Presidenti Nishani nuk dekreton Ligjin e ri për Turizmin

Presidenca, 10 gusht 2015

Presidenca

Presidenti i Republikës Bujar Nishani nuk e ka dekretuar ligjin e ri për Turizmin duke i hapur rrugë edhe njëherë diskutimit të tij në Kuvend. Zyra e Presdentit të ka dhënë edhe arsyet e mosdekretimit.

Arsyea e pare:

Ligji në nenin 31 pika 1 të tij përcakton se: ‘Ministria përgjegjëse për Turizmin përgatit projekte për mbështetje të projekteve në fushën e turizmit’, ndërsa në pikën 3 përcakton se: ‘Ministria përgjegjëse për Turizmin nga fondi buxhetor i miratuar çdo vit financon projekte edukimi, promovimi dhe studime apo modele produktesh turistike në ndihmë të zhvillimit të turizmit të paraqitura nga persona fizikë dhe juridikë, vendas dhe të huaj.’ Për këtë, në ligj në pikën 4 të nenit 31 është parashikuar se ky fond mund të përdoret pa iu nënshtruar rregullave të prokurimit publik. Pra legjislatori, ka parashikuar se Ministri i Ekonomisë dhe Turizmit mund ta përdorë këtë fond pa iu nënshtruar rregullave të prokurimit publik, ndërkohë që ligji nr.9643, datë 20.11.2006 “Për Prokurimet Publike në R.SH-së”, i ndryshuar, në nenin 7 të tij nuk ka përjashtuar aplikimin e rregullave të prokurimeve në rastin e përdorimit të fondeve në fushën e Turizmit. Duhej më parë të ishte parashikuar përjashtimi në ligjin bazë të Prokurimeve, në mënyrë që të bëhej një rregullim i tillë në nenin 31/4 të ligjit.

Kjo është paraqitur si rezervë edhe në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave , në Komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut dhe e debatuar nga ana e anëtarëve të Komisionit të Ligjeve dhe ngritur si shqetësim , duke arritur në përfundimin që të hiqet pika 4 e nenit 31 të ligjit për sa kohë bie në kundërshtim me nenit 7 të Ligjit nr.9643, datë 20.11.2006 “Për Prokurimet Publike“, të ndryshuar.

Arsye e dytë:

Ligji në nenin 34/2 të tij përcakton se: ’Pasuritë e paluajtshme në administrim të njësive të qeverisjes vendore që ndodhen në zonat me përparësi zhvillimi turizmi me VKM brenda 2 muajve nga miratimi i zonës kalojnë në administrim të Ministrisë përgjegjëse për turizmin’, ndërsa në pikën 3 të nenit 34 përcaktohet se: ‘Këshilli i Ministrave rast pas rasti miraton me vendim të veçantë transferimin në favor të shtetit pasuritë e paluajtshme të pushtetit lokal në pronësi të njësive të qeverisjes vendore që ndodhen në zonat me përparësi zhvillimin e turizmit’.

Një rregullim i tillë ligjor bie në kundërshtim me nenin 13 të Kushtetutës, duke cënuar parimin e decentralizimit të pushtetit dhe të autonomisë vendore, mbi bazën e të cilave duhet të funksionojë qeverisja vendore. Gjithashtu, bie në kundërshtim dhe me nenin 113/1/b të Kushtetutës si dhe ligjin nr.8652 “Mbi organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore”, (në nenin 8 pika 2), ligj i miratuar me shumicë të cilësuar, në të cilat përcaktohet e drejta e pronësisë si një prej të drejtave themelore të njësive të qeverisjes vendore, dhe njëkohësisht u jep të drejtën e kryerjes së veprimtarive ekonomike dhe mbledhjes së të ardhurave. E drejta e pronësisë ushtrohet nga këshilli bashkiak dhe është kryetari i bashkisë që zbaton vendimmarrjen e këshillit bashkiak lidhur me ushtrimin e të drejtës së pronës dhe të administrimit të saj në mënyrë të pavarur, duke realizuar të ardhura.

Për më tepër, kjo e drejtë cënohet për sa kohë që në nenin 35 /5 të ligjit përcaktohet se në rastet e investitorëve me status të investimeve Strategjike, Këshilli i Ministrave rast pas rasti vendos t’ia transferojë të drejtën e pronësisë të pasurisë së paluajtshme nga shteti tek investitori privat, përveç se më parë vendos t’ia vejë në dispozicion një investitori për një afat prej 99 vjetësh kundrejt çmimit 1 Euro. Pra është e qartë, se përmes këtij ligji cënohet prona e pushtetit vendor, ku Këshilli i Ministrave ia merr pronën pushtetit vendor dhe ia kalon investitorit privat pa asnjë çmim.

Por jo vetëm, pasi referuar këtij ligji dhe ligjit “ Për investimet Strategjike” cënohet edhe e drejta e pronësisë së pronarëve të ligjshëm, ku Shteti ndërhyn në rastet kur nuk ka një marrëveshje me pronarin, duke e shpronësuar atë, apo edhe duke ia mohuar të drejtën e kthimit apo të disponimit të pronës nga pronari dhe duke ia vënë në dispozicion pa asnjë shpërblim investitorëve në sektorin e turizmit. Në këtë mënyrë shkelet edhe parimi i sigurisë juridike referuar edhe nenit 4 të Kushtetutës, sipas të cilit ‘e drejta përbën bazën dhe kufijtë e veprimtarisë së shtetit’.

Ky qëndrim me rezerva është mbajtur edhe nga deputetët në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave dhe në Komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, të cilat ka arritur në përfundimin se ekzistojnë shkelje të neneve të Kushtetutës, përmes të cilat sjellin si pasojë dhe cënimin e autonomisë vendore.

Së treti:

Rregullimet ligjore referuar nenit 34 dhe 35 të ligjit cënojnë parimin e sigurisë juridike, pasi nuk tregohet mënyra rregullat dhe procedurat për të vënë në dispozicion të investitorit pronën shtetërore, ndërkohë që termi “vënie në dispozicion” nuk njihet as nga KC i R.Sh-së. Kushtet për vënien në dispozicion të pasurive shtetërore për një periudhë 99 vjet, dhe nëpërmjet kontratës simbolike 1 Euro duhet të përcaktohen në ligj dhe jo me vendim të Këshillit të Ministrave, gjë e cila është rekomanduar dhe nga Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, por duket që nuk është marrë në konsideratë.
Gjykata Kushtetuese në vendimin nr.34, datë 20.12.2005 ka arritur në përfundimin se:

“Një nga elementet më esencialë të parimit të shtetit të së drejtës është edhe ai i sigurisë juridike, i cili, ndër të tjera, ka si kërkesë të domosdoshme faktin që ligji në tërësi, pjesë apo dispozita të veçanta të tij, në përmbajtjen e tyre duhet të jenë të qarta dhe të kuptueshme…. Por që të realizohet një gjë e tillë, para së gjithash, ligji duhet kuptuar saktë dhe drejt. Prandaj duhet të dalë qartë qëllimi i hartimit të tij. Ai duhet të përcaktojë mjetet e ndërhyrjes, subjektet të cilave u drejtohet, raportet e caktuara të sjelljes dhe mënyrën e zbatimit të tij. Rezultati që synohet duhet të jetë i pritshëm dhe pasojat të parashikueshme për subjektet të cilëve u drejtohet ligji në tërësi, ose dispozita të veçanta të tij”.

E njëjta gjë mund të thuhet edhe për organet e qeverisjes vendore, të cilave u hiqet prona nga pushteti qendror për t’i kaluar pa asnjë shpërblim atyre që do të përcaktohen nga Qeveria si investitorë Strategjikë.

Ligji ka paqartësi edhe në rastet, kur prona e konsideruar shtetërore është de facto pronë e një pronari, që pret të ekzekutojë një vendim përfundimtar, apo është në procese gjyqësore deri në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut si rezultat i abuzimit të autoriteteve shtetërore me të drejtat e tij të pronësisë, apo qoftë edhe rasti kur pronari pret prej vitesh përmbylljen e një procesi administrativ të tejzgjatur për kthimin e pronës së tij që nga qeveria mund të jetë përfshirë në zonat e miratuara me përparësi zhvillim turizmi.

“Të nderuar deputetë, Në përfundim, referuar sa më sipër kërkoj mirëkuptimin Tuaj në rishqyrtimin e ligjit nr. 93/2015 pasi nenet 31/4, 34/2, 34/3 dhe 35 të tij bien ndesh me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, jurisprudencën me fuqi detyruese të Gjykatës Kushtetuese dhe ligje të tjera në fuqi në R.SH-s” bën thirrje Presidenti Nishani.

Në seancën plenare të datës 27 korrik 2015, Kuvendi ka miratuar ligjin nr. 93/2015 “Për turizmin”. Ky ligj është paraqitur për shpallje më datë 30 Korrik 2015.

Referuar Relacionit të projektligjit të paraqitur nga Qeveria, përmes këtij ligji synon të krijojë kuadrin ligjor të nevojshëm që turizmi të mbështetet si një sektor kryesor ekonomik, i cili krijon vende të reja pune, kontribuon në uljen e varfërisë dhe ofron mundësi fitimi e rritjeje, veçanërisht për komunitetet rurale, me synimin e harmonizimit të tërësisë së veprimtarive turistike, që plotësojnë kërkesat e turistëve të huaj dhe vendas, mbron dhe ripërtëritjen e trashëgiminë kulturore dhe mjedisore, si pasuri për gjeneratat e sotme e ato të ardhshme.

Ky ligj ka përcaktuar ndër të tjera se Ministria përgjegjëse për turizmin përgatit dhe mbështet programe për realizimin e projekteve në fushën e turizmit që financohen nga buxheti i ministrisë dhe realizimi i këtyre projekteve është përjashtuar nga procedurat e prokurimit publik, pa përcaktuar kritere në lidhje me rregullat e konkurrimit.

Gjithashtu, përmes këtij ligji është përcaktuar roli i shtetit në rolin e zhvilluesit, dhe në këtë kuadër Këshilli i Ministrave vendos që pasuritë e paluajtshme në pronësi të shtetit apo të njësive të qeverisjes vendore brenda dy muajve nga miratimi i zonës, të kalojnë në administrim të ministrisë përgjegjëse për turizmin. Këshilli i Ministrave rast pas rasti miraton me vendim të veçantë transferimin në favor të shtetit pasuritë e paluajtshme të pushtetit lokal në pronësi të njësive të qeverisjes vendore që ndodhen në zonat me përparësi zhvillimin e turizmit.

Në ligj përcaktohet se në rastin e investimeve në zonat me përparësi zhvillimin e turizmit, vihen në dispozicion pasuritë e paluajtshme për një afat 99 vjet për ndërtimin e strukturave akomoduese dhe strukturave të tjera turistike, pa u përcaktuar forma ligjore referuar edhe KC të R.SH-së. Më pas kjo paqartësi shoqërohet edhe nga përcaktimi përmes të cilit Këshilli i Ministrave në rastet e investitorëve me status të investimeve Strategjike, rast pas rasti vendos t’ia transferojë të drejtën e pronësisë të pasurisë së paluajtshme nga shteti tek investitori privat.

Në bindje të Kushtetutës së Shqipërisë dhe në ushtrim të së drejtës të parashikuar në pikën 1 të nenit 85 të Kushtetutës kam vlerësuar se ky ligj, duhet kthyer për rishqyrtim Kuvendit mbështetur në arsyet dhe argumentet e mëposhtme.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi