Zgjedhja dhe mandati i Presidentit të Shqipërisë

Procedura e zgjedhjes së Presidentit është paraparë në nenin 87. Sipas tij kandidati për President i propozohet Kuvendit nga një grup prej jo më pak se 20 deputetësh. Një deputet nuk lejohet të propozojë në të njëjtën kohë më shumë se një kandidat. Presidenti i Republikës zgjidhet me votim të fshehtë dhe pa debat nga Kuvendi. Për zgjedhjen e Presidentit, Kuvendi zhvillon deri në pesë votime. Votimi i parë zhvillohet jo më vonë se shtatë ditë nga fillimi i procedurës për zgjedhjen e Presidentit. Secili nga votimet e tjera zhvillohet jo më vonë se shtatë ditë nga përfundimi pa sukses i votimit pararendës. Votimi quhet i kryer edhe kur në konkurrim nuk paraqitet asnjë kandidat. Në votimin e dytë, të tretë dhe të katërt mund të paraqiten kandidatë të rinj, sipas kushteve të paragrafit të parë si më sipër. Presidenti zgjidhet në votimin e parë, të dytë ose të tretë kur një kandidat merr jo më pak se tri të pestat e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Në votimin katërt dhe të pestë zgjidhet President kandidati që siguron më shumë se gjysmën e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Votimi i pestë zhvillohet kur në votimin e katërt asnjë kandidat nuk ka siguruar shumicën e kërkuar të votave. Votimi i pestë zhvillohet vetëm midis dy kandidatëve që kanë marrë më shumë vota në votimin e katërt. Në rast se ka më shumë se dy kandidatë me të njëjtin numër votash, kandidati që merr pjesë në votim caktohet me short. Në rast se pas votimit të katërt nuk ka mbetur asnjë kandidat në konkurrim, për këtë votim mund të paraqiten kandidatë të rinj, sipas kushteve të paragrafit të parë si më sipër. Kur paraqiten më shumë se dy kandidatë, votimi zhvillohet midis dy kandidatëve që kanë siguruar numrin më të lartë të deputetëve propozues. Në rast se edhe pas votimit të pestë asnjë kandidat nuk siguron shumicën e kërkuar, ose kur pas votimit të katërt pa sukses nuk paraqitet asnjë kandidaturë e re, Kuvendi shpërndahet. Zgjedhjet e reja zhvillohen brenda 45 ditëve nga shpërndarja e tij. Kuvendi pasardhës e zgjedh Presidentin e Republikës me shumicën e të gjithë anëtarëve të tij.

Presidenti i Republikës, në çdo rast, zgjidhet për 5 vjet, me të drejtë rizgjedhjeje vetëm një herë. Mandati përfundon në të njëjtën datë të të njëjtit muaj të vitit të pestë nga data e betimit si President i Republikës. Mandati i Presidentit zgjatet vetëm në kohë lufte dhe për aq kohë sa vazhdon ajo. Procedura për zgjedhjen e Presidentit fillon jo më vonë se 60 ditë para mbarimit të mandatit presidencial paraardhës. Kur mandati presidencial përfundon në gjashtë muajt që i paraprijnë fundit të mandatit të Kuvendit ekzistues, procedura për zgjedhjen e Presidentit fillon jo më vonë se 60 ditë para mbarimit të mandatit të Kuvendit. Presidenti fillon në detyrë pasi bën betimin para kuvendit, por jo më parë se të ketë mbaruar mandati i Presidentit që largohet. Presidenti bën këtë betim: ” Betohem se do t’i bindem Kushtetutës dhe ligjeve të vendit, do të respektoj të drejtat dhe liritë e shtetasve, do të mbroj pavarësinë e Republikës së Shqipërisë dhe do t’i shërbej interesit të përgjithshëm dhe përparimit të Popullit Shqiptar “. Presidenti mund të shtojë edhe: ” zoti më ndihmoftë “. Presidenti që jep dorëheqjen para mbarimit të mandatit të vet, nuk mund të kandidojë në zgjedhjen presidenciale që bëhet pas dorëheqjes së tij.

Repository


Dokumente të politikave publike dhe reformave të shtetit
English

Thënie për Shtetin

  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi
  • Detyra e shteteve të mëdha është të shërbejnë dhe jo të dominojnë botën.
    - Harry S. Truman
  • Paul Valery
    - Nëse Shteti është i fortë, ai na shtyp. Nëse ai është i dobët, na zhduk.
  • Kur je jashtë vendit, je burrë shteti; kur je në atdhe, je vetëm një politikan.
    - Harold MacMillan