Qeveria e vogël, fillimi i mbarë i mandatit të dytë

Nga Ervis Iljazaj, botuar në Mapo, 18 korrik 2017

Tashmë që Partia Socialiste ka fituar e vetme zgjedhjet e 25 Qershorit, ka të gjitha mundësitë për të ndërtuar një qeveri, e cila të jetë sa më efikase dhe të rrisë cilësinë e shërbimeve kundrejt qytetarëve. I çliruar nga aleatët e koalicionit, që në një farë mënyre bënte të detyrueshme dhe rritjen e numrit të ministrive dhe agjencive administrative përkatëse, Rama ka deklaruar se qeveria e ardhshme do të jetë një qeveri më e vogël dhe me fleksible se ajo e mandatit të parë.

Mirëpo, zvogëlimi i numrit të ministrive nuk është i mjaftueshëm për të ndërtuar struktura shtetërore efikase. Që shërbimet ndaj qytetarëve të jenë sa më efikase dhe me një kosto më të ulët për buxhetin ka nevojë për ndërhyrje edhe më të thellë në të gjithë administratën publike.

Shqipëria, mund të jetë sot një nga vendet që ka numrin më të madh të agjencive administrative në raport me numrin e popullsisë. Shumë shërbime të cilat fare mirë mund të kryhen nga një agjenci e vetme janë shpërndarë në shumë të tilla. Kjo do të thotë rritje të burokracisë, kostove, dhe rraskapitje më e madhe për qytetarët dhe bizneset, të cilët për të kryer një praktikë administrative u duhet të paraqiten në shumë zyra me shumë punonjës që shërbejnë më shumë për strehimin e militantëve partiakë se sa janë një domosdoshmëri për shërbimet shtetërore.

Gjithashtu, është absurde të mendosh, se si Shqipëria, një vend me një popullsi dhe territor të vogël ka ndarje administrative dhe politike lokale që nuk kuptohet se çfarë roli luajnë dhe, që shpeshherë krijojnë një mbivendosje kompetencash të panevojshme dhe të pakuptimtë. Mjafton të përmendim këtu Këshillin e Qarkut apo Prefekturën, të cilat përveçse harxhojnë para publike nga taksat tona nuk kanë asnjë vlerë reale politike apo shoqërore. Tashmë me reformën territoriale, e cila duhet të thellohet edhe më tej, me spastrimin e shumë institucioneve lokale që nuk kryejnë më asnjë rol të rëndësishëm, vendi ka nevojë të rikonceptojë nga e para raportet midis pushtetit lokal dhe atij qendror. Në këtë mënyrë, institucionet do të shërbejnë si një instrument për të rritur cilësinë e shërbimeve aq të domosdoshme për zhvillimin ekonomik dhe rajonal dhe jo si një pengesë për to, siç kanë qenë deri më tani.

Nëse vërtet do të jetë kështu, atëherë ky përbën një lajm dhe një fillim të mirë për mandatin e dytë të Qeverisë Rama. Gjatë fushatës zgjedhore Rama u fokusua më shumë në mënyrën e qeverisjes se sa te përmbajtja e saj, duke kërkuar timonin i vetëm me qëllim krijimin e një qeverie dhe administrate që nuk do të ndahej në formën e një “tepsie” për hir të aleancave të pushtetit.

Nuk mund të ndodhte ndryshe, pasi spastrimi i administratës publike dhe reformimi i saj, ishte i vetmi premtim elektoral i Ramës gjatë fushatës zgjedhore, i cili nuk do të kishte kuptim nëse nuk do të fillohej ky operacion nga arkitektura e re e qeverisë duke e zvogëluar atë.

Andaj, nëse Rama kërkon vërtet të krijojë një qeveri, e cila do të jetë efikase dhe të shërbejë si një partner me qytetarët dhe biznesin, të gjitha këto vendimmarrje janë hapa të detyrueshëm për të, aq më tepër që është dhe një premtim elektoral.

Nuk ka aspak kuptim, që Shqipëria, një vend i vogël të ketë një qeveri të madhe, që ndër të tjera shërben vetëm për të krijuar pushtete politike, të cilat rrisin varësinë nga punonjësit publikë dhe, në këtë mënyrë tendencën për korrupsion.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi