Qeveria nuk mund të rrëzohet me takime të fshehta

Nga Fitim Zekthi, botuar në Mapo, 4 gusht 2016

Fitim-Zekthi-768x554Ashpërsimi i luftës politike ka arritur në një pikë të tillë sa po zbulon krejtësisht natyrën e vetë politikës, të politikanëve, të qeverisë dhe të gjithë sistemit tonë. Megjithatë studiues të shumtë të politikës shprehen se është gjithnjë e nevojshme të ripohohet ajo që duket, sidomos kur gjuha bjerret pandalur në përpjekje t’i japë një kuptim tjetër asaj që ndodh.

Gjithë këto ditë fjalë apo togfjalësha si “detoksifikim i politikës”, “nevojë e tejkaluar për qeveri teknike” “opozita u detyrua ta votojë reformën”, “ishte takim miqësor me një mik të vjetër” etj. etj. kanë shoqëruar takimet në zyra, restorante, bare hotelesh apo aeroporti të drejtuesve më të lartë politikë të vendit por edhe të deputetëve apo ish-deputetëve të rëndësishëm. Sa i takon gjuhës së përdorur duket se dominojnë klishetë por edhe mesazhet me nënkuptim apo të koduara. Klishetë janë mjeti tipik i manipulimit (përdorur gjerësisht në totalitarizmat komuniste apo naziste) pasi ato shkëpusin kontaktin e menjëhershëm me realitetin dhe përpiqen të ndërtojnë një tjetër.

Ndërsa gjuha me nënkuptime apo mesazhe të koduara është më së shumti tipar i grupeve apo organizatave që aktivitetin e tyre ia fshehin publikut. Për një kuptim më të qartë të domethënies së takimeve në kafene apo vila ditën dhe natën të politikanëve që drejtojnë vendin po shohim një prej shpjegimeve teorike më të pranuara dhe më dominuese të shkencave politike sot në lidhje me pafuqinë e shumë shteteve dhe shoqërive për të qenë demokratike.

Douglass North, fitues i çmimit Nobel, dhe John Wallis, profesor i universitetit të Maryland-it, të cilëve më vonë iu është bashkangjitur edhe Barry Weingast i universitetit të Stanfordit nisen nga premisa se shqetësimi më i madh i shtetit dhe i shoqërisë, që prej fillimit, ka qenë çështja e administrimit të dhunës dhe e organizmit shoqëror. Pas shoqërisë primitive kanë qenë dy llojet e qasjeve të shtetit ndaj dhunës dhe organizmit shoqëror.

Rendi shoqëror me akses të kufizuar e zgjidh çështjen e dhunës duke krijuar renta. Ky shtet iu shpërndan privilegje njerëzve të fuqishëm ose grupeve të fuqishme. Këta njerëz ose këto grupe marrin monopole në tregti, në biznes, në sistemin bankar etj. Logjika qendrore e këtij lloj shteti thonë North dhe Wallis është kjo: duke qenë se të luftuarit ul fitimet nga rentat dhe privilegjet atëherë iu shpërndahen privilegje njerëzve apo grupeve me pushtet, që kanë akses te dhuna, gjë që iu jep atyre stimul të mos luftojnë, por të bashkëpunojnë. Kjo krijon një balancë mes pushtetit dhe privilegjit. Në momentin që kjo balancë prishet, domethënë dikush ka më shumë pushtet se sa privilegje ose anasjelltas, atëherë nis lufta, deri në rivendosjen e balancës.

Quhet rendi social me akses të kufizuar për shkak të hierarkisë që ndërtohet dhe për shkak të pamundësisë për të hyrë në biznes, në administratë, në gjyqësor e kudo, pa qenë pjesë e këtyre grupeve, njerëzve apo organizimeve që kanë pushtet. Tipari kryesor i këtij shteti është marrëdhënia plotësisht personale e cila garanton shkëmbimet, ndërveprimet dhe iu jep zgjidhje çështjeve. Këto shtete nuk kanë asnjë mundësi t’iu japin të mira grupeve të gjera shoqërore apo edhe njerëzve të tjerë përtej marrëdhënies personale.

Shtete të tilla sot kemi në Afrikën Subsahariane, në Amerikën Latine, në Azi etj. Është kjo ajo që po dëshmohet me takimet personale, me negociatorë apo sekserë jo publikë në lokale apo vila, në bare apo aeroporte ditën apo natën. Politika është publike, marrëveshjet janë publike, takimet bëhen në zyra të partive apo të shtetit pa ndërmjetës të çuditshëm. Nuk ka mundësi që Merkel, Hollande, May apo edhe Cipras të takojnë Steinamyer-in, Sarkozy-in, Corbyn-in apo Micotaqis-in në këtë mënyrë për të gjetur konsensus për reformat ë mëdha apo për të rrëzuar apo mbajtur në këmbë qeveri.

Do të ishte e paimagjinueshme. Me këtë sjellje politikanët tanë kanë treguar se janë sjellë si njerëz dhe grupe pushteti me akses te dhuna, njerëz që gëzojnë privilegje, që marrin renta, por që nuk janë krerë institucionesh dhe nuk drejtohen nga ligji. Edhe me parë dihej nga të gjithë që qeveria (jo vetëm e sotmja) shpërndan privilegje te njerëz apo grupe me pushtet, që kanë akses te dhuna. Dihej që ka monopole në sektorë të rëndësishëm të ekonomisë që zotërohen nga njerëz apo grupe të fuqishme. Dihej që është e pamundur të kesh akses në biznes në qoftë se nuk zotëron fuqi, nuk mund të futesh në punë në administratë në qoftë se nuk merr pëlqimin nga një njeri apo një organizim i fuqishëm.

Dihej edhe marrëdhënia personale e shtetarëve dhe njerëzve të fuqishëm, por një shkallë kaq e lartë e gjithë këtij degradimi po shihet tani. Zyrat e shtetit në Shqipëri janë të mbushura me njerëz të tillë, parlamenti gjithashtu. Të tjerë njerëz të fuqishëm me akses te dhuna janë biznesmenë dhe partnerë të funksionarëve të lartë shtetërorë. Ka shumë mundësi që e gjithë kjo betejë, gjithë këto akuza, gjithë kjo përpjekje për rrëzim apo mbajtje në këmbë qeverie, gjithë kjo luftë politike të kenë ardhur si shkak i prishjes së balancës mes pushtetit dhe privilegjeve.

Kështu veprohet në një shtet të rendit shoqëror me akses të kufizuar. Ndërkohë, nga ana tjetër, shteti demokratik është ai që sipas Douglas North dhe John Wallis ndërton atë që quhet rend shoqëror me akses të hapur. Ky lloj rendi funksion në marrëdhënie jo personale, çështja e dhunës nuk zgjidhet duke ndarë privilegje dhe duke krijuar renta.

Në këtë rend social të gjithë kanë akses në biznes, në administratë, është i mundur mobiliteti social dhe kërkimi i të drejtës. Politika, negociatat, marrëveshjet, ndërmjetësit, ngritja dhe rrëzimi i qeverive, miratimi apo jo i reformave janë publike. Askujt nuk i duhet një qeveri që rrëzohet apo ndërtohet kështu.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi