A janë të barabartë deputetët midis tyre?

Të gjithë deputetët janë të barabarte midis tyre, si deputetët e zonave elektorale ashtu dhe ata të listave proporcionale, si të partive të mëdha ashtu dhe të partive të vogla, apo deputetë të pavaur. Të barabartë janë gjithashtu edhe deputetët që ngarkohen me funksione parlamentare dhe ata që nuk kanë funksione të tilla. Parlamentet janë realisht përfaqësues kur të gjithë deputetët e ushtrojnë mandatin e tyre pa asnjë lloj diskriminimi. Funksionet parlamentare eventuale të një deputeti kanë karakter thjesht administrativ që lidhet me funksionimin organik te parlamentit dhe nuk “i shtojnë” gjë mandatit të deputetit. Asnjë deputet nuk ka pushtet urdhërues ndaj të tjerëve. Të gjithë kanë një votë të barabartë midis tyre dhe janë të lirë të votojnë në përputhje me vullnetin e tyre, si përfaqësues të një elektorati të caktuar.

Megjithatë, çdo deputet e ushtron veprimtarinë e tij të përditëshme në mënyrën e tij. Në një qasje skematike, që lidhet me mënyrën e paraqitjes së tyre,deputetët paraqiten si:

Deputetë që kanë funksione të larta partiake, dhe / ose

Deputetë të emëruar në funksione të caktuara parlamentare,

Deputetë pa funksione partiake ose parlamentare

Deputetët me funksione të larta partiake, ku përfshihen deputetët kryetarë të partive dhe anëtarët e udhëheqjeve politike respektive, zakonisht dominojnë procesin e vendimmarrjes. Me fjalë të tjera, ata përcaktojnë mënyrën se si duhet të votojnë deputetët e grupeve përkatëse. Natyrisht, vendimet merren në mbledhjen e grupeve parlamentare ku sejcili deputet shpreh mendimet e tij, por ata zakonisht janë në gjëndje të sigurojnë një shumicë brënda grupit.  Janë gjithashtu këta deputetë që në përgjithësi përfaqësojnë dhe flasin në emër të grupit për të spjeguar qëndrimin dhe mënyrën si si do të votojë grupi.

Deputetët me funksione parlamentare, ku përfshihen kryetarët e komisioneve parlamentare dhe anëtarët e kryesisë së komisioneve, relatorët e ngarkuar për shqyrtimin e projektligjeve, drejtues të strukturave dhe delegacioneve të tjera parlamentare, kujdesen për mbarëvajtjen e veprimtarisë parlamentare në përputhje me procedurat e funksionimit të parlamentit. Këta deputetë dallohen për rolin e tyre si mbikqyrës të procedurave të funksionimit të parlamementit, si dhe përvojën që kanë në drejtimin e fushave që mbulojnë. Edhe pse në dukje të ngarkuar me rol administrativ, shpesh, për shkak të autoritetit që ata krijojnë, janë vlerësimet e tyre që ndikojnë në procesin e vendimmarrjes së grupeve por edhe të vet parlamentit.

Deputetët e tjerë, që nuk kanë funksionet e mësipërme, paraqiten në mënyra të ndryshme. Një pjesë prej tyre shquhen për lidhjet e ngushta që mbajnë me zonat e tyre zgjedhore. Një pjesë tjetër, zakonisht pronarë të bizneseve, paraqiten dukshëm në mbrojtje të kërkesave të grupeve të ndryshme të interesit. Ka dhe një pjesë të deputetëve që kryesisht dallohen për “gadishmërinë” e tyre për të votuar në çdo rast në përputhje me porositë e dhëna.

Natyrisht një paraqitje e tillë është mjaft relative. Ajo është varur nga sistemi zgjedhor, nga mënyra e funksionimit të grupit parlamentar, nga mënyra e drejtimit të parlamentit. Por parasëgjithash ajo varet nga vetë deputetët: nga formimi dhe përvoja e tyre profesionale si dhe nga shkalla e tyre e angazhimit.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi