Financimi i partive politike dhe blerja e pushtetit

Nga Sorina Koti, botuar në Panorama, 3 nëntor 2016

sorina-koti-150x150Paraja në politikë është bërë gjithnjë e më tepër një element me ndikim në rritje, që po shkon drejt një fuqie përcaktuese, ndaj kontrolli dhe transparenca e përdorimit të parasë në politikë është jetike për demokracinë.

Prania e parasë, ose më saktë, ndikimi i saj në rezultatet e zgjedhjeve janë një fenomen, që kërcënojnë sistemin politik të vendeve në zhvillim, siç jemi edhe ne. Partitë janë qendra e sistemit të sotëm politik.

Te partitë, qytetarët shohin të organizuara dhe të artikuluara vlerat te të cilat besojnë, projektet te të cilat shpresojnë, por njëherësh edhe instrumentet që mundësojnë realizimin e objektivave të tyre kolektive apo individuale. Të tilla janë edhe partitë në Shqipëri. Shpesh janë inerci e kohëve të shkuara.

Ndodh që janë projekte ambicioze individësh apo grupesh, që synojnë të kenë një përfaqësim më efektiv të interesave. Për fat të keq, ende në Shqipëri partitë mbeten instrumentet e dorës së parë dhe ndonjëherë edhe të vetëm për sa i përket artikulimit të mendimit, marrjes së përgjegjësive publike, nxitjes së axhendave të caktuara, si dhe ofrimit të oportuniteteve për realizime individuale apo kolektive.

Mbështetja që ato sigurojnë nga vota apo financimi u jep partive pushtetin që ato të ndikojnë në institucionet e vendit dhe në vendimmarrje. Në këtë pikë lind një dilemë e madhe etike e shoqërisë dhe e vetë sistemit. Si mund të jetë e barabartë pesha e mbështetjes së individëve që kanë vetëm fjalën e votën dhe atyre që kanë edhe paranë dhe e përdorin atë në politikë?

Dilemat janë të natyrës etike, të barazisë dhe legjitimitetit për të mbrojtur interesat. Të drejtë të ndikojnë politikën kanë si individët me votë, ashtu edhe organizatat, që pretendojnë se përfaqësojnë kategori të ndryshme si sindikatat e të tjera. Por të drejtë kanë edhe bizneset që prodhojnë punë dhe kapital të ndikojnë në zgjedhje. Dilemat shtohen edhe më shumë në një shoqëri si e jona, e ushqyer me mendësi puriste për mënyrën e organizimit dhe funksionimit të sistemit politik.

Debati rreth këtyre dilemave shkon nga mohimi fare i mundësisë së financimit privat deri te tolerimi i pakufizuar dhe i parregulluar i financimit të politikës. Shqetësimi kryesor ka qenë dhe mbetet lidhja e financimeve të partive politike dhe influencat e tyre në vendimet politike, çfarë shpesh rezulton të jetë një praktikë korruptive.

Te ne dhe vendet e rajonit, veç çështjes së korrupsionit, financimi i politikës është i rrezikuar edhe nga financime që vijnë nga burime të errëta dhe nga krimi. Duke qenë se partitë politike janë element kyç në demokracitë pluraliste, humbja graduale e pavarësisë së tyre është një situatë serioze dhe shqetësuese.

Rënia e autoritetit të partive politike si rrjedhojë e lidhjes së tyre me interesa biznesi, faktimi i shumë lidhjeve dhe aferave korruptive e bën nevojë urgjente ndërhyrjen për të rikthyer besimin e qytetarëve te sistemi politik. Më e rëndë bëhet kjo kur provohen shembuj dhe perceptohet gjerësisht në publik prania e parasë së pisët, që vjen nga krimi i organizuar në financimin e politikës.

Ndaj adoptimi i rregullave të qarta dhe sidomos garantimi i transparencës për financimin e partive politike dhe fushatave elektorale janë jetike për demokracinë. Ligji për Dekriminalizimin e politikës dhe punonjësve të administratës publike është një instrument thelbësor, por që të kemi një ndarje të qartë të politikës nga krimi, korrupsioni, kapja e vendimmarrjes etj., është i domosdoshëm një rregullim ligjor për çështjen e financimit të politikës. Sot ne shohim rritjen e paimagjinueshme të kostos dhe shpenzimeve të Fushatave Zgjedhore.

Në krahasim me mundësitë dhe situatën ekonomike shqiptare, si dhe fondin e miratuar nga Buxheti i Shtetit për partitë, ajo çfarë ndodh në fushata është qartazi prania e parasë të padeklaruar, për të mos thënë parasë së pisët. Problematikë tjetër është përfshirja e financuesve të partive politike nëpër listat zgjedhore dhe në funksione të larta administrative. Kjo praktikë të kthen te përvoja e blerjes së funksionit publik.

Përfitues të tenderave publikë shpesh janë donatorë të shpallur ose jo të partive politike. Gjithashtu, mosdeklarimi i donatorëve dhe fondeve krijon mbulimin e nevojshëm për përdorimin e parave, të cilat nuk vijnë nga burime të kontrolluara, por nga aktivitete të jashtëligjshme, duke iu dhënë imunitet politik dhe ekonomik personave me rekorde kriminale dhe korruptive.

Ky është një nga problemet më të mëdha të financimit privat, pasi aksesimi i pabarabartë i fondeve partiake ndikon në barazinë dhe në konkurrimin e pjesëmarrësve në politikë. Lënia e lirë e shpenzimeve të kandidatëve nga partitë politike, të financuara me burime të dyshimta hap rrugën për angazhimin politik të individëve, të cilët e përdorin politikën për përfitime personale dhe klanore.

Bërja transparente e të ardhurave partiake ndihmon procesin e dekriminalizimit dhe mban larg figurat e inkriminuara. Një propozim është edhe vendosja e rregullit, që transparenca e të ardhurave dhe shpenzimeve për çdo parti të kryhet çdo vit fiskal. Shqipëria ka një ligj për financimin e partive, por nuk ka kontroll mbi raportimin dhe pasqyrimin e fondeve; nuk ka limit për donacionet private, si dhe nuk ka limit për shpenzimet e fushatave elektorale. Sot, që jemi në momentin e rishikimit të Kodit Elektoral, është një mundësi që këto çështje të adresohen.

Rregullimi i deritanishëm ligjor bëhet nga dy ligje të ndryshëm, ai për partitë politike, që mbulon aspektin e financimit të partive si organizatë, dhe Kodi Zgjedhor, që mbulon financimin e fushatave. Një zgjidhje më e mirë do të ishte hartimi i një Ligji të ri, që mbulon gjithë aspektet e financimit të politikës, atë të partive si organizatë, atë të aktiviteteve politike, si dhe atë të fushatave zgjedhore.

Një ligj i ri do të duhet t’u jepte zgjidhjet çështjeve si liberalizim, apo kufizim i financimeve private; gjetje e një balance të arsyeshme midis financimeve publike dhe private; kufizimet nga përfitimi i posteve apo parave publike për ata që financojnë politikën, kriteret dhe mekanizmat e transparencës maksimale dhe efektive; indipendenca dhe besueshmëria e kontrollit mbi shpenzimet partiake të lidhura me fushatat zgjedhore dhe transparenca totale e pasqyrave financiare; sanksionet dhe penalitetet për partitë ose kandidatët që thyejnë ligjin.

Kjo është një çështje vullneti politik, por edhe vëmendje. Për momentin ne flasim shumë për pasojën e financimit të pakontrolluar, flasim për korrupsionin, klientelizmin dhe kapjen e vendimmarrjes, por flasim pak ose aspak për një nga burimet kryesore, për financimin e partive dhe kandidatëve nga biznese dhe paraja e pisët.

Nuk na mbetet gjë tjetër veçse të shpresojmë që veç shtrëngimeve për të parandaluar përfshirjen si aktorë politikë të personave të inkriminuar, të hedhim një hap tjetër vendimtar për pastrimin e politikës nga kapja.

Kjo reformë është e domosdoshme që të mos përfundojmë te pushteti që buron nga paraja, por te pushteti që buron nga besimi, besimi i votuesve, dhe jo i parasë. Pas dekriminalizimit të individëve në politikë, duhet të kryejmë dekriminalizimin e partive, nëpërmjet rregullimit dhe transparencës së financimit.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi