Si zhvillohet procesi ligjvënës?

(Shih edhe Pjesmarrja e publikut ne procesin e vendimmarrjes se Kuvendit 

Procesi i hartimit dhe miratimit të projektligjeve zhvillohet përmes një shumëllojshmërie formash dhe metodash, megjithatë hapat kryesore të këtij procesi janë: Hartimi paraprak, Konsultimi midis autoriteteve qeveritare, Konsultimi me aktorët jashtë qeverisë, Diskutimi dhe miratimi nga Këshilli i Ministrave, Procedura parlamentare, Shpallja nga Presidenti dhe botimi në gazetën zyrtare. Kur flitet për procesin ligjvënës zakonisht nënkuptohet pjesa e procedurës parlamentare. Në fakt, ajo është një hallkë e procesit legjislativ, e lidhur në zinxhir me hallkat e tjera. Pjesa e parë e procesit legjislativ, deri në fillimin e procedurës parlamentare, realizohet nga Këshilli i Ministrave. [Shih: Procesi i politik-bërjes dhe vendimmarrjes në fushën legjislative, Libraria ShtetiWeb]

Procesi ligjvënës (procedura parlamentare) zakonisht kryhet në katër faza: faza pregatitore, faza e diskutimit të përgjithshëm, faza e diskutimit dhe miratimit nen për nen si dhe faza e miratimit në tërësi. Në mënyrë analitike procedura parlamentare legjislative në Kuvendin e Shqipërisë jepet në materialin përkatës ne [Libraria ShtetiWeb, Dossier].

Zakonisht afatet kohore midis fazave të ndryshme që përbëjnë procesin ligjvënës, përcaktohen në rregulloren e parlamentit, por në rastin e kushtetutave «strikte» disa nga këto afate, përbëjnë norma kushtetuese. Kur afatet kohore midis fazave përbërëse të procesit kërkohen të shkurtohen, atëhere procesi normal thuhet se aplikohet në « procedurë të përshpejtuar ». Ndërsa në procedurën e përshpejtuar shkurtohen afatet kohore midis fazave të ndryshme, në procesin e shkurtuar , shkurtohen fazat; procesi i shkurtuar  zhvillohet tërësisht në komisionin parlamentar. Në këtë rast, të dy fazat e procesit normal, faza paraprake dhe ajo vendimarrëse, realizohen  së bashku në komision. Kjo praktikë zbatohet kryesisht në parlamentin italian.

Momentet kryesore të procesit ligjëvënës janë:

 1) Iniciativa legjislative,

2) Shqyrtimi i projektligjeve në Kuvend,

3) Shpallja dhe Botimi,

4) Hyrja në fuqi.

            1. Iniciativa legjislative

            a) Iniciativa e Këshillit të Ministrave

Iniciativat legjislative të Këshillit të Ministrave zënë vendin kryesor në ushtrimin e kësaj të drejte. Mesatarisht, në raport me iniciativat e deputetëve, projektligjet e qeverisë zënë mbi 90 %. Fakti i përparësisë së iniciativave të qeverisë është karakteristikë për sistemet parlamentare. Është qeveria përgjegjëse për realizimin e një programi politik të caktuar, i cili mishërohet në miratimin e legjislacionit përkatës. Përgatitja e projektligjit nga ana e qeverisë deri në miratimin e tij dhe dërgimin në Kuvend kalon nëpër disa faza.

            b) Iniciativa e deputetit

Iniciativa legjislative e deputetit zë një përqindje të vogël të projektligjeve të paraqitura. Kjo lidhet kryesisht me arsye që deputeti nuk ka burimet dhe mjetet e duhura informuese dhe këshilluese duke i krahasuar me ato të ekzekutivit. Normat kushtetuese e kufizojnën deputetin të paraqesë projektligje të cilat prekin Buxhetin e Shtetit. Për këto projektligje duhet të shprehet më parë Këshilli i Ministrave. Në praktikë, deputeti mund të kërkojë asistencën e shërbimit ligjor në Shërbimin juridik të Kuvendit. Deputeti mund të mbështetet dhe në burime jashtë parlamentit. Zakonisht, sipas grupeve parlamentare, deputetët mbështeten nga specialistët pranë partive të tyre.

           c)Iniciativa e 20 000 zgjedhësve

Kushtetuta (neni 81) sanksionon dhe inisiativën popullore, e cila kërkon që projektligji të nënshkruhet nga 20 000 zgjedhës. Qëllimi i kësaj të drejte të rëndësishme është që të bëjë të mundur futjen dhe shqyrtimin në Parlament të propozimeve të shoqërisë civile, për të cilat qeveria dhe grupet parlamentare janë pak të interesura t’i sjellin në Parlament. Një inisiativë e tillë në Kuvendin e Shqipërisë është ushtruar vetëm në një rast në vitin 1996 lidhur me ligjin nr. 7698, datë 15.4.1993 “Për kthimin dhe kompesimin e pronave ish-pronarëve”, të cilin Kuvendi mbasi e morri në shqyrtim nuk e miratoi në parim.

             2. Shqyrtimi i projektligjeve në Kuvend

Projektligjet që depozitohen në Parlament shqyrtohen sipas një procedure të caktuar që është e bazuar në Kushtetutë  dhe e rregulluar në mënyrë më të detajuar në Rregulloren e Kuvendit. Në bazë të kësaj procedure, projektligji kalon nëpër disa faza deri në miratimin e tij.

             a) Përcaktimi i radhës së shqyrtimit të projektligjeve; rendi i ditës

Radha e shqyrtimit të projektligjeve në seancë plenare, përcaktohet nga Konferenca e Kryetarëve. Në këtë mbledhje merr pjesë dhe një anëtar i qeverisë i ngarkuar për marrëdhëniet me parlamentin. Programi dhe kalendari i miratuar me konsensus i bëhet i njohur Kuvendit dhe është i detyrueshëm të zbatohet. Çdo deputet ka të drejtë të propozojë shtesa në këtë program, të cilat votohen në seancë plenare. Projektligjet nuk mund të futen në rendin e ditës dhe të shqyrtohen pa kaluar të paktën një afat prej 10 ditësh nga depozitimi i tyre.

           b) Shqyrtimi i projektligjeve nga komisionet parlamentare

Pas miratimit të kalendarit të Kuvendit, komisionet e përhershme parlamentare hartojnë programet e tyre, në të cilat përcaktojnë radhën e shqyrtimit të projektligjeve. Zakonisht, një projektligj shqyrtohet nga komisioni përgjegjës sipas fushës dhe objektit të projektit. Komisioni, gjatë shqyrtimit të projektligjeve, në radhë të parë dëgjon iniciatorët dhe deputetët relatorë.

Komisioni e vlerëson, sipas karakterit të projektligjet, nevojën e marrjes së informacionit dhe konsultimit me burime të tjera që janë jashtë qeverisë. Një element i rëndësishëm në këtë drejtim është organizimi i seancave të dëgjimit publik me përfaqësues të organizatave joqeveritare, si dhe të subjekteve të tjera të interesuara. Pas shqyrtimit të projektit, komisioni përkatës harton një raport, duke bërë propozime lidhur me miratimin e tij ose, sipas rastit, me ndryshimin ose me hedhjen poshtë të projektligjit të shqyrtuar.

       c) Shqyrtimi i projektligjeve në seancë plenare

Në fillim të debatit për projektligjet në seancë plenare, nga iniciatori paraqiten arsyet dhe motivet që kanë përcaktuar propozimin e projektit, më pas bëhen pyetje në parim dhe jepen përgjigjet. Në vazhdim, paraqiten raportet e komisioneve dhe hapet diskutimi në parim. Në fund të debatit në parim, ku çdo deputet ka të drejtë të flasë deri në 10 minuta, flasin kryetarët e grupeve parlamentare. Pas kësaj votohet projekti në parim.

Pas miratimit në parim kalohet në miratimin nen për nen. Gjatë shqyrtimit nen për nen diskutohen dhe ndryshmet e eventuale që mund të jenë propozuar nga komisionet e përhershme. Pas miratimit nen për nen projektligji miratohet në tërësi së bashku me gjithë ndryshimet e bëra.

Kuvendi, për miratimin e ligjeve vendos me shumicë të thjeshtë votash me përjashtim të ligjeve të parashikuar nga neni 81 i Kushtetutës për të cilat kërkohet një shumicë prej tri të pestat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Për ndryshimet kushtetusee kërkohet një shumicë prej jo më pak 2/3 e të gjithë deputetëve. Mbas miratimit ligji firmoset nga Kryetari i Kuvendit dhe i dërgohet Presidentit të Republikës për shpallje.

 3. Shpallja dhe botimi

Ligji i miratuar nga Kuvendi shpallet nga Presidenti brenda 20 ditësh. Presidenti ka të drejtë ta kthejë ligjin për rishqyrtim vetëm një herë. Në rastin kur ligji kthehet për rishqyrtim nga ana e Presidentit, Kuvendi e shqyrton sipas procedurës të përmendur më sipër dhe në përfundim vendos për miratimin ose jo të rekomandimeve të Presidentit, me shumicë e të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Nëse brënda 20 ditëve Presidenti i Republikës nuk shprehet, ligji quhet automatikisht i shpallur.  Pas shpalljes ligji botohet në Fletoren Zyrtare. Afati për botimin e ligjit nuk është i përcaktuar në kushtetutë, me përjashtim të rasteve të veçanta të parashikuar në neni 84, pika 4. Në kto raste ligji duhet të botohet në Fletoren Zyrtare në numërin më të parë të saj.

4. Hyrja në fuqi

Ligji hyn në fuqi me kalimin e jo më pak se 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare duke përjashtuar rastet kur parashikohet ndryshe nga vetë ligji. Ligjit, në parim nuk mund t’i jepet fuqi prapavepruese. Në rastet kur ligjvënësi çmon se është i domosdoshëm një afat i ndryshëm nga afati 15 ditor, atëherë ky afat duhet të përcaktohet prej tij dhe të shprehet në tekstin e vetë ligjit. Kushtetuta ka parashikuar se, në përjashtim nga rregulli i përgjithshëm, ligji mund të hyjë në fuqi menjëherë kur plotësohen disa kushte së bashku: a) kur janë rastet e masave të jashtëzakonshme, si dhe në rast nevoje e urgjence; b) Kuvendi vendos me shumicën e të gjithë anëtarëve; c) Presidenti jep pëlqimin; ç) Ligji njoftohet publikisht.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi