Koha për katarsis

Nga Afrim Krasniqi, botuar në Shqiptarja.com

Afrim_KrasniqiSkandali më i fundit politik lidhur me akuzat dhe kundër-akuzat mbi atentate politike dhe përfshirje të zyrtarëve më të lartë, dha provën e radhës se institucionet shqiptare të së drejtës janë ende larg pritshmërinë, nevojave dhe standardeve të shtetit të së drejtës.

Gjuha e akuzave mbi aktivitete kriminale ka përfshirë pothuajse të gjithë piramidën shtetërore: parlament, ekzekutiv, prokurori, gjykatë, media, grupe biznesi, autoritete drejtuese lokale dhe dy ambasadat kryesore perëndimore në Tiranë. Pothuajse çdo media ushqehet përditë me detaje skenarësh, akuza e kundër-akuza, të cilat, duke mbetur të paprovuara dhe pjesë të retorikës politike, përveçse nuk krijojnë panoramë drejt të vërtetës, prodhojnë një gjendje frike, paniku, zhgënjimi dhe konflikti të ri politik.

Çdo palë politike e përfshirë, çdo institucion dhe person zyrtar, ka pjesërisht të drejtë në deklaratat e tij, por të gjithë veç apo së bashku, janë gjithashtu pjesërisht fajtorë për gjendjen e krijuar dhe pasojat që ajo do ketë në mjedisin politik, qytetar e institucional. Secila prej tyre dukshëm del në pah se nuk e ka kryer si e sa duhet detyrën institucionale ligjore, secila ka vepruar sipas udhëzimeve politike të ditës dhe secila pret të përfitojë nga situata më e re, duke mos qenë tërësisht e interesuar për zbardhjen e të gjithë të vërtetës.

Kjo vlen edhe për zyrtarët, gazetarët dhe individët e paguar për të ofruar ose mbrojtur variante që iu shkojnë përshtat padronëve të tyre. Kjo vlen edhe për individët politikanë të përfshirë në debat, të cilët, ndryshe nga premtimi publik për transparencë, moralitet e integritet politik, po flasin, po akuzojnë dhe po dëshmojnë vetëm pasi shohin emrat e tyre në titrat televizivë ose rrjetet sociale.

Fillimisht nuk patën koment dhe refuzuan të kenë dijeni si prokuroria, si policia e shtetit, si strukturat e tjera shtetërore, por më pas, secila prej tyre reagoi, pranoi njohuritë dhe dha versionin e vet, – një skenar i denjë për TV Crimes.

Ajo që nuk ndodhi dhe që duhej të ndodhte, që në momentin e parë kur akuzat dhe pretendimet u bënë publike, ishte nevoja e veprimit institucional: reagim me task force nga Prokuroria, struktura e policisë kriminale në Polici, shërbimi sekret dhe instrumentet e tjera të sigurisë. Ata kanë përgjegjësinë kushtetuese të veprimit, kanë detyrimin të zbardhin të vërtetën, kanë tagrin institucional të hetimit dhe parandalimit të çdo situate që mund të sjellë pasoja negative për vendin.

Edhe këtë herë institucionet nuk vepruan, ose edhe kur u thirrën në veprim, u nxitën nga politika, morën pjesë në takime politike dhe dukshëm kompromentuan elementin e paanësisë dhe aftësisë për të ofruar dhe dhënë drejtësi. Në çdo rast, pavarësisht përfundimit, – skenarë të vërtetë kriminalë apo skenarë të improvizuar, – qytetarët meritojnë një përgjigje zyrtare, të besueshme, të provuar dhe profesionale.

Mënyra sesi po rrjedhin ngjarjet dëshmojnë se edhe këtë herë, kjo përgjigje do të mungojë. Institucionet u informuan dhe heshtën në shtator 2014, u informuan nga partnerët ndërkombëtarë dhe heshtën në prag të zgjedhjeve, dhe tani, në përpjekje të largojnë secili përgjegjësinë nga vetja, kalojnë vijën e kuqe duke ofruar në media detaje e të dhëna, që komplikojnë dhe pamundësojnë vajtjen tek e vërteta.

Çfarë mund të ndodhë me deputetët dhe zyrtarët e përfshirë, politikanë, parti apo individë të tjerë? Me siguri asgjë, por edhe kjo pak rëndësi ka. Sistemi dhe jo individët janë fajtorë. Kështu na thuhej dje kur ngritëm sistemin absurd dhe kriminal komunist, kështu na thanë gjatë tranzicionit të gjatë dhe zhgënjyes, kështu na thuhet sot kur pritshmëritë janë shumëfish më të mëdha.

Në fakt, këto kategori kanë monopolin mbi institucionet dhe informimin publik, ndaj siç kanë kaluar me sukses skandale shumë herë më të mëdha, përfshirë Gërdecin, videon e janarit 2011 apo ngjarjet tragjike që pasuan atë, – do ta gjejnë një zgjidhje edhe tani. Rëndësi ka se çfarë do të ndodhë me sistemin, demokracinë, shtetin e së drejtës, imazhin e vendit dhe shpresën dhe pritshmëritë për drejtësinë e munguar.

Për këtë kërkohen të paktën disa hapa institucionalë e politikë. Së pari, parlamenti do duhet të respektojë tërësisht rezolutën anti-inkriminim, duke bërë publike burimet e fitimit, financimit dhe dosjet penale e personale të secilit anëtar të tij. Më tej parlamenti duhet të jetësojë në Kod Zgjedhor dhe në Kodin e Sjelljes, norma të reja angazhimi dhe detyrimi, për një standard më të lartë të të zgjedhurve vendorë e kombëtarë, përfshirë ministrat e deputetët.

Së dyti, duhet që prokuroria, inspektorati i lartë i kontrollit të pasurive, dhe institucionet e tjera të specializuara, të krijojnë një njësi të përbashkët hetimi kundër akteve korruptive dhe kriminale me suport politik e zyrtar, duke mundësuar pastrimin real të politikës nga protagonistët e të keqes.

Pjesë e paketës duhet të jetë edhe nisja e procedimit për çdo fakt publik denoncues në seancat dhe deklarimet institucionale politike, duke detyruar çdo politikan të shkojë përpara organeve për të provuar akuzat e tyre, ndryshe, duke kërkuar penalizim të vetë sistemit të baltosjes permanente.

Së treti, do të duhet të ndjekim modele të njohura të kërkesës së asistencës nga BE për të sjellë një grup ekspertësh juristë, ekonomistë dhe gjykatës, – një model task force që heton rastet e korrupsionit të zyrtarëve të lartë dhe krimit të organizuar, dhe që ndihmon prokurorinë dhe gjykatën shqiptare për ti kaluar këto dosje përpara drejtësisë.

Së katërti, do duhet që partitë politike parlamentare të zbatojnë aktin e qeverisjes së mirë brenda strukturave të tyre politike, listave të kandidatëve elektoralë dhe përfaqësuesve të tyre. Kjo, duke u distancuar nga çdo akt inkriminues të anëtarëve të tyre, duke refuzuar përfshirjen në lista të kandidatëve me precedentë penalë, duke kërkuar prova të transparencës në financim dhe raportet me gjyqësorin, si dhe duke krijuar praktika të qarta të dhënies së fund të konfliktit të interesit.

Nëse ato e bëjnë, atëherë kryetarët e njësive të reja vendore dhe parlamenti i ardhshëm do ketë një standard shumë më të lartë, përndryshe, ngjarjet e ditëve të fundit do përsëriten periodikisht sipas parimit, në këtë vend çudia më e madhe zgjat vetëm tre ditë.

Së fundi, SHBA dhe BE, dy partnerë me krebilitet dhe informacion, do duhet të aplikojnë standarde të njëjta dhe të qarta për çdo rast në raport me politikanët shqiptarë. Asnjë interes stabiliteti të përkohshëm, gjeopolitik apo pragmatizmi personal e politik nuk do duhej të zhvendoste për asnjë moment prioritetin thelbësor dhe jetik të shqiptarëve për demokraci funksionale dhe shtet të së drejtës.

SHBA dhe BE kanë kapacitete ta mundësojnë këtë në rrugë informale dhe zyrtare, siç kanë të gjitha informacionet që iu duhen, për të kuptuar cilët janë përfaqësuesit e denjë të qytetarëve dhe cilët janë përfaqësuesit, ushqyesit apo lojtarët e sistemit korruptiv të oligarkisë.

Kadare ka përdorur shprehjen e famshme “ra ky mort dhe u pamë”. Sentenca vlen edhe tani. Skandali i radhës, implikimet politike të shumta brenda dhe rreth tij, janë të mjaftueshme për të kuptuar se kjo është një rrugë pa krye, që kërkon zgjidhje urgjente, afatgjatë, të besueshme dhe efektive. Garancitë në demokraci janë institucionet, jo partitë politike dhe militantët e tyre. Ndaj le të heqim dorë nga komunikimi në rrjete sociale dhe media për të folur dhe zgjidhur konfliktet në institucione.

Le të heqim dorë nga nga ushqimi i turmave militante për tu dhënë më shumë hapësirë zërave të arsyeshëm dhe akteve të integritetit publik. Mbi të gjitha, le të mësojmë se krijimi, forcimi dhe ushqyerja e institucioneve vërtetë me integritet dhe të pavarura është dhe mbetet zgjidhja e vetme për sot dhe mot. Një leksion që vlen edhe për debatin më të ri mbi ndryshimet kushtetuese dhe reformat institucionale, – ende të deklaruara, të premtuara dhe ende të papërfunduara.

Afrim Krasniqi

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi