Pse nuk i besojmë drejtësisë sonë?

Nga Fatos Çoçoli, botuar në Balkanweb, 7 prill 2015

Fatos-Cocoli-320x240Në pyetësorët dhe vrojtimet e zhvilluara në dy dekadat e fundit, nga përgjigjet dhe opinionet e qytetarëve, sistemi më i korruptuar. në vendin tonë ka rezultuar ai i drejtësisë. Dhe jo pa shkak! Perceptimi se gjyqësori shqiptar: gjyqtarët, avokatët dhe prokurorët tanë janë të zhytur në abuzime me detyrën dhe etikën e punës, nuk është i tejskajshëm. Afërsisht një vit më parë, në prill 2014, ministri i Brendshëm i vendit bëri publike letrën drejtuar Presidentit të Republikës, me një listë të 65 vendimeve gjyqësore të muajve të fundit të asaj kohe, që lironin të pandehur, për të cilët prokuroria kishte siguruar prova të pakundërshtueshme për t’i futur në burg, në pritje të gjykimit. Ajo listë nuk kishte asgjë politike apo që të ngrinte ndonjë merak gjuetie shtrigash. Ishte një manifest i pazotësisë apo korruptimit të thellë të shumë prej gjyqtarëve tanë. Ishte tabela e “bëmave” të njerëzve të veshur me pushtetin e drejtësisë, që kanë siguruar të ardhura dhe pasuri të patundshme, sikur të kishin një rrogë shtetërore njëzet apo njëqind herë më të madhe! Lirimet skandaloze të kriminelëve, hajdutëve dhe përdhunuesve janë “trashëgimia” që i bëri ata të pasur dhe të korruptuar deri në rrënjë të flokëve. Ajo listë m’u kujtua kur mësova vendimin e fundit të drejtësisë shqiptare, për gjykimin e një të pandehuri të akuzuar nga Prokuroria për vrasjen e një komisari policie.

Tradita e vendimeve kurajoze të gjykatave perëndimore na kujton se, kur Prokuroria kërkon dënim përjetë për një të pandehur dhe gjykata e nxjerr të pafajshëm, atëherë gjykata duhet patjetër të ketë administruar prova flagrante që vërtetojnë pafajësinë. Duke mos i parë këto prova sot, shumë qytetarë kanë të drejtë të pyesin se çfarë po ndodh me drejtësinë shqiptare. Duhet të pranojmë një fakt. Nuk është se pushteti gjyqësor nuk ka gjyqtarë të korruptuar edhe në vende të tjera, me aftësi shtetmbajtëse shumë më të forta se ne. Por në asnjë vend tjetër evropian, paaftësia e gjyqtarëve nuk është mpleksur aq fort me mbulimin politik të tyre. Brezi i juristëve të dalë nga kurset gjashtëmujore të Plepave në Durrës, në vitet 1993-‘94, për fat të keq, u kthye në një grup gjyqtarësh që shikonin të ushqeheshin në karrierë vetëm nga përkrahjet politike që kishin. Shumë pak prej tyre ruajtën librat e profesionit, apo i shtuan leximet e tyre, për të mësuar më shumë mbi botën e madhe dhe të jashtëzakonshme të jurisprudencës. Arsyetimet e vendimeve të tyre gjyqësore, ndër vite, janë mjerane, për sa u përket leksikut gjyqësor, referencave të jurisprudencës perëndimore, apo edhe thjesht thellësisë së gjykimit. Shumica e këtyre juristëve të improvizuar zunë pika kyçe në administratën shtetërore apo në strukturat e gjyqësorit, vetëm për shkak të favoreve dhe mbështetjes politike që gëzuan, por jo për merita të punës së tyre profesionale. Madje, sa më shumë avanconin në trupin e Shtetit dhe majat e tij, aq më tepër u dilte dëshira të mësonin më shumë për një profesion që ua kishin futur në tru, sikurse i fusim gjelit të detit shukat e bukës që të majmet. Kështu dhe juristë-gjyqtarët e Plepave u majmën me pushtet dhe pasuri të vendosura në mënyrë të pamerituar, apo në shumë raste, edhe abuzive e me korrupsion të rëndë. Sa më shumë shërbime i bënin politikës së ditës, aq më me pa merak futeshin kokë e këmbë në korrupsion në gjyqet e tyre. Disa syresh, kaq të bindur janë për mbështetjen e pafund të politikës mbi ta, sa në luftë gjelash e duke i futur stërkëmbësha njëri-tjetrit, guxojnë e dalin edhe publikisht, me akuza që tregojnë vetëm për një moment ajsbergun e madh dhe të frikshëm të abuzimeve dhe skandaleve me togat e zeza.

Një pastrim me themel i sistemit të drejtësisë, për fat të keq, duhet të bindemi se nuk mund të vijë nga brenda, nga vetë gjyqtarët, pse ata që duan të qëndrojnë rehat dhe pa përlyer duart mes tyre, janë shumë më të pafuqishëm sesa të tjerët e zhytur në korrupsion e të mbrojtur nga politika. Asnjë strukturë jashtë sistemit gjyqësor nuk mund t’i vendosë përpara përgjegjësisë gjyqtarët e pazotë apo të korruptuar, nëpërmjet vendimeve që kanë marrë. E vetmja bisturi që bën punë është zhbirimi i pasurimit të shumicës së tyre (disa, të kujdesshëm, një pjesë të asaj çfarë zotërojnë ua kanë kaluar formalisht fëmijëve apo farefisit të afërm, por jo të gjithë), krejtësisht të pajustifikuar nga të ardhurat e zanatit. Një OJF aktive në luftën kundër korrupsionit, në një vrojtim të sajin katër vite më parë, kishte zbuluar se nga të gjithë ata që i nënshtrohen kontrollit të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive (sot ILDKPI), nëpunësit publikë që më shpesh dilnin jashtë shtetit gjatë vitit, kishin makina më luksoze, si dhe dyqane apo shtëpi në Tiranë dhe në bregdet, ishin gjyqtarët dhe një pjesë e prokurorëve. Prej këtej mund të fillojë pastrimi i vërtetë në gjyqësor, duke vendosur (më së fundi) në bankën e të akuzuarve gjyqtarë e prokurorë të pasuruar për shkak të shfrytëzimit të postit publik. Është koha të fillojë nga ILDKPI bisturia e vërtetë financiare, dhe në sistemin më okult e të frikshëm të korrupsionit shqiptar, në atë të drejtësisë.

Fatos Çoçoli

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi