasëse në politikën shqiptare kanë qenë të rralla, kryesisht palët kanë lëvizur në ujëra të cekët retorike boshe dhe shumica presin që kjo të përsëritet.

Në këtë kuptim kriza në thelb mund të mos ekzistojë që sot apo të shuhet të martën, por njëkohësisht mund të vijojë edhe për javë të tjera derisa me gjasë presioni ndërkombëtar mbi palët të bëhet i “papërballueshëm”.

Ky format sidoqoftë e bën gjithçka të lexueshme, si konfliktin ashtu edhe zgjidhjen e tij. Një skenar monoton dhe i pandryshueshëm që e kërkon faktorizimin jo në Tiranë, por në kryeqytetet e BE dhe SHBA. Të dy këta partnerë do “detyrohen” në fund të ripajtojnë palët politike duke iu “lehtësuar” negociatat.

Qasja drejt blofit, diçka që PS e bëri në opozitë kur kërkonte hapje kutish në disa qendra votimi me grevë urie, si zor se do të marrë përgjigje pozitive, por palët do eglendisen në negociata për të shpallur fitore në fund të tyre.

Kjo është skema e deritanishme. Vetëm nëse njëra palë del prej skemës, kjo do të thotë që vendi mund të ketë probleme serioze, por që kjo të ndodhë do duhej që minimalisht një prej palëve të ishte përfshirë në propozime që nuk kërkojnë zhdukjen e tjetrës. Qasjet radikale, sado të papajtueshme, nuk lexohen dot seriozisht mu sepse kërkesa për të “fshirë” kundërshtarin në situatën që ndodhet vendi është krejtësisht e paimagjinueshme. Kjo e bën krizën të lehtë e njëkohësisht të papërballueshme.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi