Një praktikë e paligjshme dhe një diskutim i pambajtur në Kuvend

Nga Luan Rama, botuar në Panorama, 4 dhjetor 2015

luan-rama-150x150Do të duhej që projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 7895, datë 27.01.1995 “Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë” të ndryshuar” , të ishte përgatitur me nismën e ministrit të Drejtësisë. Do të duhej që ministri i Drejtësisë, projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 7895, datë 27.01.1995 “Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë” i ndryshuar” t’ia paraqiste për shqyrtim e miratim Këshillit të Ministrave. Dhe pasi projektligji të kalonte nëpër këtë rrugë, vetëm nëpër këtë rrugë kushtetuese dhe ligjore, mandej do të duhej t’i shkonte Kuvendit e t’u nënshtrohej procedurave të Kuvendit deri në miratimin në seancë plenare.

Këtë praktikë e thotë Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë. Këtë praktikë e detyron Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë. Për ata që nuk e dinë po citoj germë për germë nenin 100, pika 2 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë: “Këshilli i Ministrave merr vendim me propozim të Kryeministrit ose të ministrit përkatës”. Ma do mendja se nuk ka ndonjë njeri me sadopak mend në kokë të mos e kuptojë se kur është fjala për Kodin Penal, ministri përkatës është ministri i Drejtësisë.

E, gjithsesi, për ata që kanë mend natyrisht, por edhe për ata që nuk kanë mend, ligjbërësi ka shkuar edhe më tej, duke na ridhënë edhe një përcaktim më të drejtpërdrejtë. Sepse, përveçse prej Kushtetutës, kjo praktikë detyrohet edhe prej ligjit nr. 8678, datë 14.05.2001 “Për organizimin dhe funksionimin e Ministrisë së Drejtësisë”, në nenin 6, pika 2 të të cilit thuhet: Ministria e Drejtësisë “harton projektet e akteve ligjore dhe nënligjore në fushën e drejtësisë”.

E pas këtij përcaktimi, nuk ma do mendja të ketë më ndonjë që të mos e kuptojë gjithë sa parashtrova më sipër, në lidhje me tagrin kushtetues dhe ligjor të ministrit të Drejtësisë për aktet ligjore dhe nënligjore të fushës së drejtësisë. E, përveçse në Kushtetutë dhe në ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e Ministrisë së Drejtësisë”, e njëjta praktikë detyrohet edhe prej ligjit tjetër, prej ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”.

Mirëpo në rastin e projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 7895, datë 27.01.1995 “Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë” të ndryshuar, nuk ka ndodhur kështu. Sepse ka ndodhur e kundërta! Ka ndodhur e kundërta e rrugës që detyron Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë! Ka ndodhur e kundërta e rrugës që detyron edhe ligji “Për organizimin dhe funksionimin e Ministrisë së Drejtësisë”.

Ka ndodhur e kundërta e asaj që sanksionon edhe ligji “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”! Sepse ndryshimet dhe shtesat në projektligjin që është ndër fondamentalët e fushës së drejtësisë, nuk i ka iniciuar ministri i Drejtësisë! Siç e thotë Kushtetuta, siç e thotë edhe ligji. Sepse ndryshimet nuk i janë paraqitur Këshillit të Ministrave prej ministrit të Drejtësisë! Siç e thotë Kushtetuta, siç e thotë edhe ligji! Sepse ndryshimet në Kodin Penal që është ligj i fushës së drejtësisë janë iniciuar prej ministrave që Kushtetuta dhe ligji nuk jua jep këtë të drejtë.

Ata janë përgjegjës e drejtojnë ministri të fushave të tjera të veprimtarisë qeverisëse! Dhe kjo është një praktikë antikushtetuese! Është një praktikë antiligjore! Është një praktikë, të cilën Kuvendi nuk duhej ta lejonte. Është një praktikë, të cilën Kuvendi duhej ta ndalonte! Sepse ndryshimet në Kodin Penal i janë paraqitur Këshillit të Ministrave prej ministrave që Kushtetuta dhe ligji nuk jua jep këtë tagër!

Dhe paraqitja në Këshillin e Ministrave e ndryshimeve në Kodin Penal që është ligj i fushës së drejtësisë, prej ministrave që nuk kanë tagër kushtetues dhe ligjor në këtë fushë, është një praktikë antikushtetuese! Është praktikë antiligjore! Është një praktikë, të cilën Kuvendi nuk duhej ta lejonte. Është një praktikë, të cilën Kuvendi duhej ta ndalonte! Ndoshta dikush, pasi t’i lexojë këto radhë, do të thotë po ç’punë prish se e paskan marrë nismën për të ndryshuar Kodin Penal ministra të tjerë dhe se nuk e paska bërë këtë punë ministri i Drejtësisë, e rëndësishme është të ndryshohet e të përmirësohet ligji! Ndoshta dikush mund ta thotë këtë gjë!

Mirëpo, më parë se të thotë këtë a diçka tjetër ai dikushi, le të mendojë më parë se sa qesharake (antikushtetuese dhe antiligjore po e po!) do të ngjante në punën e Këshillit të Ministrave sikur ligjin “Për Policinë e Shtetit”, fjala vjen, të mos e përgatiste ministri i Brendshëm, por ministri i Shëndetësisë apo ai i Bujqësisë dhe ligjin për ndërzimin artificial ta përgatiste ministri i Financave! Mirëpo shteti nuk funksionon më si t’i teket e kujt t’i teket. Shteti organizohet e funksionon me ligje, me rregulla.

Ligjet dhe rregullat duhen zbatuar! Dhe Këshilli i Ministrave duhet të jetë jo vetëm shumë rigoroz, por edhe shume serioz, sidomos kur është fjala për kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë e akteve të veta. Rasti që veçova, për fat të keq, nuk është i vetmi. Ka ndodhur dhe më parë një praktikë e tillë.

Por nëse në Këshillin e Ministrave ka njerëz që nuk e dinë se si përgatitet apo si paraqitet një akt ligjor, apo më keq akoma, nëse ka që e dinë dhe heshtin, Kuvendi, me fuqinë e sovranit, por edhe me autoritetin që i jep Kushtetuta, duhet të jetë me kushtetutën dhe jo me qeverinë.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi