Kodi i vullnetit të mirë

Nga Elsa Ballauri, botuar në Panorama Online, 3 tetor 2014

ELSA-BALLAURINë këto dy dekada post diktaturë, në mes të të tjerave, jemi ngatërruar keq në vorbullën marramendëse të sjelljes së keqe.

Jemi katandisur në një lloj shoqërie – fabrikë përpunimi ku ligësia dhe fjala e hidhur merr formën e plumbave kundër njëri-tjetrit. Nuk e vëmë re se plumbat, pothuajse të gjithë, pasi plagosin dhe vrasin, kthehen dhe na qëllojnë nga e para. 

Gjuha e urrejtjes, dhe më keq se kaq, institucionalizimi që i është bërë kësaj nga nivelet më të larta të qeverisjes shqiptare, po fillon të shpërbëjë shpresën e marrëveshjes për të jetuar së bashku në një shtet normal. Dhe kjo nuk fillon vetëm me Parlamentin, por fakti që parlamentarët më shumë se kushdo tjetër kanë ngjitur si me zamkë brenda psikologjisë së rrugës, i ka bërë qytetarët shqiptarë dyshues për rolin dhe rëndësinë e tij. Ne shqiptarët jemi idhullorë, të kënaqur dhe të qetë kur të pushtetshmit i marrin frenat në dorë: ata na japin punën, bukën, na ndërtojnë rrugët, na hapin shkollat, bëjnë konferencat ku flasin në emrin tonë, ata bëjnë ligjet, i zbatojnë siç duan…, nëse ne përpiqemi të kundërshtojmë, ata na trembin me dëbim nga puna, me ofendim, më sharje, me burg. E megjithatë, ne përpiqemi të ringrihemi – edhe kur e bëjmë, fillojmë t’i duam idhujt nga e para. E gjithfarë gjërash të tilla vazhdojnë të ndodhin, vazhdojmë të mbetemi në duart e pushtetarëve pa vlera dhe të ndihemi mirë nën përkundjet e tyre cinike. E dimë që e kemi gabim, e dimë që nuk duhet kështu, por nëse e pyesim njëri-tjetrin “pse?”, përgjigjja është: “E DI SE Ç’TË BËJNË ATA?” … Dhe vërtet…, ata të bëjnë…. Dhe kështu njeriu i thjeshtë e i vogël, ai i pambrojturi i madh struket, fshihet, vuan, përpiqet të mbajë radhën e të anëtarësohet në partinë më të suksesshme dhe më të pushtetshme, e njëkohësisht i duhet të durojë akoma më shumë politikën e madhe të vulgaritetit. 

Ne jemi duke dëgjuar çdo ditë nëpërmjet deklaratave ironitë dhe sarkazmat pa shije dhe të mbushura me inat të politikanëve kundër njëri-tjetrit, ndjekim çdo të enjte Parlamentin, shumë prej nesh me shpresën se diçka do ndryshojë, të tjerë me qejf se argëtohen me sharjet origjinale dhe të papritura të deputetëve. Është bërë normale më shumë argëtimi sesa shqetësimi, sepse shqiptarët janë edukuar tashmë me këtë model parlamentar- betejë batutash. Qytetarët ndihen jashtë politikës së deputetëve të tyre, janë të pamundur të kërkojnë llogari sepse as Kodi Zgjedhor nuk ua lë këtë mundësi, ata nuk i njohin deputetët e tyre. Kështu politika e Parlamentit mbetet larg e më larg nga njerëzit, parlamentarët duken si alienë apo klounë që shkojnë në Parlament për të argëtuar njëritjetrin. Bashkë me ofendimet e parlamentarëve, qytetarët seriozë shqiptarë ofendohen edhe ata vetë, e duket sikur të gjithë përlyhemi nga pak, duket sikur të gjithë shajmë dhe na shajnë dhe duke e shndërruar kësisoj këtë sjellje në një normalitet të frikshëm dhe solid.

Mungesa e kodit të etikës parlamentare nuk është një rastësi. Vetë parlamentarët janë ata që nuk durojnë dot të kenë nëpër këmbë disa rregulla që do t’i bëjnë ata të japin llogari, të mos ulërijnë pasionin e tyre kur iu preket interesi, të mos sillen si shitës zarzavatesh në një pazar të hallakatur, të mos mendojnë se salla e Parlamentit është fusha para pallatit ku luhet “luftash”. Kodi i etikës do të jetë fillimi i një rregulli që jo vetëm e bën Parlamentin më të ndërgjegjshëm për punët që ka marrë përsipër, por edhe rregullon moralin e shtetit, duke e bërë këtë një model pozitiv edhe për shtetasit. Sikurse thashë më lart, shqiptarët, në mos janë krijues të guximshëm, të paktën janë imitues të zellshëm. Nga frika, nga pasiguria apo nga dëshira, ata dinë të imitojnë. 

Dhe sa më shumë e kemi njohur botën e qytetëruar, aq më mirë do t’i vlerësojmë modelet e imitimit. Le të jetë edhe Parlamenti një skenë e dobishme për t’u imituar. E çuditshme është se si vetë deputetët e kanë harruar që përpara disa vjetësh, fillimi i hartimit të kodit të etikës parlamentare u quajt një sukses, atëherë kur Topalli e përshëndeti në Parlament. Pastaj u harrua. Si shumë gjëra të tjera që harrohen nëse politikanët kanë interes që ato të harrohen. 

Sipas stilit tonë të të bërit “sikur”, kodi i etikës u pluhuros në mendje dhe në tavolina. Sipas stilit të vuajtur dhe ankues e frikacak të shoqërisë civile, kodi i etikës nuk u kujtua ndonjëherë të rizgjohet si një nevojë për normalitet as edhe nga ndonjë shoqatë apo nga intelektualë të angazhuar. Meqë politika NUK KA QEJF ta këtë nëpër këmbë një dokument të tillë, rrjedhimisht atë NUK duhet ta kemi. Sharësit i realizojnë siç duan dhe kur duan aksionet e tyre politike që si të tilla janë me vite dritë larg interesave të popullit.

Tashmë tema e kodit të etikës duhet të jetë një kauzë e shoqërisë civile. E marr me mend që shumë shqiptarë do të thonë: “Eh, edhe nëse bëhet ky kod, kush do ta zbatojë atë?”. Dhe le të jemi të sinqertë me veten. As unë, as shumë të tjerë nuk besojnë se ai do të zbatohet. Por ideja se duhet të ketë një kërkesë llogarie dhe ajo duhet të vijë nga shoqëria civile dhe media për t’i monitoruar deputetet se sa do ta respektojnë kodin, ndoshta kjo është rrezja e shpresës se ai kod mund të jetë afatgjatë dhe jo një nga dokumentet e shumta që aprovohet dhe harrohet nga qeveritë shqiptare.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi